Greqi, “Demokracia e re”: Mbijetesa e Vorio Epirit, objektivi ynë

Partia Demokracia e re e Antonis Samaras organizoi në Athinë një konferencën me temë, “Vorio Epiri, e shkuara, e tashmja, e ardhmja", ku merrnin pjesë përfaqësues të lartë të kësaj partie, deputetë, akademikë, ish konsulli grek në Korçë si dhe përfaqësues nga minoriteti grek në Shqipëri.
Shefi i departamentit të politikës së jashtme në Demokracinë e Re, deputeti Panos Panajotopulos, deklaroi se “objektivi i ND është mbijetesa e minoritetit grek në tokat dhe shtëpitë e stërgjyshërve të tyre. Me ardhjen në pushtet të Demokracisë së Re, do të ndryshojnë marrëdhëniet e trungut kombëtar me jugun e Shqipërisë, nuk do të bëjmë dallime mes partive dhe organizatave apo individëve, kur bëhet fjala për minoritetin. Kryetari ynë Antonis Samaras dhe personalisht unë do të jemi më afër grekëve në Jugun e Shqipërisë”.
Një nga organizatorët e konferencës, Kristos Gianaris tha se Greqia për asnjë arsye nuk duhet të heqë dorë nga detyra që ka për helenizimin e Vorio Epirit dhe kriza ekonomike nuk duhet të përdoret si alibi për braktisjen e grekëve aty. Gianaris deklaroi se për partinë Demokracia e re (ND), mbijetesa etnike dhe fizike e Vorio Epirit është e panegociueshme, por sipas tij vitet e fundit po bëhet presion mbi pakicën greke. Në këtë kontekst ai përmendi vrasjen e Aristotel Gumës, regjistrimin e popullsisë, çështjen e pronave, grabitjen e vazhdueshme të kishave ortodokse dhe së fundi dënimin, sipas tij të padrejtë, të kreut të Omonias në Korcë, Naum Disho.
Qarqe të caktuara nuk pranojnë historinë, tha përfaqësuesi i ND dhe ky mentalitet pengon marrëdhëniet greko-shqiptare. “Ne kërkojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë fqinje. E kaluara nuk duhet të pengojë të ardhmen, por një parakusht i rëndësishëm për vlerësimin e këtij kursi nga ana e shtetit grek, është respektimi i të drejtave të njeriut për helenizmin e Epirit të Veriut”, tha ai.
Ish-Konsulli i Përgjithshëm në Korçë, Theodhor Ikonomu, deklaroi se: “Në Korçë ka shumë grekë, por Greqia nuk është afër tyre. Duhet të themelohet një organ kombëtar ku të bashkohen të gjithë grekët e Shqipërisë. Në Kuvendin e Shqipërisë ka grekë, por është sikur nuk ekzistojnë, sepse ata asnjëherë nuk kanë folur për problemet e minoritetit”, tha ai.
Në fjalën e tij deputeti shqiptar Kosta Barka foli për përçarjen e minoritetit grek në Shqipëri, por disa të pranishëm ia ndërprenë fjalën duke thënë se përfaqësuesit në Kuvend, nuk kanë bërë asgjë për minoritetin.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment