Gjirokastër, zbardhet tentativa e grabitjes së autobusit, ndalohen katër të rinj

Policia e Gjirokastrës ka deklaruar se ka zbardhur ngjarjen e Memaliajt, ku u sulmua me armë autobuzi i linjës Tiranë-Athinë. Burime zyrtare bëjnë me dije se janë ndalur shtetasit: Klajdi Tringa, 20 vjeç, Besmir Ruçi, 23 vjeç, Jurgen Lola, 22 vjeç dhe Gentian Beqiraj, 29 vjeç, që të katërt nga Memaliaj, si autor të dyshuar të ngjarjes.
Nga hetimet dyshohet se Klajdi Tringa, Besmir Ruçi e Jurgen Lola të ndihmuar nga Gentian Beqiraj kanë thurur një plan një natë para ngjarjes, në lokalin e fshatit Vasjar. Plani ishte që të grabisnin me armë autobusin e linjës Tiranë-Athinë. Nga hetimet paraprake pas marrjes në pyetje të të rinjve mësohet se nën efektin e hashashit, ata kanë marrë armët dhe kanë tentuar të ndalojnë autobusin që vinte nga Greqia.
Nga hetimet rezulton se autorët më pas janë larguar me automjet tip Benz në pronësi të Klajdi Tringës, ku gjatë kontrollit iu gjet një sasi e vogël kanabis sativa. Katër të rinjtë kanë pohuar se armët e krimit i kanë hedhur në lumin Vjosë dhe aty po kërkohen nga polumbarët.Pak pas mesnatës së datës 27 janar në Mogila të Tepelenës, u tentua të grabitej autobusi i linjës Athinë-Tiranë.
Katër persona të armatosur i kanë prerë rrugën automjetit që ishte në lëvizje dhe kanë qëlluar me armë në ajër për të ndaluar. Shoferi ka vazhduar udhëtimin me shpejtësi dhe pas kësaj grabitësit kanë qëlluar në drejtim të automjetit, duke lënë të plagosur dy persona. Njëri prej tyre, 23-vjeçari Laurent Tabaku ndërroi jetë në spitalin e Fierit.
Shqip
Add new comment