KËRCËNIME JOSHQETËSUESE

Postuar në 18 Janar, 2013 04:16

 

Në PDK nuk i kanë marrë seriozisht kërcënimet e AKR’së se do të tërhiqet nga Qeveria nëse nuk u kthehet Ministria e FSK’së. Adem Grabovci u shpreh i bindur se Behgjet Pacolli nuk e lëshon koalicionin. Agim Çeku ia lëshoi karrigen e tij të deputetit një pasuesi nga AKR’ja, kur u emërua Ministër. Por, përveç kësaj, tash AKR e dëshiron edhe Ministrinë që ai drejtoi për dy vite.

Raportet mes partnerëve të koalicionit aktual qeverisës, PDK’së dhe AKR’së, kanë hyrë në një fazë të vështirë pas tërheqjes së Agim Çekut nga Partia Socialdemokrate dhe mundësisë që ai t’i bashkohet partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi.

Behgjet Pacolli e përjetoi rëndë këtë hap dhe publikisht i kërkoi Kryeministrit që ta shkarkojë Agim Çekun dhe Ministria që ai e drejton, ajo e Forcës së Sigurisë, t’i kthehet Koalicionit për Kosovën e Re.

Agim Çeku kishte konkurruar në zgjedhjet e fundit nën siglën e KKR’së, koalicion ky i udhëhequr nga Pacolli. Ai kishte arritur të zgjidhej deputet dhe pas lidhjes së koalicionit qeverisës me PDK’në, ai liroi vendin e deputetit për një pasues të tij nga AKR’ja dhe u emërua Ministër i Forcës së Sigurisë.

Pavarësisht se AKR ka një deputet në Parlamentin e Kosovës si pasojë e tërheqjes së Çekut, ata insistojnë se Ministria u takon atyre.

Madje, zyrtarë të kësaj partie janë deklaruar se nëse kjo nuk ndodh, atëherë ata tërhiqen nga Qeveria.

Por, këto kërcënime duket se nuk i marrin seriozisht në PDK.

“Jam i bindur se deputetët e AKR’së dhe të Koalicionit për Kosovën e Re do të vazhdojnë të mbështesin koalicion aktual qeverisës”, ka thënë të enjten Adem Grabovci, Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së.

Një përgjigje ndaj tij dha Myzejene Selmani, Shefe e Grupit Parlamentar të AKR’së.

“Ne qëndrojmë plotësisht prapa asaj që kemi thënë në reagim. Kërkojmë që marrëveshja e koalicionit të respektohet plotësisht”, tha Selmani për Express.

Më i drejtpërdrejtë ishte Ibrahim Makolli, Nënkryetar i AKR’së.

“Kryeministri Thaçi tashmë nuk ndodhet në Kosovë dhe pas kthimit të tij, ne do ta shqyrtojmë pozicionin e koalicionit”, ka thënë Makolli.

Këto zhvillimi ndodhin në kohën kur AAK iu ka afruar PDK’së dhe mundësia e lidhjes së një koalicioni mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt automatikisht nxjerr nga loja Behgjet Pacollin.

Një zyrtar i lartë i AKR’së i ka thënë të enjten Gazetës Express se në rast që PDK nënshkruan koalicion qeverisës me AAK’në, Behgjet Pacollit tërhiqet nga Qeveria.

“Nëse ndodh, po, do të dalim, s’kemi pse të rrimë e kemi thanë edhe më herët”.

Mirëpo, krejtësisht komod ndaj një mundësie të tillë është shfaqur vetë lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli. Ky i fundit tha ditë më parë për Express se nuk do të ketë ndryshime as në koalicion qeveris e as në AKR.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.