Kush nuk paguan sigurime nuk përfiton as pagesë minimale

Postuar në 14 Janar, 2014 09:49

Kush nuk paguan sigurime nuk përfiton as pagesë minimale
14 Janar 2014 | : Kryesoret,Sociale | Autor: Lorina Mixha

1
Përfitimet

Mirëqenia, pensioni social aq i lartë sa të garantojë minimumin jetik

Deficiti - Aktualisht rezulton që skema e pensioneve të rëndojë me një deficit financiar prej 42 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit
Kontribuuesit - Në vendin tonë për shkak të punës në të zezë, informaliteti, dhe numri i ulët i kontribuuesve, kemi 1 kontribuues për 1 përfitues
Pensionistët - Aktualisht, në shkallë vendi numërohen 561 mijë pensionistë, për të cilët çdo vit duhet të shpenzohen 94 miliardë lekë
Reforma - Brenda dy vjetëve në vendin tonë pritet të nisë zbatimi i reformës në sistemin e pensioneve, që do të shpëtojë gjeneratën e re
Përfitimi - Nuk do të ketë më pension tavan për të gjithë ata që paguajnë kontribute të larta, për efekt të pagës së lartë, reforma heq maksimumin
Baza - Pensioni bazë, dysheme që do të njihet si pension social do të përfitohet vetëm nga ata persona që kanë kontribuar diçka për skemën
Skema e re e pensioneve që pritet të vendoset në “shina” brenda dy vjetëve parashikon si pjesë prioritare të reformës, vendosjen e një pensioni dysheme që do të njihet ndryshe si pension social.

Ky pension do të jetë për të gjithë brezin e pensionistëve që sot janë nga 35 vjeç e lart.

Ndërkohë që pagesa bazë e këtij pensioni do të jetë aq i lartë sa të garantojnë minimumin jetik për pensionistët e së “ardhmes”.

Por për ta përfituar këtë pension askush nga të rinjtë sot nuk duhet të rrijë me duar në xhepa. Asnjë nga qytetarët me rezidencë në Shqipëri nuk do të përfitojë as minimumin e pagesës në rast se nuk ka kontribuar në skemë. Vitet e vjetërsisë në punë dhe kriteret e tjera do të përcaktohen deri në fund të 6-mujorit të parë nga grupi i ngritur për reformimin e sistemit, por paraprakisht Ministria e Mirëqenies Sociale ka deklaruar se pensionin social do ta marrin ata që kanë kontribuar në skemë para mbushjes së moshës së pensionit.

Ndërkohë që të gjithë ata që marrin rroga të larta dhe që paguajnë për vite me radhë kontribute të larta e kanë pasur të përcaktuar sesa pension do të merrnin, i njohur si pension maksimal, pavarësisht pagesave të larta që kanë bërë në vite.

Me reformën e re, secili prej qytetarëve që kontribuon me vlera të larta dhe lë nga rroga një pjesë të konsiderueshme parash, me sistemin e ri do të përfitojë më shumë. Pensioni maksimal do të jetë më i lartë, ndërsa pritet heqja e tavanit e përcaktuar me ligj deri sot.

Këshilltari i ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Enkelejd Musabelliu, sqaron se në diskutimin e grupit të punës do të jetë rritja e pensionit social.

“Pensioni social do të jetë diçka, aq i lartë sa të garantojë minimumin dhe një jetë të denjë për çdo pensionist shqiptar, por nuk do të jetë i disponueshëm për ata që nuk kanë kontribuar fare në skemë. Pra duhet të jesh pjesëmarrës në këtë skemë, në mënyrë që të marrësh këtë pension social”, thotë Enkelejd Musabelliu,

këshilltari i ministrit, Erion Veliaj.

Brenda muajve të parë të këtij viti do të ngrihet një grup pune, i cili do të drejtohet nga kreu i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, ku do të vendoset mënyra e re e kontribuimit, por edhe përfitimi nga skema e sigurimeve.

“Paga minimale kontributive është diku te 191 mijë lekë të vjetra, ndërsa paga maksimale është 751 mijë lekë të vjetra.

Duke qenë se ekziston një pension tavan, që nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit bazik që caktohet me vendim qeverie, kjo skemë e ka presuar shumë diferencën mes pensionit minimal dhe pensionit mesatar dhe ka bërë që ata me paga të larta të mos kenë asnjë interes për të paguar”, sqaron Musabelliu.

Sipas tij, një mundësi për ta ulur deficitin është që të rriten kontributet nga ata që kanë paga të larta, pra individët paguajnë më shumë dhe një parim themelor që do të ndiqet gjatë hartimit të reformës do të jetë që ky tavan të hiqet në mënyrë që kujtdo që ka një pagë të lartë dëshiron një pension më të lartë kur të dalë në pension, të ketë mundësinë që të paguajë më shumë.

“Praktika botërore është që përcaktohet një moshë, që është edhe rreth 35-40 vjeç dhe të gjithë ata që janë të kësaj moshe dhe në marrëdhënie pune automatikisht kalojnë në skemën e re”, sqaroi Musabelliu.

Skema e pensioneve, e cila rëndon me një deficit financiar prej 42 miliardë lekësh mbi buxhetin e shtetit, pritet të reformohet në pika të rëndësishme të saj.

Në gjithë vendin numërohen 561 mijë pensionistë, për të cilët çdo vit duhet të shpenzohen 94 miliardë lekë. Informaliteti dhe numri i ulët i kontribuuesve bën që të kemi 1 kontribuues për 1 përfitues, ndërkohë që skema normale do të ishte 6 kontribuues, për 1 përfitues.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.