KESH, importi i shtrenjtë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/5093_2_208.jpg?itok=tzNppATY)
Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ëngjëll Zeqo thotë se kriza e energjisë, që ka prekur rajonin, po rrit me shpejtësi cmimet në treg.
"I gjithë rajoni është në një krizë prodhimi për shkak të thatësirës. Situata është e vështirë në të gjithë Europën dhe duke qenë e tillë raporti ofertë-kërkesë bën edhe ndryshimin e cmimit. Duke qenë edhe një kërkesë shumë e madhe ka cuar në rritjen e cmimit, pasi gjithë vendet e rajonit po importojnë", tha Zeqo.
Kreu i KESH-it thotë se kjo nuk e rrezikon furnizimin me energji të vendit, por sjell rritje të faturës që Shqipëria duhet
të paguajë për importin.
"Kjo është e garantuar me kontratën që ne kemi dhe nuk përbën ndonjë rrezik për pjesën e energjisë. Kontratat janë shumë të besueshme, të garantuara dhe pjesa e prodhimit të energjisë garantohet prej prodhimeve të tjera alternative", tha Zeqo.
Qeveria u detyrua të jepte mbështetjen e parë financiare për Korporatën, e cila gjithsesi mjafton vetëm për të mbyllur faturat e këtij fundviti.
"Ne kemi mbështetje për faturat nga qeveria për pagesën e faturave të importit, që i takojnë muajve nentor-dhjetor. Fatura shkon rreth 5-6 miliardë lekë", sqaron Zeqo.
Por kriza nuk përfundon me fundin e vitit. Pasiguritë më të mëdha lidhen me vitin tjetër, ku nëse thatësira vazhdon KESH-it do t'i nevojiten të tjera financime të mëdha.
"Nëse do të marrim këtë nivel cmimesh, nëse do të marrim maksimumin e mundshëm të importit, që ne duhet të bëjmë, kjo kalon në një faturë mbi 100 milionë euro. Ka dy mundësi për të siguruar, nëpërmjet pagesave të CEZ-it dhe mbështetjes se qeverisë për pagesat e këtyre faturave", tha kreu i KESH.
Shqipëria është duke importuar sasi rekord energji deri në 17 milionë kilovat orë në ditë, për të plotësuar nevojat e tregut vendas. Rezervat hidrike janë në pikat më të ulëta, rreth 259 metër në Fierzë, pranë nivelit ku hidrocentrali nuk prodhon më.
top-channel.tv
Add new comment