Hagë, Ojdaniç pranon krimet ndaj shqiptarëve

Gjykata e Hagës ka bërë të ditur se ish-gjenerali serb i ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniç, ka pranuar dënimin prej 15 vjetësh burgim, për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.
“Shpreh keqardhjen time të sinqertë për të gjithë ata që kanë vuajtur nga sjellja për të cilën jam dënuar”, ka thënë Ojdaniç, i cili ka tërhequr apelin e tij për aktgjykimin e shkallës së parë, të shqiptuar më 26 shkurt të vitit 2009.
Më tërheqjen e apelit ndaj vendimit, i cili e ka bërë fajtor për dëbim të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Kosova, Ojdaniç ka pranuar veprën e kryer, për të cilën është akuzuar së bashku me gjashtë zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të Serbisë.
“Pranoj plotësisht të gjitha gjetjet në gjykim. E gjitha çfarë më mbetet është të kryej dënimin”, ka deklaruar Ojdaniç.
PANORAMA
Add new comment