Hiqet TVSH për ilaçet, 7 lekë për litër më shumë për karburantet

Postuar në 03 Dhjetor, 2013 08:30

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mbi ilaçet pritet të bëhet zero në fillim të janarit të vitit që vjen. Ky është premtimi i vetëm në lidhje me uljen e taksave që qeveria socialiste do të aplikojë në këtë paketë fiskale për TVSH-në, porse pritet të ketë rritje të ndjeshme në taksën e makinave dhe të karburanteve.

TVSH-ja për ilaçet, zero

Teorikisht, në fillim të vitit që vjen çmimet e ilaçeve duhet të jenë së paku 10 për qind më lirë pasi të ketë hyrë në fuqi ndryshimi ligjor për heqjen e TVSH-në në tregtinë e barnave. Ministria e Financave ka parashikuar të marrë këtë masë, por nga ana tjetër nuk ka siguri se çmimet në treg do të ulen. Për shkak se tashmë në tregjet shqiptare ka një praktikë të tillë që kur rriten taksat, çmimet rriten menjëherë, por kur taksat ulen, nuk ndodh kurrë që të ulen edhe çmimet. Që nga viti 2010, kur qeveria ‘Berisha’ vendosi TVSH-në prej 10% mbi barnat, çmimet e tyre janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që nga ana e tij ka reaguar duke ulur konsumin. Ndonëse kur u vendos TVSH-ja e ilaçeve prej 10% u tha se kjo ishte një masë për të luftuar abuzimet dhe informalitetin te shpërndarësit e mëdhenj, çka do të disiplinonte tregun pa rritur çmimet, në fakt ka ndodhur e kundërta. Që nga viti 2010 ato janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që nga ana e tij ka reaguar duke ulur konsumin. Në Shqipëri, tregu i ilaçeve mbulohet nga importi mbi 95 për qind dhe sipas përllogaritjeve nga operatorët, konsumi i produkteve farmaceutike për frymë në Shqipëri është rreth 60 euro vit, një nga më të lartit në Europë.

Karburantet, taksa shtesë 7 lekë për litër

Të gjitha qeveritë kur janë zënë ngushtë për të rritur të ardhurat në buxhet, u “turren” taksave të karburanteve dhe të makinave. Taksimi mbi karburantet do të rëndohet së paku me 7 lekë për litër, duke rrezikuar që çmimi për një litër naftë t’i afrohet 2 mijë lekë të vjetra. Në draft-paketën fiskale, Ministria e Financave ka parashikuar që të rrisë taksën e ndotjes në 14 lekë për litër nga 7 lekë që është aktualisht. Ndërkohë që për makinat do të rikthehet taksimi që favorizon automjetet me kilometrazh zero, siç kanë kërkuar koncesionarët. Ministria e Financave, për shkak të ndjeshmërisë që ka taksa e makinave në publik, nuk ka arritur ende në variantin përfundimtar. Por burimet brenda dikasterit theksojnë se pritet të rikthehet skema e vjetër e rritjes së taksës së importit të makinave të vjetra.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.