Janar, administrata pa para, s’është derdhur rroga e dhjetorit

Pagesa duhet të hidhej më 1 janar, thesari përgjigje negative
Buxhetorët, të njohur ndryshe si punonjës të administratës, nuk kanë tërhequr pagën e muajit dhjetor, edhe pse sot, data shënon 8 janar. Në muajin dhjetor, ata kanë tërhequr shpërblimin e fundvitit 9 mijë lekë të reja, ndërsa nuk kanë mundur dot të marrin paratë e muajit dhjetor në janar të vitit të ri.
Janë rreth 88 mijë buxhetorë në të gjithë vendin. Në këtë listë përfshihen punonjës të administratës, mësues, mjekë, infermierë, profesorë, punonjës të institucioneve të arsimit të lartë, nëpunës të cilët punojnë në ndërmarrjet shtetërore. “Zakonisht, paratë na i hedhin në llogarinë bankare më datën 1 të çdo muaji, por në rast se është fundjavë, atëherë paratë hidhen në datën 3”, sqaruan punonjësit e administratës. Sipas tyre, buxhetorët janë rikthyer në punë pas festave më datën 3 janar. Kanë bërë pushimin e fundjavës dhe janë rikthyer në punë ditën e hënë, ndërsa kanë kontrolluar në bankomat llogarinë, u ka rezultuar pa pagën e muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Problemet
Dje rreth mesditës, në ambientet e Kryeministrisë ka mbërritur për takim me kreun e qeverisë, ministri i Financave Ridvan Bode. Burime nga Kryeministria kanë sqaruar se takimi lidhet pikërisht për të diskutuar situatën aktuale për sa u takon pagesave të buxhetorëve, ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë për personat me aftësi të kufizuar e invalidë.
Sipas Ministrisë së Financave, kreu i dikasterit Bode ka autorizuar Thesarin që të çelë fondet dhe të bëjë gati procedurat për shpërndarjen e parave në bankat përkatëse për çdo institucion, ndërkohë që në komunikimin që përfaqësues të Thesarit kanë pasur me dikasteret, ka sqaruar se nuk është në gjendje të nisë veprimet për shpërndarjen e fondeve.
Thesari nuk ka qenë në gjendje t’u japë rrogat buxhetorëve edhe pas kërkesës që kanë bërë institucionet më datën 3 janar kur ka nisur punë administrata pas pushimeve të fundvitit.
Procedura
Si rregull, çdo fillim muaji, institucionet paraqesin në Thesar kërkesat e tyre për fonde, bëjnë planifikimin për nevojat që kanë për të përthithur paratë e nevojshme, ndërkohë që më pas Thesari bën çeljen dhe lëvrimin e fondeve në bankat respektive.
Sakaq, pritet që situata e bllokuar me nisjen e vitit të ri të zgjidhet në ditët në vijim, ndërsa buxhetorët që punojnë në institucione çdo ditë, do të bëjnë verifikimin nëse në llogaritë e tyre janë hedhur paratë e punës të muajit dhjetor. Për shkak të shpenzimeve, festave të fundvitit, por edhe ditëve të pushimit, buxhetorët presin me padurim të tërheqin rrogën e një muaji më parë.
SHQIP
Add new comment