Ikën Dule, zbardhen emrat e 26 partive të koalicionit të PS-së

Opozita mbledh koalicionin me 26 parti, me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 23 qershorit. Për herë të parë, Edi Rama bëri bashkë dje në PS kryetarët e 26 partive (të gjitha jo parlamentare) në një tryezë, ku formalisht u shënua lindja e koalicionit opozitar. Pjesëtarët e koalicionit thanë dje se është e sigurt që numri i partive do të jetë 30 të tilla, pavarësisht se ishin 26 së bashku me PS. Gjëja e parë që binte në sy në takimin e djeshëm ishte numri i madh i partive që do të përbëjnë trenin elektoral të opozitës, në krahasim me koalicionin e 2009-ës, ku ishin vetëm pesë parti. Lajmi i dytë në takimin e djeshëm ishte mungesa e kreut të Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, emri i të cilit deri para 10 minutash të fillimit të mbledhjes ishte në tryezën e rrumbullakët. PBDNJ do të ishte partia më e rëndësishme në tryezën e opozitës, pasi është e vetmja që ka deputet mes 30 partive të koalicionit, por edhe sepse ka anëtarë që nga KQZ e deri në komisionet e bazës (KQV). Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo ka qëndruar vetëm 10 minuta në mbledhje, pasi kishte një tjetër takim në axhendë. Për 80 minuta, përfaqësuesit e partive opozitare kanë diskutuar lidhur me shtimin e numrit të partive që janë pjesë e këtij koalicioni, por edhe me çështje të rëndësishme që lidhen me fushatën elektorale dhe zgjedhjet e 23 qershorit. Një tjetër pritshmëri dje në tryezën e opozitës kishte edhe për Aleancën Kuq e Zi. Mësohet që në mbledhje nuk është përmendur fakti i një koalicioni me AK, por burime të sigurta flasin për një marrëveshje, e cila pritet që të nënshkruhet së shpejti. Lidhur me pritshmërinë e rritjes së numrit të partive që do të jenë në koalicion me PS-në, kreu i PSV 91, Petro Koçi theksoi se “riaktivizimi i koalicionit me rreth 30 parti është mjaft i mirë për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me objektivin për të fituar zgjedhjet”. Në zgjedhjet e 2011-ës në koalicion me PS-në kanë qenë 23 parti të vogla.
Marrëveshjet dypalëshe
Nuk bëhet fjalë që Partia Socialiste do të nënshkruajë një marrëveshje me të gjitha partitë përnjëherësh që janë pjesë të koalicionit. Është zgjedhur që të jenë marrëveshje bilaterale të PS-së me secilën nga partitë pjesëmarrëse në koalicion. Mësohet se kriteri për këto marrëveshje do të jetë “në bazë të kontributit dhe meritës së gjithsecilit”. Kjo skemë pak a shumë është e ngjashme me atë që ka përdorur Berisha me anëtarët e koalicionit të tij. “Ndarja e pushtetit” do të bëhet në bazë të votave që merr në zgjedhje. “Marrëveshja me secilin prej jush do të bëhet në bazë të kontributit dhe të meritës së gjithsecilit”, – mësohet të jetë shprehur Rama në takim kur është folur mbi marrëveshjen.
Partitë
Në krahasim me zgjedhjet e 2009-ës, koalicioni i cili pritet të krijohet është shumë më i madh. Atëherë ishin vetëm pesë të tilla. Por në këtë numër të madh emrat e njohur janë sërish pak. Kështu, përveç Gjinushit me PSD, Milos me PDS, Petro Koçit me PSV91, Ngjelës me PDL, Metës me G99, Kojës me PSM, partitë e tjera mund të konsiderohen “parti të vogla të dorës së dytë). Duket qartë se synimi i Ramës dhe PS-së është bërja e një koalicioni sa më të madh dhe thithja e çdo vote sipas karakteristikave të Kodit Zgjedhor.
MAPO
Add new comment