Kodi Zgjedhor, zbarkon në Tiranë Komisioni i Venecias dhe ODIHR

Postuar në 22 Tetor, 2011 11:59

Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë të hënën e ardhshme, për të shkëmbyer pikëpamjet, në lidhje me legjislacionin dhe praktikën zgjedhore shqiptare.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se "në datën 24 tetor 2011, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto,do të presë në takim delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR, i kryesuar nga sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert".
Në njoftimin për mediat thuhet se "delegacioni i Komisionit të Venecias ndodhet në Tiranë, në një vizitë pune dy ditore. Qëllimi i vizitës është hartimi i një opinioni të përbashkët të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, lidhur me përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri, bazuar kjo në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës".
Edhe në njoftimin e publikuan nga zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri saktësohe se "pas zgjedhjeve lokale, dhe në veçanti pas sfidave të hasura në lidhje me zgjedhjet e fundit për kryebashkiakun e Tiranës, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, më 24 gusht 2011, kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias se "çfarë ndryshimesh duhen bërë në legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në Shqipëri në dritën e përvojës së kohëve të fundit". Opinioni do të hartohet së bashku me OSBE/ODIHR-in".
Sipas këtij njoftimi bëhet e ditur se "delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit, Ministrin e Punëve të Jashtme, përfaqësues të partive politike, autoritete të tjera kombëtare dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të pranishëm në Shqipëri".
Delegacioni përbëhet me përfaqësues të Komisionit të Venecias, z. Pieter Van Dijk – Anëtar, Holland, z Oliver Kask - Anëtar, Eston, z. Konrad Olszeëski - Ekspert, Poloni, z Thomas Markert – Drejtor, Sekretar i Komisionit të Venecias, z Pierre Garrone – Shef i Divizionit të Zgjedhjeve dhe Referendumeve, Sekretariati i Komisionit të Venecias, ndërsa nga OSBE/ODIHR-i do të jenë, z Armin Rabitsch – Këshilltar i lartë zgjedhor, z. Richard Lappin – Këshilltar Zgjedhor, dhe z.Marianna Skopa – Eksperte Ligjore.
Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë bën të ditur se pas kësaj vizite, do të finalizohet një draft-opinio (i përgatitur bashkërisht nga raportuesit e Komisionit të Venecias dhe ekspertët e OSBE/ODIHR-it) dhe të dorëzohet në Komisionin e Venecias për miratim të mundshëm në seancën e saj plenare të dhjetorit 2011, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm.
Ndërsa në fund të vizitës është planifikuar një ndalesë për shtypin, më 25 tetor 2011, në 12:15, në ambjentet e Hotel Rogner.
(d.b/BalkanWeb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.