Kryetari demokrat i komunës dhunon 70- vjeçarin: Pse prite deputeten e PS në shtëpi?

Kryetari demokrat i komunës Perondi në Kuçovë, Rexhep Hajdari, ka dhunuar dy ditë më parë shtetasin Hajdar Mimani për shkak se ky banor ka pritur në shtëpinë e tij deputeten socialiste, Ermonela Felaj.
Ai tregon se pasi ka shoqëruar gruan për në Poliçan, ka takuar në rrugë disa banorë dhe kryetarin e komunës, të cilit i ka zgjatur dorën për ta takuar.
“Ti je m… burrë. Pse e fute deputeten e PS në shtëpi, atë k…, Ermonela Felajn”, e ka fyer kryetari i komunës.
70 vjeçari është shprehur se shtëpia e tij ka qenë e hapur për këdo mirëpo: “Ai mu drejtua me fjalët më banale të mundshme. Në këtë moment ai më shau nga familja dhe më goditi me grushte dhe më kërcënoi se do të më vrasë fare. Më qëlloi me grushte dhe shqelma në fytyrë duke më shkaktuar plagë të rënda trupore si dhe më ka dëmtuar dhe në organet gjenitale”, deklaron Mimani.
Ai është mjekuar më pas dhe tregon se kjo ka ndodhur vetëm për shkak të deputetes së PS, pasi në ato momente ai ka pasur në xhep edhe posterin e kryekomunarit Hajdari.
Mimani i bën apel policisë: “Që në bazë të ligjeve në fuqi, të ndëshkojë kryekomunarin e Perondisë, Rexhep hajdari, për dhunën fizike dhe fyerjet ndaj meje, kjo me qëllim që t’u pritet rrugë veprimeve të tilla dhunuese rrugaçërore nga zyrtarët e shtetit, ndaj qytetarëve të thjeshtë siç është edhe rasti im,” ka thënë ai për GSH.
TEMA
Add new comment