Gjinushi: Fitojmë deri në 60%. Shyqyr që u pastruam nga LSI-ja

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, në një intervistë për Shqiptarja.com, dënon rikthimin e skemës së parë të mandateve.
“Ne e denoncojmë me forcë atë çka tenton të bëjë Kuvendi. Këto janë veprime antikushtetuese dhe antiligjore, sepse Kuvendi nuk vihet në lëvizje me letra. Është e njëjta skemë si vjedhja e Tiranës në zgjedhjet e 8 majit, ku KQZ me një letër nga PD vendosi të kryejë veprime në kundërshtim të hapur me Kodin. Dhe tani Kuvendi me një letër nga “Jozefina 3”, vartësja e vartëses së Jozefinës në KQZ kërkon të marrë një vendim për diçka që s’ka asnjë tagër ligjor. Ligji është shumë i qartë. Kuvendi miraton propozimet e KQZ-së. Kur s’ka propozim, s’ka miratim”, thekson Gjinushi.
Sipas tij parulla se PS nuk fiton pa LSI-në është parulla më bajate.
“Nuk ka parullë më bajate, më pa sens, më pa moral dhe më absurde se ajo që thotë se “a do të fitojë opozita pa LSI”. Opozita ka tetë vjet që kërkon të ndryshojë këtë realitet të hidhur shqiptar. Me shpirt nëpër dhëmbë, me gjithë deformimet e sistemit opozitar, më 2009 arriti me votë popullore ta mundë këtë qeveri. Po pikërisht LSI për herë të dytë, tashmë del hapur dhe i jep mandatet për të qeverisur katër vjet të tjera, mandate që ishin marrë për të shkulur këtë qeveri. Pas kësaj PD-LSI del qartazi se i ka bashkuar korrupsioni, që është shumëfishuar dhe ka thyer çdo lloj rekordi, të çdo lloj qeverie të mëparshme dhe të Berishës më ‘96-‘97 me Piramidat, dhe ato që Berisha thoshte për Nanon dhe vetë Metën para se të bëhej pjesë e kësaj qeverie. Kjo qeveri ka dështuar tre herë radhazi për integrimin. Dhe është qeveria më e çuditshme në botë, fajin ia ka opozita që “dështon”. Por dështimi e ka emrin korrupsion, zgjedhje jashtë standardeve, antikushtetueshmëri dhe drejtim Kuvendit alla- Jozefinë”.
Ai shprehet blloku i majtë i fiton këto zgjedhje.
“Absolutisht i gjithë populli opozitar kërkon largimin sa më parë të kësaj qeverie, të këtij çifti Berisha –Meta apo PD-LSI apo siç e kanë quajtur njëri-tjetrin Sali “Gërdeci” me Ilir “Floririn”. Kanë gjetur mënyrën më të mirë për të personifikuar njëri- tjetrin. Dhe në këto 4 vite që të dy e kanë pasuruar këtë tipar të tyre. Pas Gërdecit bëri 21 janarin, pas 21 janarit deklaron se jam gati të vras edhe kryetarin e opozitës edhe gjithkënd që kërkon dorëheqjen e qeverisë time. Opozita sot ka këtë detyrë, të çmontojë këtë qeverisje që ka emra, qeverisja nuk është fenomen natyror, ka përgjegjës, ka protagonistë dhe të thuash se a e heqim këtë qeveri pa ndihmën e kësaj qeverie, këtu unë nuk e kuptoj dot. Dhe që nga ky moment roli ynë është që të mos mashtrohet kurrkush që të votojë për LSI që ajo mund të jetë me të majtën. Ky është një mesazh krejtësisht i gabuar që s’duhet të ndodhë. Ky është edhe një nga defektet e pyetjeve nëse do të vijë LSI majtas, ku LSI është përgjegjësja numër një e keqqeverisjes s ë këtij vendi. Prandaj koalicioni i majtë absolutisht nuk e ka në llogari LSI-në,” deklaron Gjinushi.
Sipas tij “Në Shqipëri ka 60% që votojnë kundër kësaj qeverie, nga të cilët mbi 50% janë me të majtën. Ndaj e majta është e vetëmjaftueshme për të fituar e ka fituar gjithmonë. Por të majtën e kanë shitur e shyqyr që u pastruam nga ata që shisnin të majtën”.
TAMA
Add new comment