Këshilli Mbikëqyrës, Komisioni i Ekonomisë "OK" Fullanit
Komisioni i Ekonomisë miraton vetëm me votat e mazhorancës kandidaturat e Ardian Fullanit, Elizabeta Gjonit dhe Petraq Milos në krye të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Miratimi i tyre ka ardhur pas dy orësh mbledhje ku nuk kanë munguar debatet, por edhe akuzat nga ana e opozitës. Gjatë mbledhjes së komisionit opozita ka kundërshtuar kandidaturën e Fullanit, duke e akuzuarpër njëanshmëri politike, ndërsa dy kandidaturat e tjera e kanë kaluar më lehtë përballjen në komision, edhe pse nuk kanë marrë votat e opozitës.
Opozita është tërhequr nga votimi me pretendimin se votimi do të bëhet në sallën e Kuvendit. Gjatë mbledhjes opozita shfaqi preferencën e saj për kandidaturën e Elisabeta Gjonit. Deputetja Kodheli deklaroi se bëhet fjalë për një seancë dëgjimore ndërsa shtoi se “Kandidaturat duhet të miratohen në parlament”.
BRACE: GUVERNATORI I NDIKUAR POLITIKISHT, FULLANI MOHON AKUZAT
Kur kanë kaluar më shumë se 1 orë nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, nuk kanë munguar as debatet. Deputeti i PS-së Erjon Brace ka lëshuar akuza ndaj Guvernatorit Fullani. Ai e ka deklaruar se figura e Fullanit është e ndikuar politkisht, duke e akuzuar se ka ndihmuar qeverinë me para, në një kohë që ligji se lejon.
“Ju kredituat ekonominë me blerjen e Hotel Dajtit. Keni ndihmuar qeverinë me para, në një kohë që ligji e ndalon. U dhatë shpërblime anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, shpërblime të njëjta me ato të deputetëve”, deklaroi Brace.
Deputeti i majtë e akuzoi më tej Fullanin, se nuk ka paralajmëruar asnjëherë vendin për krizën ekonomike.
Pas tij Kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka thënë se deklarimet e deputetit të opozitës janë të pavërteta, ndërsa i kujtoi Braces që “opozita prej 4 vitesh nuk ka qënë në deklarimet e BSH-së”. Fullani shtoi se ai është i vetmi “guvernator që nuk vjen nga politika”.
FULLANI: EKONOMIA PËRBALLOI KRIZËN
Guvernatori aktual Fullani prezantoi para komisionit karrierrën e tij në krye të institucionit të Bankës së Shqipërisë, ku thekson se gjatë drejtimit të tij “Banka e Shqipërisë ka ruajtur stabilitetin e çmimeve”. Mesatarja 7-vjecare e inflacionit, theksoi Fullani është 2.7 %, ndërsa kredia për ekonominë është 7-fishaur. Kreu i BSH e vuri theksin tek sistemi banker, i cili sipas tij është solid pasi përballoi krizën ekonomike.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komision për borxhin, Fullani nënvizoi se “Borxhi nuk duhet të kalojë 60% dhe për këtë gjatë dy viteve të fundit janë ulur shpenzimet”. I pyetur për rritjen e kredive të këqia, Guvernatori u shpreh se “ky është një efekt mbarëbotëror”, prandaj këshilloi nxitjen e konsumit dhe kreditimit.
KODHELI: PËRZGJEDHJA E KANDIDATURAVE NGA QEVERIA PA KONKURRENCË
Përfaqësuesja e Partisë Socialiste në këtë komision Mimi Kodheli, u shpreh që në nisje të mbledhjes se ka shumë rëndësi përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.
Duke deklaruar se ekonomia shqiptare vuan nga mungesa e shifrave, Kodheli tha se nevojiten institucione të pavaruara, ndërkohë që akuzoi qeverinë se “kandidaturat e përzgjedhura prej saj janë bërë pa konkurencë”.
KOMISIONI I EKONOMISË SHQYRTON KANDIDATURAT E QEVERISË NË BORDIN E BSH
Ka nisur rreth orës 18:15 mbledhja e Komisionit të Ekonomisë në Kryesinë e Kuvendit. Pritet që gjatë kësaj mbledhje të shqyrtohen kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të propozuara nga kryeministri Berisha. Ato janë: Guvernatori aktual i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Elizabeta Gjoni, drejtuese e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Petraq Milo, këshilltari i kreut të qeverisë për ekonominë.
Kujtojmë se, 5 prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të propozohen nga Kuvendi, 3 nga Këshilli i Ministrave dhe 1 nga Këshilli Mbikëqyrës.
Balkanweb.com
Add new comment