Greqi, gjykata: Greva e doganave e paligjshme
Gjykata e Athinës cilësoi të paligjshme grevën e Doganave, një cështje që u dërgua në gjykatë nga ministria greke e Ekonomisë.
Punonjësit e doganave filluan një grevë dje në mëngjes dhe thanë se do ta vazhdojnë atë 10 ditë, deri në datën 24 tetor.
Sot pritet që federata e punonjësve të doganave të mblidhet për të vendosur formën e ardhshme të protestës tani që greva u shpall të paligjshme.
Ndërkohë Ministria e Zhvillimit njoftoi vënien e një tavani në çmimin e karburantit, në mënyrë që të shmangen rritjet e pajustifikuara të çmimeve dhe spekulimet edhe për shkak të kësaj greve.
Greva e doganierëve grekë ka pezulluar lëvizjen në të gjitha vendkalimet kufitare që lidhin Greqinë me Shqipërinë e Maqedoninë. Kjo është hera e parë që është mbyllur krejtësisht kufiri për të gjitha makinat, pasi më parë,gjatë grevave të mëparshme, doganierët e Greqisë, kishin lejuar kalimin e automjeteve gjatë një ore.
Në pikat kufitare lejohet vetëm kalimi i këmbësorëve.
(s.g/balkanweb)
Add new comment