Koncesionet e fundit të qeverisë “Berisha”, dy zyrtarë të METE-s nën akuzë

Postuar në 15 Janar, 2014 04:34

KALLËZIMI
Përgjegjësit - Nën akuzë janë vënë ish-sekretari i përgjithshëm i METE-s, Dardan Domi, dhe ish-përgjegjësi i Sektorit të Lejeve Koncesionare
Shkeljet - Parregullsi në fazën e publikimit të ftesës për ofertë, ashtu edhe në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit
Veprimet - Janë kryer veprime dhe mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe vendimin e qeverisë për koncesionet

Auditi qershor-shtator 2013 gjen me shkelje dhënien e 14 hidrocentraleve

Janë kontrolluar 14 procedura për dhënien e koncesioneve dhe të gjitha rezultuan me shkelje
Auditi - Në fokus kanë qenë tenderët e zhvilluar në periudhën qershor-shtator të vitit 2013, pra ditët e fundit të qeverisë “Berisha” në pushtet
Sokol Çobo

Dy ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Ekonomisë, janë kallëzuar penalisht në prokurori, për abuzime të rënda me detyrën. Denoncimi është firmosur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili, sapo ka marrë detyrën e ministrit, ka urdhëruar nisjen e një auditi për të gjitha koncesionet energjetike. Në fokus kanë qenë tenderët e zhvilluar në periudhën qershor-shtator të vitit 2013, pra ditët e fundit të qeverisë “Berisha” në pushtet.
Rezultati ka qenë i pritshëm, pasi në këtë periudhë, rreth 14 koncesione janë dhënë në shkelje flagrante të ligjit. Madje, në këtë kohë, pra në grahmat e fundit të pushtetit, ish-mazhoranca do të përpilonte në kohë rekord të gjitha dokumentet për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, nën akuzë janë vënë ish-sekretari i Përgjithshëm i METE-s, Dardan Domi, dhe ish-përgjegjësi i Sektorit të Lejeve Koncesionare.

Kallëzimi

Ministria e Energjisë dhe Industrisë pohon se ka qenë drejtuesi i këtij institucioni ai që ka urdhëruar për një audit të brendshëm. Më pas, është kryer një kontroll i plotë mbi rregullshmërinë e dhënies së koncesioneve për periudhën qershor-shtator 2013. “Në përfundim të auditimit janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, shkelje të cilat përmbajnë elementë të figurave të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim dhe atë të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, pohon Ministria e Energjisë.
Sipas saj, për këto shkelje, raporti i auditimit konstaton se mbajnë përgjegjësi shtetasit Dardan Domi, ish-sekretar i Përgjithshëm në ish-METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës) në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave dhe Andi Cerma, ish-përgjegjës i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike në ish-METE, në cilësinë e kryetarit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve. Për këta dy ish-zyrtarë është kërkuar fillimi i ndjekjes penale për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe atë të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Kontrolli

Auditi investigoi rregullshmërinë për procedurat përzgjedhëse e konkurruese për dhënien me koncesion për 14 hidrocentrale, për të cilat kanë përfunduar procedurat konkurruese dhe janë lidhur kontratat me koncesionarët për ndërtimin e tyre.
“Është evidentuar se sistemi i procedurës konkurruese ka shfaqur mangësi si në fazën e përpilimit dhe të miratimit të dokumenteve standarde të procedurës konkurruese, në fazën e publikimit të ftesës për ofertë, ashtu edhe në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit. Nga auditimi i materialeve të dosjeve të zhvillimit të procedurave përzgjedhëse të 14 koncesioneve të mësipërme, në të gjitha fazat e tyre janë kryer veprime dhe mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe vendimin e qeverisë për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, përfundon ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Tashmë, dosja ka kaluar në protokollin e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka dy javë afat për të vendosur nëse do të fillojë apo jo procedimin penal. Nëse po, atëherë në prokurori do të thirren këta ish-zyrtarë, si dhe firmat që kanë fituar këto koncesione, të dhëna në një periudhë ndërrimi të pushteteve.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.