Gjendet fajtori, dënohet një sekretare

Postuar në 12 Janar, 2013 06:03

 

Diploma e Bossi-t

Skandali i diplomës false shfryhet në maksimum. Jonida Ajazi firmosi për Renzon

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta2/styl...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Studimet - “Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se shtetasit Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro nuk kanë ndjekur studimet e larta”

Dënimi - Jonida Ajazi u dënua fillimisht me 18 muaj burg, u reduktua në 12 pas gjykimit të shkurtuar, dënim i cili u pezullua

Drejtësia shqiptare gjen fajtoren për dhënien e diplomave false në universitetin privat “Kristal”, skandal i cili u denoncua në mediat italiane. Ajo është një sekretare në këtë universitet, së cilës i “ra lapsi” të firmoste regjistrimin e dy shtetasve italianë për të vijuar shkollën e lartë në Shqipëri, madje për administrim biznesi. Gjykata e ka gjetur fajtore Jonida Ajazin, e cila ishte punësuar në këtë universitetit në vitin 2010, në një kohë që Renzo Bossi ishte regjistruar në vitin 2007 në këtë shkollë. Pra, sipas dokumenteve, Jonida kishte firmosur tre vite para se të punësohej.

Megjithatë, drejtësia është mjaftuar vetëm me ndëshkimin e kësaj sekretareje, kur në fakt, Bossi dhe miku i tij, kishin marrë nota të mira në disa lëndë për administrimin e biznesit, madje pedagogë, rektor dhe dekan kishin firmosur për t’i lëshuar një diplomë. Hetimi penal dhe gjyqësor u fokusua vetëm tek personi që kishte regjistruar këtë shtetas në Shqipëri, në një kohë që të gjitha dokumentet prej tij, kishin disa firma. Me dokumente, ai rezultonte të kishte ardhur në Shqipëri, madje të kishte frekuentuar edhe auditorët e shkollës, në një kohë, që sipas TIMS-it, Renzo Bossi nuk kishte shkelur kurrë në vendin tonë, fakt të cilin e pranoi në një prononcim për mediat italiane.

Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin gjyqësor për sekretaren Jonida Ajazi, e cila u dënua fillimisht me 18 muaj burg, të cilat u reduktuan në 12, pas gjykimit të shkurtuar. Duke qenë e parrezikshme për shoqërinë, Jonida u dënua me kusht, në një kohë që nuk duhet të frekuentojë persona të rrezikshëm shoqërorë.

 

Skandali “Bossi”

Vendimi i gjykatës thotë fillimisht se universiteti “Kristal” është licencuar nga Këshilli i Ministrave në fund të vitit 2005. Ndërkohë, nga mediat e shkruara dhe ato vizive, prej datës 4 maj 2012, janë publikuar të dhëna që hidhnin dyshime për vërtetësinë e kryerjes së studimeve dhe pajisjes me diplomë në shkollën e lartë “Universiteti Kristal” në Tiranë të shtetasve italianë Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro. Fillimisht, këto të dhëna u referoheshin mediave italiane, sipas të cilave, në një kasafortë të ish-kancelarit të “Lega Nord”, shtetasit Françesko Belsito ishin gjetur dokumente të diplomimit në universitetin “Kristal” të Bossi-t dhe Moscaguiro-s. Konkretisht për të parin, i cili është djali i senatorit italian Umberto Bossi, janë gjetur dokumente të diplomimit për degën “Menaxhim biznesi”, ndërsa për të dytin, dokumente të diplomimit për degën “Sociologji”. Në hetimet paraprake, është kërkuar informacion në Policinë e Shtetit, lidhur me hyrje–daljet e shtetasve italianë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga verifikimi i TIMS, rezultoi se nuk ka regjistrime për hyrje-dalje për shtetasit e mësipërm.

Nga sekuestrimi i regjistrave të regjistrimit të notave dhe të tërheqjes së diplomave, ka rezultuar se shtetasi Renzo Bossi, i datëlindjes 08.09.1988 është regjistruar në universitetin “Kristal” për “Menaxhim biznesi”, në vitin akademik 2007–2008, me numër amze 482 dhe është diplomuar për këtë degë në datën 29.09.2010 me numër diplome 272. Madje, notat në diplomë i ka pasur të mira, ndërsa diploma është tërhequr nga shtetasi shqiptar Anesti Deçka.

Sipas vendimit të gjykatës, janë pyetur disa sekretare, të cilat, në union, kanë shpjeguar procedurat e regjistrimit, pa raste specifike. Pagesa bëhej në financë, dhe jo në sekretari, ndërsa regjistri themeltar dhe regjistri i notave, bashkë me procesverbalet përkatëse, depozitoheshin në arkiv, e cila, sipas një akti të brendshëm, është përgjegjëse për regjistrimin e studentëve, mbajtjen e dokumentacionit të tyre, nxjerrjen e procesverbaleve të provimit, etj.

 

Regjistrat e falsifikuar

Nga hetimet rezultoi se në regjistrin themeltar të Fakultetit të Administrim Biznesit, i cili u dërgua për ekspertim, u konstatuan ndërhyrje në formë shtim-heqje fletash. Në kuptimin teknik, dokumenti është i kompromentuar. “Fleta me numër 22 e këtij regjistri, ku është i regjistruar shtetasi italian Renzo Bossi paraqitet në pikëpamje teknike me të njëjtën tipografi dhe dizenjo si dhe fletët e tjera të këtij regjistri. Por kjo fletë është shkruar nga i njëjti person, me të njëjtin mjet shkrues, ndryshe nga fletët e tjera të regjistrit, të cilat janë plotësuar nga dy, apo tre persona dhe me mjete shkrues të ndryshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës. Si përfundim, regjistrat që iu nënshtruan ekspertimit, rezultuan të falsifikuar, në të cilat gjendeshin të dhënat e shtetasve italianë Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro. Regjistrat janë plotësuar me shkrim dore nga e pandehura Jonida Ajazi, me detyrë sekretare mësimore në drejtorinë e arkivit dhe sekretarisë qendrore në universitetin “Kristal”. “Në këtë detyrë kjo shtetase është emëruar në datën 01.06.2010”, pohon gjykata, në një kohë që regjistrimi është bërë në vitin 2007.

“Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se shtetasit Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro nuk kanë ndjekur studimet e larta dhe nuk i janë nënshtruar procesit të diplomimit në universitetin ‘Kristal’, Tiranë. Në gjykim e pandehura, nëpërmjet deklaratës noteriale, e ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendim të thellë për veprën e kryer”, thuhet në vendimin e gjykatës, e cila e ka dënuar këtë shtetase me 18 muaj burg, së cilës i është konvertuar me dënim me kusht. s.ç

 SHQIP

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.