Kallëzim tjetër për Arben Imamin

Kallëzim tjetër për Arben Imamin
30/01/2014
Pas kallëzimit të mëparshëm që është ende në verifikim nga prokurorët, për ish-Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami kërkohen hetime të tjera, por këtë herë jo për cështje reklamash, por për afera në fushën e demontimit të armëve deri tek kalimi i Klubit Partizani nën pronësi të Uzinës së Mjekësit.
Ish-ministri Imami, sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme është kallëzuar këtë të enjte së bashku me ish-drejtorin e Fabrikës së Lëndëve Plasëse në Mjekës, Daniel Karanxha për vepra të shpërdorimit të detyrës, shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti dhe shkelje të barazisë në tendera.
Top Channel ka mundur të sigurojë një kopje të kallëzimit që shoqërohet nga dokumentet referuese për cdo fragmenti.
Episodi i parë i shkeljeve të pretenduara ka lidhje me auditimin e kryer në uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës, nga ku rezulton se për periudhën 2011-2013 janë realizuar 7 procedura ankandi publik për shitjen e skrapit në uzinat Gramsh, Poliçan dhe Mjekës, në një kohë që për 5 prej tyre janë konstatuar shkelje të cilat i kanë kushtuar shtetit në total dëmin ekonomik prej 136 654 081 lekë.
I gjithë procesi për shitjen e skrapit është zhvilluar brenda një dite në të cilën ka dalë urdhri për komisionin e testimit të tregut, ka dalë procesverbali i testimit dhe urdhri i ministrit për ankandin në fjalë. Në kallëzim denoncohet se ministri ka vepruar në kundërshtim me rregulloren e Ministrisë dhe vendimin e Këshillit të Ministrave numër 138 të datës 14 mars 2007, i njohur edhe si VKM-ja e Gërdecit, që përcakton qartë procedurat e shitjes dhe strukturën e specializuar brenda Ministrisë së Mbrojtjes, që merret me procedurat e shitjes së materialit ushtarak që është demontuar dhe nxjerrë nga përdorimi.
Në rastin konkret është anashkaluar VKM-ja në fjalë dhe Drejtoria e Prokurimeve dhe Ankandeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ministri ia ka deleguar këto të drejta Uzinës së Mjekësit, e cila me ligj ka detyrë vetëm trajtimin e materialit ushtarak, por jo shitjen e tij.
Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes numër 670, datë 21/04/2011, është realizuar shitja e 7519.29 ton skrap të llojeve të ndryshme. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes me shumën prej 75 141 842 lekë.
Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, numër 1374, datë 29/08/2011, është realizuar shitja e 4504.62 ton skrap. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes në shumën prej 35 032 763 lekë.
Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes numër 2022, datë 20/11/2012, është realizuar shitja e 4264.31 ton skrap. Auditimi argumenton dëmin që i është shkaktuar Ministrisë së Mbrojtjes në shumën prej 1 143 321 lekë.
Një tjetër shkelje e konsideruar e rëndë nga hartuesit e kallëzimit penal është edhe mënyra sesi është kryer shitja në Bullgari e 500 tonëve lëndë plasëse tritol, e realizuar po nga Uzina e Mjekësit, me blerës një shoqëri shqiptare. Në këtë proces ka shkelje të udhëzimeve mes të cilave përsëri fakti që Uzina e Mjekësit nuk është e specializuar të ekportojë duke qenë se e drejta për trajtimin e materialit ushtarak i takon ndërmarrjes MEICO dhe se blerësi fillimisht duhej të autorizohej për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarakë.
Konkretisht, shitja është kryer përpara se firma që bleu 500 tonë tritol për rishitje në Bullgari të merrte aprovimin nga Agjensia Kombëtare e Eksporteve Ushtarake. Po kështu, për shitjen e lëndës plasëse, çmimi prej 450 dollarë për ton është përcaktuar mbi bazën e kërkesës së blerësit pa kontrolluar tregun dhe se çmimi përfundimtar i shitjes me 600 dollarë, i aplikuar nga firma shqiptare për blerësin në Bullgari, pa përpunuar mallin ka favorizuar blerësin duke nxjerrë nga loja ndërmarrjen MEICO.
Për këtë shkelje, në kallëzim thuhet se mban përgjegjësi ish-drejtori i Uzinës, Daniel Karanxha, ish-ministri Imami së bashku me ish-drejtorin e Mjekësit shihen përgjegjës edhe për kalimin nën pronësi të Uzinës së Mjekësit të Klubit Sportiv Partizani, në bazë të një procesi të papërcaktuar në kuadrin ligjor.
Përfshirja e aktiviteti sportiv, thotë kallëzimi, në aktivitetin e Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës, bie në kundërshtim me ligjet për ndërmarrjet shtetërore të cilat kanë si qëllim realizimin e fitimit dhe shtimin e pasurisë, në kohë që për periudhën tetor 2011-korrik 2012 për Klubin Sportiv Partizani janë shpenzuar 3 milion e 700 mijë lekë.
Në auditim janë gjetur shkelje edhe për procedurën e prokurimit për realizimin skenografik 3D të një koncerti të trashëgimisë shpirtërore shqiptare në kundërshtim me ligjet për buxhetin. Janë 11 mln lekë që i janë marrë ndërmarrjes MEICO dhe janë prokuruar nga Uzina e Mjekësit, ndërkohë që prokurimi i saj është i paligjshëm, pasi kjo uzinë nuk prokuron fonde për koncerte, por administron fondet.
Episodi i fundit që flet për shkeljet ka lidhje me 6 procedurat e sponsorizimit me një vlerë prej 3.6 mln lekë, ndërkohë që edhe këtu uzina del jashtë kompetencave të saj. Kallëzimi thotë se sponsorizimet janë kryer nga fondi rezervë për ndihma sociale, i cili si rregull përdoret për fatkeqësi ose sëmundje për punonjësit e ndërmarrjes.
Në total sipas kallëzimit të dorëzuar nga Ministria e Mbrojtjes, dëmet që i janë shkaktuar shtetit nga shitja e skrapit, sponsorizimet dhe procedurat e tenderimit të uzinës së mjekësit arrijnë në 1.6 mld lekë, ose 1.2 mln euro.
Top channel
Add new comment