Gjenden 4 sharra që presin hekur në burgun e Drenovës, parandalohet arratisja e dytë

Katër sharra që presin hekur janë gjetur ditën e sotme në sektorin e paraburgimit në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë.
Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se sharrat u gjetën në një kuti shahu dhe i përkisnin personave që akuzohen se kanë ndihmuar Admir Tafilin në arratisjen e bujshme të nëntorit, Elvis Lami, Olsi Maci, Albi Macini dhe e Daniel Kambellari. Policia dyshon se ata po planifikonin një tjetër arratisje. Gjithashtu grupi i kontrollit gjeti edhe dy telefona celularë, të cilët i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije, se më dt. 10.01.2014, ora 21:00- 23:00, grupi i DAP-it ka kryer një kontroll në IEVP Drenovë, Korçë, nga ku ka rezultuar gjetja e sendeve të ndaluara. Nga kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, grupi i Transferim- Shoqërimeve dhe Sigurisë (DAP) të D.P.B, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Pal Marku, janë gjetur dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça. Gjithashtu, nga kontrolli në sektorin e paraburgimit u gjetën katër fletë sharre të fshehura në një kuti shahu, që i përkisnin shtetasve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për të dyja rastet u përpilua raport- shërbimi, u mor masa disiplinore e veçimit, si dhe u njoftua Prokuroria e Korçës. Për këtë ngjarje kanë nisur tashmë hetimet dhe media e publiku do të informohen në vazhdimësi”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.
Në nëntor të vitit 2013, 7 të dënuar arritën të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës. Katër prej tyre kishin dënim përjetë, ndërsa tre të tjerë me dënime maksimale deri në 15 vjet burgim. Të gjithë u kapën dhe u çuan sërish pas hekurave brenda 4 ditësh.
SHQIP
Add new comment