Kuvendi, Zana Xhuka në krye të ILDKP, LSI voton kundër

Postuar në 21 Janar, 2013 13:26

 

Xhuka do të jetë kreu i ri i Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive(IDKP). Në mbledhjen e parë të sesionit parlamentar, Xhuka, ish-ministre e Mbrojtjes ka arritur të marrë 70 vota pro. Kundër Xhukës ka votuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përkrahte kandidaturën e Shkëlqim Ganaj, i cili prej disa vitesh ka punuar si inspektor në këtë institucion. Xhuka ka  zëvendësuar Adriatik Llallën, i cili u emërua në postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.

Në hapje të sesionit të 8-të të legjislaturës së VII-të, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka theksuar se miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar ka qenë dhe do të mbetet një ndër pikat kryesore në axhendën e reformave edhe gjatë këtij sesioni të ri. Ajo ka ftuar opozitën të votojë tre ligjet e mbetura.

“ Ne i detyrohemi shqiptarëve 3 sekonda! 3 sekonda për të miratuar 3 ligje të rëndësishëm për shqiptarët! 3 sekonda për të ngritur kartonin jeshil! 3 sekonda për te hequr bllokimin e statusit! 3 sekonda…. për ta bërë ëndrrën realitet! Ne i detyrohemi kolegëve tanë të Parlamentit Europian, që për 3 sekonda miratuan në unanimitet rekomandimin për dhënien e Statusit të vendit Kandidat, 3 sekonda. Sot, Shqipëria është vetëm 3 sekonda larg statusit. 3 sekonda nevojiten për t’i hapur, de jure dhe de facto, rrugën shqiptarëve drejt statusit.

Të nderuara zonja dhe zotërinj, Unë besoj fort në besimin europian të çdo deputeti shqiptar. Unë s’do të rresht kurrë së besuari se cilido deputet do të inspirohet nga atdhedashuria, nga puna e palodhur, nga sakrifica e atyre grave dhe burrave nga Shqipëria dhe mbarë trevave shqiptare qëe na dhuruan 100 vjet më parë Pavarësinë. Unë mbetem e bindur se çdo deputet do të tejkalojë interesat partiake dhe personale te cilitdo, për të përfaqësuar me dinjitet interesat europiane të qytetarëve shqiptarë”, ka thënë Topalli.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.