Invalidët letër Topit: Mos dekreto ligjin

Postuar në 27 Mars, 2012 05:57

Shoqata e të Verbërve dhe Shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë i kanë dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet së cilës i bëjnë thirrje për të mos dekretuar ndryshimet e bëra në projektligjet “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar”.

Nëpërmjet letrës, ata argumentojnë edhe arsyet e kësaj kërkese, duke e vënë theksin tek të drejtat që kanë personat me aftësi të kufizuar, si dhe tek shkeljet kushtetuese. “Me anë të këtyre projekt-ligjeve, synohen të bëhen ndryshime në disa të drejta të njohura këtyre grupeve, siç janë e drejta për transport publik urban falas dhe interurban me gjysmë çmimi, si edhe e drejta për rimbursimin e faturave të konsumit të energjisë elektrike dhe të telefonisë fikse, duke propozuar që masa dhe procedurat e rimbursimit të mos vazhdojnë të rregullohen në këto ligje specifike por vendimmarrja për to do t’i delegohet Këshillit të Ministrave. Miratimi i ndryshimeve të tilla në një shtet të së drejtës është i papranueshëm, pasi përbën cenim të disa parimeve thelbësore të tij. Një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës është parimi i sigurisë juridike. Ky parim presupozon besueshmërinë e qytetarëve te shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara”,- shkruhet në letrën drejtuar presidentit.

Gjithashtu, në letrën e gjatë prej tre faqesh theksohet se ndryshimet e propozuara në statusin e personave të verbër dhe para e tetraplegjikë përkeqësojnë gjendjen e mëparshme, duke rritur pasigurinë dhe shqetësimin e kësaj kategorie për të ardhmen e të drejtave të tyre. “Kjo pasiguri dhe pamundësi për të parashikuar masën dhe procedurat për realizimin e të drejtave të tyre, përbën humbje të standardit të fituar dhe çon në përkeqësim të jetesës së qytetarëve paraplegjikë, tetraplegjikë dhe qytetarëve të verbër në Shqipëri”, - vijon letra. Duke argumentuar edhe shkeljet e tjera nga ana kushtetuese, këto shoqata i kërkojnë Presidentit të Republikës rikthimin për rishqyrtim në parlament të projektligjit, si e vetmja mundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

 

Ballkanwe.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.