Kosova nuk i thotë "stop" Hitlerit

Postuar në 09 Mars, 2012 04:07

Nëse do t'i tekej ndonjë shtëpie botuese të botojë librin e Adolf Hitlerit "Mein Kampf", apo në shqip "Lufta ime", nuk do ta pengonte askush sa u përket parametrave ligjore. Shtëpitë botuese të cilat ekzistojnë në Republikën e Kosovës janë të lira në përzgjedhjen e botimeve, pavarësisht faktit se nëse do të nxisnin urrejtje kombëtare apo ndërkombëtare. Se i kanë duart e lira për botimin e librave të tillë e kanë argumentuar edhe udhëheqësit e disa shtëpive botuese në Kosovë.
Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese "Faik Konica", ka thënë për gazetën Zeri se për këtë çështje më shumë bazohen në anën morale, sepse me ligj nuk pengohen.

"Me ligj nuk ndalohemi që të botojmë këtë apo atë libër. Jemi të lirë në përzgjedhjen e veprave, mirëpo më shumë bazohemi në anën morale. Dhe pikërisht këtë pikë duhet ta kemi parasysh që mos të ringjallim urrejtje", ka thënë Rrahmani, i cili ka shtuar më pas se Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte nuk ka vënë rregull në këtë punë dhe sipas tij edhe nuk do të duhej, por që duhet të kenë kujdes në përzgjedhjen e titujve vetë shtëpitë botuese.

Ndërkohë, se nëse është botuar ndonjë libër deri më tashti që ka pas ndonjë ndikim që ka ngjallur urrejtje apo cënim kombëtar apo ndërkombëtar, Rrahamni ka thënë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
"Ka pasur raste kur është botuar ndonjë libër që ka ngjallur reagime të momentit, por më vonë është kuptuar se ka qenë veprim i drejtë dhe real", ka thënë Rrahmani. Edhe Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese "Buzuku" ka konfirmuar se kjo çështje është individuale dhe mund të bëhet përzgjedhja e librave konform kritereve të një shtëpie botuese.

"Secili ka të drejtë të bëjë përzgjedhjen e titujve, por më pas duhet të përballet edhe me pasojat. Nëse dikush lejon ti hyjë një aventure të tillë është çështje personale. Nuk ka të bëjë shteti me këtë punë", ka thënë Zeneli. Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me ndalimin e librave që nxisin urrejtje disa nga shtetet perëndimore e kanë të ndaluar edhe me ligj, sikurse është rasti i Gjermanisë që e ka ndaluar ribotimin e librit të Adolf Hitlerit "Mein Kapmf", Kosova duket të jetë vend më i hapur në përzgjedhjen e titujve.

Por Shasivar Haxhijaj, këshilltar i ministrit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Memli Krasniqit ka thënë se pikërisht këto defekte të ligjeve që i kanë trashëguar nga periudha e UNMIK-ut i kanë detyruar që të merren me ndryshimin apo plotësimin e ligjeve. Në anën tjetër, për ligjin aktual që ka të bëjë me librin në Kosovë, Haxhijaj ka thënë se ministria i kontrollon vetëm titujt që i financon ky institucion. "Ministria i mbështet shtëpitë botuese të librit të cilat konkurrojnë çdo vit brenda institucionit tonë. Për ato libra jemi përgjegjës pasi i vlerëson edhe komisioni përzgjedhës. Në të kundërtën librat që botohen nga vetë shtëpitë botuese janë përgjegjësi e tyre dhe nuk kemi të drejtë që ti kontrollojmë", ka thënë Haxhijaj. Libri i Adolf Hitlerit "Mein Kampf", që është botuar së fundi në Shqipëri, libër i cili ka ngjallur debate nëse do të duhej të largohet nga tregu apo jo. Dhe për librat e llojit të tillë Republika e Shqipërisë e ka të rregulluara edhe me ligj dhe mund të pengojë qarkullimin e tyre.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.