KQZ ndan 2 milionë dollarë për gjashtë parti

Postuar në 12 Janar, 2013 06:07

 

Luis tanushi

-Ditën e martë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u shpërndajë partive politike fondin e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Janë jo pak, por plot 2 milionë dollarë të cilat do tu vihen në dispozicion partive parlamentare për këtë vit elektoral. Administrata e këtij institucioni ka filluar punën për llogaritjen  e fondeve që do t’u ndahen gjashtë subjekteve politike. Thelën më të madhe do ta marrë Partia Demokratike që ka edhe numrin më të madh të deputetëve. Kjo e fundit do të marrë 83.6 milionë lekë të rinj, kundrejt 80.7 milionë lekëve që do të marrë Partia Socialiste e cila renditet e dyta. Ky fond që shpërndahet është i përvitshëm dhe nuk lidhet me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për zgjedhje, KQZ do të shpërndajë një fond tjetër që do të ndihmojë subjektet politike në fushatën zgjedhore.

Shpërndarja

Diferenca midis dy forcave politike arrin në rreth 3 milionë lekë të reja, ku demokratët do të marrin 83.6 milionë lekë. Në vend të tretë renditet Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ashtu si në zgjedhjet vendore do të përfitojë një pjesë jo të vogël nga shpërndarja e buxhetit për partitë. Në rast të miratimit të ndarjes së fondeve, LSI-ja do të përfitojë rreth 11.7 milionë lekë.  Midis tre partive të tjera parlamentare, republikanët janë më të favorizuarit duke marrë rreth 1 milion lekë më shumë se sa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe ajo Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Republikanët do të marrin  8.1 milionë lekë, ndërsa PDIU-ja 7.7 dhe PBDNJ-ja 7.9 milionë lekë. E vetmja parti jo parlamentare që do të përfitojë fonde nga buxheti do të jetë Partia Socialdemokrate drejtuar nga  Skënder Gjinushi. Ndonëse nuk mundi që të sigurojë një post në zgjedhjet e 2009-s, votat e mbledhura në të gjithë vendin i kanë mundësuar asaj që të marrë një shumë modeste nga Buxheti i Shtetit. Ky subjekt do të përfitojë 352 mijë lekë nga KQZ-ja për t’i përdorur në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. 

Skema e shpërndarjes

Qeveria miratoi pak kohë më parë fondin prej 200 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2013. Sipas ligjit “Për partitë politike”, 70 për qind, e fondit shpërndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar. 20 për qind e fondit ndahet  në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi. Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare. Nga viti 2003 në vitin 2004 ka patur një rritje rreth 4% të financimit për Partitë Politike, ndërsa për vitin 2005 ato kanë vazhduar të jenë në masën 194 milionë lekë.  Në vitin 2006 ka pasur një rënie të lehtë me 2 milionë lekë dhe ky nivel ka vazhduar edhe për tre vite të tjera. Në vitin 2010 fondet për Partitë Politike u rritën me 3.6%, duke shkuar në 199 milionë lekë dhe në vitin 2011 ato janë parashikuar 200 milionë lekë.

Në buxhetin e vitit kur do të zhvillohen zgjedhje, Kuvendi vë në dispozicion të KQZ-së dhe të institucioneve të tjera përkatëse fondet për përgatitjen, zhvillimin, mbikëqyrjen, si dhe çdo aspekt tjetër të procesit zgjedhor. Në rastin kur viti buxhetor nuk është vit zgjedhor, KQZ-së i vihen në dispozicion fonde të mjaftueshme për funksionimin e këtij institucioni, si dhe për ushtrimin e përgjegjësive.

Kthimi i lekëve

Në rast se partitë nuk arrijnë që të sigurojnë rezultat në zgjedhje, do të jenë të detyruara që të kthejnë fondet. Nëse nuk kthehen lekët brenda 90 ditëve,ajo forcë politike do të humbasë të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. 

