Kuvendi rikthen reciprocitetin ndaj Serbisë

Postuar në 07 Dhjetor, 2011 08:52

Pas një debati të gjatë me akuza të ndryshme mes pozitës dhe opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar mocionin e lëvizjes Vetëvendosje. Parashtruesi i kërkesës Visar Ymeri lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.
Tri pikët e tekstit të mocionit  janë:  1. Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.  2. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ta nxisë dhe të udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit e vendit dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe 3. Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Për këtë mocion të opozitës për votuan 42 deputetë, kundër ishin 33 dhe 2 deputetë abstenuan. Ky mocion u votua pas interpelancës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë për çështjen e reciprocitetit me Serbinë.
Ky ishte një prej rasteve të rralla kur opozita ia del që të miratoj një nismë, duke siguruar shumicën në kuvend.
Tash pas kësaj pritet se si do të veprojë qeveria, pasi që vendimet e Kuvendit janë të obligueshme për qeverinë. Gjatë kësaj seance ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të marrë masa të reciprocitetit ndaj cilit do vend që shkel marrëveshjen e CEFTA-s, por nuk mund të merret një vendim për bllokim të tregtisë me këto vende, pasi që izolimi çon vendin drejt varfërisë. Përpos deputetëve të Vetëvendosjes edhe partitë e tjera kanë shprehur një varg vërejtjesh për mënyrën se si qeveria ka vepruar ndaj këtij problemi.
Në këtë seancë ka qenë e parashikuar që të flitet edhe për projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, mirëpo një gjë e tillë me vota të shumicës u shty për një mbledhje tjetër.
Seancat e Kuvendit të Kosovës janë shndërruar në arena të debatit ndërmjet deputeteve. Fjalimi i deputetit të VV-së, Florin Krasniqi nuk kaloi  pa replika nga deputetët e PDK-së, Bekim Haxhiu i njohur si”Kamishi”.  Derisa Krasniqi, fliste për çeshtjen e hyrjes së mallrave serbe kishte ndërhyrje nga ana e deputeti Haxhiu derisa Krasniqi i drejtohet atij me fjalët “mshele”. “Kamish mshele kur të foli unë. Mshele kur të vjen rendi pastaj fol mshele”, i drejtohej Krasniqi, Haxhiut. E kjo e nervozoi “Kamishin” i cili kërkoi replikë derisa kërkoi nga Kryesia e Kuvendit që të mos lejojë abuzimin e foltores së Kuvendit.
“Me këtë çështje duhet të merrej Kryesia e Kuvendit që ky person i paedukatë pa karakter me fjalorë fyes dhe ofendues me tregu në këtë foltore të Kuvendit se me demek ky e ka fuqi me ja mshel dikujt gojën në këtë  Kuvend. Ky është tempull i demokracisë dhe ka mendime ndryshe, nuk ta jap të drejtën ty me i than dikujt mshele. Sa bubrreci je i vogël me i than dikujt mshele, shumë shumë i ultë je”, ka thënë Haxhiu. Kjo nuk ishte hera e parë qe deputetët Haxhiu e Krasniqi polemizojnë gjatë seancave në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Vataj  e ka vazhduar debatin për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovë.në në seancën e Kuvendit të Kosovës duke thënë se Akademia nuk është e asnjë partie, as e LDK-së, as AAK-së, e as e PDK-së, nuk është madje as e anëtarëve të Akademisë, por e shtetit të Kosovës. Vata ka rikujtuar se në mbledhjen e parë të Kryesisë kur është ngritur kjo çështje, askush nuk është shqetësuar dhe nuk është parë ndonjë problem ndryshimi i këtij ligji, andaj edhe e kanë nënshkruar pa asnjë presion nismën deputetë nga të gjitha grupet parlamentare. Deputeti i PDK-së ka mohuar të ketë ngjyrime politike nisma e tij, përderisa ka thënë se ndryshimi i atij ligji nuk i rrezikon aspak anëtarët e tashëm të Akademisë, por do të ndryshohen procedurat e kandidimit dhe të pranimit të anëtarëve të rinj.

Kuvendi do të vazhdojë punimet edhe nesër.

 

Koha.net

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.