Frika e gjakmarrjes, vrasja e Saimir Zizës dhe apeli i padëgjuar i nënës

Të jesh apo të mos jesh! Nuk bëhet fjalë thjesht për penë shekspiriane por për një jetë të lënë peng të një familje të tërë. Një familje në rrethinat e Tiranës u bë “e famshme” pikërisht për këtë apel që e ndau me mediat në cdo rast që pikëpyetja shekspiriane vërtitej pranë banesës së tyre në rrethinat e Tiranës.
Në fund të rrugës 5 maji në kryeqytet, pranë zonës që njihet ndryshe edhe si “Nyja e Betonit” referuar ndërrmarjes së vjetër që dikur ka funksionuar këtu, pikërisht këtu jeton dhe familja Ziza.
Gjakmarrja rri tek ky prag dere prej 7 vitesh.
7 plumba do të ishin edhe ato që i morën jetën në 20 qershor të këtij viti 27 vjecarit Saimir Ziza
Krejt i pafajshëm por edhe “më i miri për më të mirin”. Është një batutë që shkëmbehet mes familjeve në gjak.
Kjo është banesa që kanë ngritur këtu në periferi familja Zisa e ardhur nga Dibra në vitin 2008 jo për të gjetur një jetë më të mirë në Tiranë por “...për ti ikur fshehurazi gjakmarrjes” - thotë Melita Ziza.
“Jetonim në qytetin e Peshkopisë. Nuk na mungonte gjë. Kishim dyqane, kishim punë dhe jetë normale. Por frika nga hasmi na bëri të ikim sepse gjërat ishin të pasqaruara.”
Fillimisht nënën e tre fëmijëve e gjejmë në oborr. Ajo qëndron fiks mbi vendin ku u la në gjak i biri pas goditjeve me breshëri të automatikut nga një i panjohur.
Kryefamiljari pas vrasjes së të birit u largua sërish për në Greqi. Ndërsa këtu kanë mbetur vetëm gratë e shtëpisë dhe prindërit e moshuar të Melitës që kanë ardhur nga Peshkopia. Edhe pse të lodhur e të pafuqishëm ata mbahen pas një fryme të vetme
“Kam 7 vjet që jetoj me frikë. Kam dalë vetë nga shtëpia për gjithcka që të më vrisnin mua dhe jo djalin. Por ky është një tmerr. Të mos merreshin me fëmijët e mi, por me të fortët e Dibrës se ata ua vranë fëmijën atyre. Ti kishin studiuar pak gjërat. Unë nuk kam jetë më, pres edhe pak cfarë do bëjë shteti për të gjetur autorët dhe...” – thotë me ton të prerë Melita Ziza
Cdo marëdhënie me botën jashtë tashmë është shkëputur. Deri disa vite më parë ishin burgosur në këtë banesë nga frika e gjakmarrjes, por sot burgu i tyre është lëngimi.
Momentin e krimit pa autor na e tregon një vajzë e re e këndshme në pamje por e mbytur nga hallet para kohe. Rabija është e motra e të riut që u vra. Rabija jeton më bashkëshortin dhe vajzën 3 vjec, në banesën ngjitur. Mbrëmjen e ngjarjes i vëllai Saimiri, ka qenë duke biseduar me të e duke luajtur këtu me vajzën e vogël 3 vjecare. Por pasi ai ka dalë nga dera dhe mbesa e vogël i është ngjitur pas, janë degjuar të shtëna. Një 3 vjecare ka parë skenën e ngjarjes sikur të ishte vënë para televizorit për të parë një film me vrasje, ndërsa jeta e saj ka qenë në rrezik real, por fati e deshi që vogëlushja të shpëtonte.
“Saimiri ishte këtu me mua, po bisedonim dhe po luante me vajzën time se ishin shumë të lidhur bashkë. Ka qenë ora 10.00 e darkës, pastaj ai doli të shkonte tek nusja dhe vajza e vet që nuk i ka bërë 1 vjec. Vajza ime iu ngjit pas ‘...o daja o daja do vijë dhe unë...’, kur pas pak dëgjova të shtëna. Dola jashtë, shoh vajzën të shtrirë përdhe që bërtiste, ndërsa tek vëllai që ishte mbytur në gjak nuk u afrova dot. Doli nusja e vetë duke ulëritur, por nuk po kuptoja se cfarë po ndodhte. Në fillim thashë se mos ishte ndokush që thjesht po provonte armën, por pastaj nuk mbaj më mend. Na ndihmuan fqinjët me fëmijët, sepse si unë dhe nusja e vëllait e humbëm fare. Ndërsa sot vajzën time e coj në kopësht, atje sikur harrohet pak. Edhe pse e vogël ajo nuk e kontrollon dot veten nga tmerri qe pa atë natë”.