Partitë, kredi nga bankat për fushatën

Për herë të parët në zgjedhjet e ardhshme partitë politike do të kenë të drejtën që të marrin kredi për të mbuluar shpenzimet e fushatës. Me miratimin e  kodit të ri, ekspertët e partive parlamentare vendosën që të shtojnë rrugët e financimit të fushatave të tyre duke lejuar që të merret kredi nëpër banka. “Burimet e financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë: fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore; të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna; kreditë e marra nga partitë politike”, thotë ligji. Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse. Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, u ndahet si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore.  Për zgjedhjet e përgjithshme si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse. Për zgjedhjet për qeverisjen vendore si kriter  përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore.

Partitë fitojnë para jashtë procedurave të ligjit”

 

Sipas Celibashit, mungesa e transparencës krijon impakt jo pozitiv në besueshmërinë e rezultatit zgjedhor 

Eksperti i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaron se në Shqipëri është e vështirë gjetja e burimit të financimit të partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Në një intervistë për “Shekullin”, ish-kryetari i KQZ-së thekson se vazhdimisht partitë politike, si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu dhe në periudhat e ndërmjetme, nuk bëjnë transparente mënyrën e financimit. 

Si mund të zgjidhet problemi i partive politike që përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, por kur nuk marrin rezultat pozitiv nuk i kthejnë mbrapsht?

Një zgjidhje do të ishte që një pjesë e këtij fondi të mos lëvrohej para fillimit të fushatës zgjedhore, por në raport me rezultatin elektoral që ato marrin, t’u bëhej pagesa nga Buxheti i Shtetit. Kjo mund të ishte një formë. Formë tjetër është e vështirë të aplikohet sepse në fund të fundit, janë subjekte të tjera ndaj të cilave ti jo në çdo rast mund të ushtrosh forcën e ligjit. Për më tepër që ato nuk mund të kapitullizohen si subjektet tregtare që në rast se kanë detyrime të paplotësuara ndaj të tretëve, t’i kalosh në proces falimentimi. Ka edhe arsye politike në këtë çështje.

Për herë të parë partive politike u jepet e drejta e marrjes së kredive. Mund të përdoret si shteg për justifikimin e fondeve?

Kjo në fakt është formë më e mirë se ajo çfarë ndodh tani, sepse në fund të fundit do të jenë të gjurmuara dhe të kontrolluara burimet nga të cilat partitë marrin fondet. Ka shumë mundësi që paratë që merren nga bankat të kontrollohen dhe të verifikohen. Edhe bankat kanë interes që të dinë destinacionin e parave që japin për klientë të ndryshëm, që në këtë rast janë partitë politike.

Si ka mundësi që asnjëherë nuk janë dënuar partitë politike për financimet e fshehura. As audituesit nuk kanë konstatuar shkelje duke i nxjerrë partitë dhe kandidatët të “larë”?

E gjithë çështja e financimit të partive politike këtu në Shqipëri është një çështje mjaft problematike dhe është një çështje që ka impakt drejtpërsëdrejti në lidhje me standardin e zgjedhjeve. Sa kohë që mundësitë për të verifikuar se kush jep dhe sa jep, janë të pakta, vështirë të thuhet për transparencë në financimin e partive. Është e sigurt që paratë që fitojnë partitë politike si brenda fushatës dhe jashtë fushatës janë para që nuk merren në përpurthje me atë që thotë ligji zgjedhor. 

Pra, ka mungesë vullneti nga partitë për rregullimin e gjendjes? 

Nuk është vetëm problem shqiptar, por problem edhe i demokracive të konsoliduara. Natyrisht që çështja nuk është kaq problematike. Në fund të fundit këto janë komponentë që nuk determinojnë standardin e zgjedhjeve. Këto probleme në Shqipëri të shoqëruara dhe me probleme të tjera krijojnë një impakt jo pozitiv në standardin e zgjedhjeve dhe në besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. 

NR.EMËRTIMI I PARTISë POLITIKEFONDI QË PËRFITOHET

(LEKë)

1.Partia Demokratike83.582.781

2.Partia Socialiste e Shqipërisë80.677.952

3.Lëvizja Socialiste për Integrim11.688.438

4.Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet7.679.610

5.Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut7.917.610

6.Partia Republikane8.101.610

7.Partia Socialdemokrate352.000

Totali200.000.000

   SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.