Gjyqtarët: Dakord për reforma, por duke na respektuar pavarësinë

Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare ka dalë me një deklaratë pas një takimi të organizuar për të analizuar raportin e progresit të Bashkimit Europian.
Në deklaratë thuhet se ata janë gati për të kontribuar maksimalisht në luftën kundër korrupsionit. Më poshtë, një pjesë e deklaratës:
“Gjyqtarët janë të ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë e të gatshëm të kontribuojmë maksimalisht në luftën kundër fenomeneve negative, që ulin besimin e publikut dhe cenojnë parimet themelore të organizimit dhe funksionimit të shtetit demokratik… Këshilli Ekzekutiv në emër të Konferencës Gjyqësore dënon me forcë rastet korruptive që komprometojnë integritetin e gjyqësorit dhe misionin e dhënies së drejtësisë. Ai inkurajon median, shoqërinë civile dhe tërë mekanizmat e zbatimit të ligjit të kontribuojnë në luftën kundër fenomenit të korrupsionit në gjithë shoqërinë shqiptare, e në veçanti në sistemin e drejtësisë. Këto fenomene nuk duhet që të eklipsojnë punën e madhe që bëhet çdo ditë nga gjyqtarët në përmbushje të misionit të tyre për dhënien e drejtësisë… Këshilli Ekzekutiv vlerëson procesin e vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e më të pavarur. Ky proces kërkon një klimë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje. Këshilli shpreh gatishmërinë në realizimin e saj, si dhe bindjen se reformat duhet të kryhen në respektim të parimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor….”.
Add new comment