Gjyqtarja Mirela Mishgjoni lë nesër spitalin, do të përballet me të dyshuarit në polici

Postuar në 17 Janar, 2013 06:30

 

Gjendja shëndetësore e gjyqtares Mirela Mishgjoni është stabilizuar dhe mjekët kanë pohuar se nesër ajo mund të lërë spitalin. Gjyqtarja po trajtohet në repartin e ORL-së në spitalin e Vlorës dhe plagët e marra në sy dhe gojë nuk shfaqin probleme serioze.

Ndërkohë policia e Vlorës po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Grupi hetimor po punon në disa pista, por kryesorja mbetet ajo që lidhet me detyrën e gjyqtares. Mësohet se sot janë shoqëruar disa persona të dyshuar si autorë të ngjarjes, me të cilët gjyqtarja do ballafaqohet nesër në polici. Ajo ka deklaruar se është në gjendje ta dallojë personin që e ka sulmuar, prandaj edhe policia kërkon që ballafaqimi të bëhet sa më shpejt.

Ngjarja

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni është sulmuar dje nga një person i paidentifikuar, i cili e ka pritur teksa ajo dilte nga shtëpia. Në rrëfimin e saj për policinë, gjyqtarja e çështjeve penale në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ka deklaruar se nuk e njihte të riun që e sulmoi me acid.

“Dola nga shtëpia për në punë. Aty te kolonat, poshtë pallatit nuk kishte njerëz. Pas një kolone ishte fshehur një person që doli me nxitim me një bidon në dorë dhe më lagu në fytyrë”, ka deklaruar gjyqtarja. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 9:00 në lagjen “28 Nëntori” pranë gjimnazit “Ali Demi”, në Vlorë. Pas ngjarjes kanë reaguar krerët e gjyqësorit shqiptarë, të cilët kanë shprehur bindjen se ngjarja do të zbardhet sa më shpejt.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.