Holanda shuan ëndrrën shqiptare: Shqipëria, jo gati për statusin

Ministri i Jashtëm i Holandës, Timermans, shprehet se vendi tij kërkon kohë dhe prova konkrete
Ekstremistët - Partitë ekstremiste të Holandës theksuan në komisionin parlamentar se anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike është një problem dhe po kështu, raporti tejet negativ i “Transparency International” për çështjen e korrupsionit.
Gjermania - Ndër vendet që nuk e kanë vendosur përfundimisht është edhe Gjermania. Sipas burimeve, ky shtet shpreh habinë e koalicionit PS-LSI
Detaje
Rezoluta - Parlamenti Europian e ka miratuar rezolutën e paraqitur, në të cilën kërkohet që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE
Statusi - Shqipëria është një nga vendet e pakta të rajonit që ende nuk e ka marrë statusin. Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, prej kohësh e kanë atë
Renditja - Shqipëria renditet mes vendeve si Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, të cilat ende nuk e kanë këtë status që kërkohet prej tre vitesh
Data - Në datën 17 dhjetor do të marrë fund dhe pritja e shqiptarëve për të mësuar nëse statusi i vendit kandidat do të mund të merret këtë vit
Vetoja - Statusi bllokohet, nëse një nga 28 vendet anëtare të BE të mos jetë dakord. Këshilli i Ministrave të BE-së funksionon me të drejtën e vetos
Fatjona Mejdini
Holanda mund të prishë ëndrrën e Shqipërisë për marrjen këtë vit të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timermans, ka deklaruar dje në Hagë në një mbledhje të Komitetit Parlamentar për Çështjet Europiane se ai ka nevojë për më shumë kohë, për të vlerësuar nëse qeveria e re do t’i bëjë realitet premtimet që ka dhënë, kryesisht ato në luftën kundër korrupsionit. Por në kushtet kur “Jo” e Holandës mund të jetë e vetmja mes 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm i këtij vendi, theksoi se në ditët në vijim do të ketë negociata me vende si Danimarka, Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat gjithashtu kanë një mendim të lëkundur për marrjen e statusit nga Shqipëria.
Holanda
Ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timermans, ndërkohë që në Komitetin Parlamentar për Çështjet Europiane po diskutohej për paketën e zgjerimit të Komisionit Europian, deklaroi se Shqipëria nuk e meriton për momentin statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ai tha se Holanda, ashtu si dhe vendet e tjera, nuk kanë dyshime mbi faktin se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Europë, por progresi nga këto vende që aspirojnë integrimin duhet të jetë më i madh. Ai shtoi se vendimi për dhënien e statusit është një vendim i pastër politik. “Çështja është a duam ta bëjmë atë gjest politik e t’u themi: tani jeni vend kandidat? Për t’jua dhënë këtë status, duhet të shohim çfarë kushtesh i kemi caktuar Shqipërisë dhe si i ka plotësuar Shqipëria ato kushte, zgjedhjet, korrupsioni, e kështu me radhë. Po të vijoj me pyetjen a ka ecur mirë zbatimi i kushteve, atëherë përgjigjja ime është: ‘Hmmm, për këtë, unë kam nevojë për kohë, sepse në një kohë kaq të shkurtër, nuk mund ta vlerësoj progresin e zbatueshmërisë. Këtë ia kam shprehur edhe Kryeministrit shqiptar: duhet të na tregosh që edhe zbatimin mund ta bësh realitet, por për këtë na nevojitet kohë. Ky është qëndrimi i qeverisë holandeze’”, theksoi ai në mënyrë të prerë. Sipas tij, qeveria e re e Shqipërisë po punon mirë, por merr hapa të duhur, por është e nevojshme që të lihet kohë në mënyrë që ndryshimi të mund të jetë i prekshëm. Por sipas tij, edhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian kanë dyshime në lidhje me dhënien e statusit Shqipërisë, ndaj është mirë që këto vende të bëhen bashkë për t’i thënë vendit tonë ‘jo tani’. “Për këtë temë, qëndrimi i Holandës nuk është i vetëm para Këshillit. Në dijeninë time, edhe disa vende të tjera kanë të njëjtin qëndrim si ne, pra duam t’ua japim statusin, po jo tani. Na nevojitet një kohë e caktuar për të vlerësuar ecurinë, për të vlerësuar premtimet që do të zbatohen, pra, po e shtyjmë statusin. Këtë qëndrim mund ta paraqes para Këshillit në dhjetor”, tha ai.
Të lëkundurit
Sipas burimeve të Top Channel, një qëndrim të ngjashëm me holandezët mban dhe Danimarka. Britania e Madhe duket më e lëkundur dhe sipas burimeve, megjithëse nuk ndihen zyrtarisht, gjermanët kanë vështirësi të kuptojnë koalicionin e ri qeverisës, PS-LSI, ndërsa për Francën, pakënaqësitë lidhen me numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë. Të gjitha këto vende mund të krijojnë një bllok të rëndësishëm kundër marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria këtë dhjetor.
Bisedimet
Bushati i telefonon homologut Hague
Diplomacia shqiptare është e fokusuar në këto momente në parandalimin e formimit të një blloku vendesh, të cilat do të bënin të mundur mosmarrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Burime të “Top Channel” kanë mësuar se gjatë ditës së enjte, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me homologun britanik, Uilliam Hague. Nuk dihen shumë detaje të bisedës mes tyre dhe cili ka qenë qëndrimi i ministrit të Jashtëm britanik, ndërsa shefi i diplomacisë shqiptare duket se ka përsëritur qëndrimin se Shqipëria ka plotësuar kushtet e vëna nga Këshilli Europian një vit më parë për marrjen e statusit. Ndërkaq, pak javë më parë në Londër, ishte për një vizitë të posaçme dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Ai zhvilloi një takim me homologun e tij, Dejvit Kameron, ku, mes të tjerash, u fol dhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë. Një tjetër lidhje me Britaninë e Madhe është dhe fakti se ish-kryeministri anglez, Toni Bler, është zyrtarisht një këshilltar i qeverisë shqiptare. Prej javësh ka nisur një ofensivë diplomatike e ministrave Bushati, Gjosha dhe Tahiri me qëllim për të bindur shtetet skeptike të BE-së për dhënien e statusit Shqipërisë. Ata kanë kërkuar pranimin e kërkesës së Parlamentit Europian për dhënien e statusit, duke i siguruar për vijimin e reformave të mëtejshme.
Shqip
Add new comment