KLSH kallëzon kreun e Bashkisë së Pogradecit dhe 10 zyrtarë

Postuar në 06 Janar, 2013 03:57

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi është kallëzuar penalisht në organin e Prokurorisë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për abuzime me planin rregullues të qytetit. Pak a shumë për të njëjtat arsye është bërë padi penale për 10 zyrtarë të Bashkisë së Sarandës. Procedurat e kontrollit janë ushtruar në gusht të vitit që shkoi, ku sipas njoftimit zyrtar të KLSH-së u konstatuan një sërë shkeljesh me pasoja të rënda në Bashkinë e Pogradecit. Auditimi i zhvilluar në këtë bashki evidentoi se në zonën e qendrës së qytetit janë dhënë një sërë lejesh sheshi dhe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit të miratuar në KRRTRSH. Gjithashtu, auditimi evidentoi se nga KRRT e Bashkisë Pogradec janë miratuar një sërë studime urbanistike pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike në kundërshtim të hapur me ligjin “Për urbanistikën”. Konkretisht është konstatuar dhënie leje ndërtimi për pistë të shfrytëzueshme në pronë publike (liqen) në kundërshtim me ligjin “Mbi organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore”, cilëson njoftimi zyrtar i KLSH-së. Gjithashtu, nga auditimi i procedurave të prokurimit në këtë bashki janë verifikuar veprime të kundraligjshme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në lekë. Ato kanë të bëjnë me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike, si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i stadiumit dhe ambienteve rreth tij”, për të cilin është skualifikuar pa të drejtë ofertuesi me ofertën ekonomike më të vogël në vlerën 3,429,652 lekë, e cila përbën dëm ekonomik si dhe për sa i përket zgjedhjes së procedurave të prokurimit në kundërshtim me ligjin. Po kështu, nga auditimi kanë rezultuar një sërë veprime të kundraligjshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave të qirasë për ambiente në interes të institucioneve të treta në dëm të interesave të institucionit dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit të parashikuar në ligj. Në total nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit financiar dhe atij që ka të bëjë me zbatimin e kontratave për punë publike dhe taksat në fushën e urbanistikes, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 46,411,128 lekë. Gjithashtu KLSH ka kallëzuar në Prokurori edhe 10 zyrtarë të Bashkisë së Sarandës, për shkak se kanë abuzuar me lejet e ndërtimit dhe me planin rregullues të qytetit. KLSH ka verifikuar se drejtuesit e Bashkisë Sarandë, gjatë viteve 2006-2011 kanë kryer një sërë shitje trojesh, duke u bazuar në vendime të kundërligjshme të Këshillit Bashkiak dhe kanë hartuar në bazë të këtyre kontratave akt-vlerësime për çmimin e trojeve të nënshkruara për 483 persona në shumën e përgjithshme prej 87,970,832 lekësh. Vlerë e cila nuk është kaluar në llogarinë e krijimit të fondit për kompensime për ish-pronarë, por është përdorur në mënyrë të kundërligjshme për nevoja të shpenzimeve të Bashkisë.

 

Mapo 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.