Greqi, dëmshpërblimi për luftën, Berlini: Çështja s'ekziston më

Berlini bën të qartë qëndrimin e tij, se “nuk ekziston tashmë cështja” e dëmshpërblimeve gjermane të luftës ndaj Greqisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi në deklaratën e saj për Agjencinë e Lajmeve të Athinës thotë se “Gjermania pranon përgjegjësinë e saj për Luftën e Dytë Botërore dhe shpreh keqardhjen e thellë për vuajtjet e viktimave”, duke shtuar se Gjermania ka paguar tashmë dëmshpërblimet në kuadrin e Marrëveshjes së 1946-s dhe ka mbështetur në mënyrë aktive edhe rindërtimin e Greqisë.
“65 vjet pas Luftës dhe pas dekadave të bashkëpunimit paqësor, plot besim, të Gjermanisë me Greqinë dhe marrëdhënieve tona të ngushta me NATO-n dhe BE-në, çështja e dëmshpërblimeve, nga ana e Qeverisë Federale, nuk ekziston më”, thuhet në deklaratë.
Manolis Glezos, gazetari dhe politikan i së Majtës, heroi i Rezistencës Kombëtare karakterizon si “historikisht të pabazë dhe të rreme” deklaratën e ministrisë së Jashtme gjermane për dëmshpërblimet gjermane.
"Deklarata injoron vendimin e Komisionit Aleat të Parisit të 1946-s, prej 19 anëtarësh, sipas të cilit Gjermania duhet t’i paguajë Greqisë 7 miliardë dollarë amerikanë, (fuqia blerëse e 1938-s), dmth 108 miliardë euro pa interesin bankar. Gjithashtu injoron kredinë e detyruar prej 3,5 miliardë dollarë amerikanë, (fuqia blerëse e 1938-s), pra 54 miliardë euro sot. Krimet ndaj njerëzimit nuk mund të shuhen” thekson z.Glezos.
Ndërkaq cështja e dëmshpërblimeve iu nënshtrua edhe një beteje gjyqësore në Gjykatën e Hagës. Në muajin shkurt pas 7 vjetësh proces, Gjykata e Hagës, nuk e njohu vendimin e gjykatës greke që iu jepte të drejtën familjarëve të viktimave të marrin dëmshpërblim nga Gjermania për maskarën e Distomos, pasi sipas gjykatës ndërkombëtare, gjykata greke dhe ajo italiane s’ka kompetenca të marrë vendime të tilla. Mediat greke raportuan se në rast se diçka e tillë s’do të hidhej poshtë, paratë që do të buronin nga kjo, do të mund të mbulonin edhe një pjesë të borxhit grek.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment