Katër të vrarë në Korçë, i mohuan lidhjen intime me gruan e martuar

Postuar në 08 Janar, 2014 10:05

Katër persona janë vrarë mbrëmë nga një 39-vjeçar në një fshat të Korçës, duke tronditur rëndë të gjithë zonën, pasi autori pretendonte dashurinë e njërës prej viktimave, së cilës i kishte kërkuar të ndahej nga i shoqi. Viktimat e vrasjes së katërfishtë, respektivisht dy çifte që kishin lidhje farefisnore me njëri-tjetrin, janë ekzekutuar nga Bashkim Latollari, fqinj i tyre në fshatin Gjonomadh të Komunës së Voskopojës, i cili 30 minuta pas krimit të rëndë është dorëzuar te kryeplaku i fshatit, ku ka pritur policinë. Autori i krimit pasionant ishte i njohur për policinë, pasi edhe më parë është akuzuar për vrasje.

Krimi makabër

Bashkim Latollari

Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur rreth orës 20:05, ndërsa vetëm pak minuta më vonë është njoftuar Policia e Korçës, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Nga veprimet e para hetimore është mësuar se ishin vrarë katër persona në dy familje, të cilat jetonin rreth 500 metra larg njëra-tjetrës në një terren malor. Nga të dhënat paraprake u mësua se viktimat ishin çifti Beliman dhe Danjela (Manjola) Meçollari, respektivisht 31 dhe 30 vjeç, dhe çifti tjetër Rexhep dhe Valentina Metellari, respektivisht 59 dhe 53 vjeç, të gjithë banues në fshatin Gjonomadh të Korçës. Nga informacionet paraprake mësohet se çifti i ri është vrarë në sy të dy fëmijëve të mitur dhe janë qëlluar nga jashtë shtëpisë nëpërmjet dritares së banesës. Ndërkohë, çifti i vjetër, ku paraprakisht thuhet se Rexhepi ishte daja i Belimanit, të vrarë edhe ata brenda banesës së tyre, mësohet se është qëlluar nga afër. Të katër viktimat janë transportuar në morgun e qytetit të Korçës dhe nga ekspertiza e kryer ndaj tyre ka rezultuar se janë qëlluar nga e njëjta armë.

Arrestimi i autorit

Përballë katër viktimave në dy banesa në të njëjtin fshat, brenda një kohe të shkurtër, policia ka mundur të identifikojë edhe autorin e krimit, i cili thuhet paraprakisht se ishte strehuar në banesën e kryeplakut të fshatit. Identifikimi i tij nuk ka qenë i vështirë, pasi mësohet se e gjithëzona ishte vënë në dijeni për konfliktin mes autorit të krimit dhe viktimave. Ndërkohë, kryeplaku ka njoftuar policinë dhe uniformat blu kanë shkuar aty për të vënë në pranga autorin Bashkim Latollari, 39 vjeç, i cili është banor i të njëjtit fshat. Ai ka dorëzuar edhe armën e krimit, e cila ishte një pushkë, që prej vitesh e mbante pa leje. Menjëherë, i prangosuri është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës, ku është marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe motivet e saj, ndërkohë që bashkë me të janë shoqëruar edhe disa persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për rrethanat e krimit të rëndë.

Motivi i krimit

Gjatë hetimeve paraprake, nga burime të sigurta policore mësohet se gjithçka ka nisur nga dashuria e mohuar ndaj autorit të krimit nga një prej viktimave, pikërisht Danjela Meçollari. Para oficerit të policisë gjyqësore, ai ka pretenduar se ka pasur një lidhje intime me 30-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve. Për këtë arsye, ai është shprehur se i kishte kërkuar asaj që të divorcohet nga i shoqi dhe të martohet me të, por ajo nuk e ka pranuar një veprim të tillë. Madje, ai është shprehur se për të sqaruar këtë mosmarrëveshje kishin ndërhyrë Rexhep dhe Valentina Metellari, të cilët kanë kërkuar prej tij që të linte të qetë familjen Meçollari. Për këtë ndërhyrje mësohet se tri ditë më parë ka pasur një konflikt në fshat mes Rexhepit dhe Bashkimit, për të cilin janë vënë në dijeni të gjithë banorët. Nisur nga ky konflikt, ai mësohet se ka vendosur të hakmerret, por para se të kryejë këtë veprim kishte qëndruar disa orë në një lokal të fshatit, duke konsumuar alkool. Më pas, ai ka shkuar fillimisht në familjen Meçollari dhe nga oborri, nëpërmjet një dritareje i ka qëlluar burrë e grua, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe dy fëmijët e tij. Më pas, ai ka shkuar me vrap, rreth 10 minuta rrugë malore, në banesën e familjes Metellari. Ai ka hyrë brenda dhe ka qëlluar me të njëjtën armë çiftin tjetër.

Masat e policisë

Megjithatë, sot pritet që të jepen detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje tragjike me katër të vrarë, që ka tronditur mbarë opinionin publik, në këtë fillimviti. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër krim i rëndë ndodhi në Vlorë, ku një person mbeti i vrarë, ndërsa dy të tjerë u plagosën pas një konflikti për një mosmarrëveshje për shkak të qirasë. Krimi i mbrëmshëm ka ngritur në këmbë të gjithë Policinë e Korçës, e cila ka marrë masa për mbajtjen nën vëzhgim të fshatit të Komunës së Voskopojës, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme mes fiseve të përfshira në këtë ngjarje tragjike.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.