Gjithcka që familja Ziza pretendon sot, nisi në tetor të vitit 2007. Një fëmijë i zhdukur prej 1 jave kërkohej nga prindërit e tij në Peshkopi. Nxënësit e shkollës, bashkëmoshatarë të Bekimit, kishin rrëfyer në polici se një i panjohur e kishte thirrur djalin pas daljes së tyre nga shkolla dhe e kishte marrë me vete. Pas shumë ditësh, trupi i pajetë i 10 vjecarit Bekim Cenga u gjet ne shtratin e perroit Toma, 200 m larg pallatit të fundit të lagjes Kamen në Dibër, ku banonte me familjen e tij.
Pamja makabre si u gjet kufoma e të miturit me trup te permbysur, i masakruar, me fytyre te shqyer dhe i dhunuar seksualisht, i shokoi hetuesit lokalë që kërkuan ekspertizë mjëkoligjore nga Tirana. Në anen e djathte te fytyres, iu gjetën shenja gervishtjeje të thellë, heqje mishi ndërsa ishte mbytur me litar ne fyt në tentativën e tij për të shpëtuar. “Vepër e një maniaku seksual të pashpirt”, - konkluduan ekspertet kriminaliste në atë kohë, por u shfaqën të pasigurtë që kjo mund të ishte vepër e një njeriu të vetëm. U arrestua Shpëtim Ziza, pasi sipas rrëfimeve të bashkëmoshatarëve të të voglit Bekim Cenga, ky ishte personi që e kishte tërhequr nga shkolla.
“Mbaj mend që atë natë, Shpëtimi erdhi në shtëpi si cdo ditë. Ishte i qetë, u shtri më vonë për gjumë.Në orën 2.00 të natës, na vjen policia në shtëpi dhe na shoqëron të gjithëve në komisariat. Aty mora vesh që Shpëtimi kish bërë gjëmën me fëmijën e Cengëve që kishte humbur dhe humba ndjenjat. E besuam në fillim, por prapë unë e ndjeja që dicka nuk shkonte. Shpëtimi ka patur edhe fëmijë të tjerë në pallat që kanë qenë edhe jetimë, pse do zgjidhte atë fëmijë për të bërë ato që thonë hetuesit? Ai thjesht u përdor nga kriminelët e vërtetë të ngjarjes të cilët i thanë mbaje ti fajin se nuk të dënojnë ngaqë je me të meta mendore...” - thotë Melita Ziza.
Shpëtimi pranon krimin në fillim, por pas disa muajsh në burg e pas vendimit për burgim të përjetshëm, 19 vjecari me probleme mendore vendos të rrëfejë një të vërtetë tjetër e cila nuk u mor asnjëherë parasysh nga hetuesit
“Pas disa muajsh Shpëtimi më rrëfeu të vërtetën. Më tha se ata që kishin vrarë e masakruar djalin e Ylli Cengës ishin 3 persona të tjerë, ky thjesht kishte marrë për ta, fëmijën nga shkolla. Shpëtimi më tha atëherë dhe i ka qëndruar gjithmonë pastaj kësaj që Elmaz Shulku, e mbyti fëmijën, ndërsa dy të tjerët Genc Lleshi dhe Admir Saraçi, e kanë ndihmuar”
Por përse këta persona do duhej të masakronin një fëmijë 10 vjec e fajin tia linin Shpëtim Zizës me probleme mendore. Melita i ka disa argumenta, por faktet janë shumë të thella ndër vite e kërkojnë një hetim të imtësishëm e specialistë të zotë të fushës së krimit
“Vite më parë njërit prej atyre të treve i rrëmbyen motrën në Peshkopi. Ia shitën në Itali, dhe shumë vonë ajo vajza është kthyer në Peshkopi. Ka qenë punë inati i vjetër, një hakmarrje mes Cengëve dhe tre autorëve të ngjarjes. Unë lutem shumë që të ketë Drejtësi. Të gjënden autorët e vërtetë të 2007 dhe të clirohemi nga akuzat që na kanë drejtuar. Se mungesa e drejtësisë bëri që të vritej për gjak edhe djali im Saimiri, që e kisha më të mirin e më të mirëve...”
Asnjë nga pjestarët e familjes Cenga nuk shprehet sot për ngjarjen e rëndë të tetorit të 2007 dhe as për vrasjen e qershorit 2014. Edhe pse policia shoqëroi disa prej tyre për vrasjen e Sajmir Zizës, por i liroi më pas për mungesë provash. Ndërkohë viktima e fundit është një 27 vjecar në kulmin e jetës së tij. Saimir Ziza, babai i një fëmijë 11 muajsh, emigrant i vazhdueshëm për të siguruar të ardhura për familjen, por i vrarë sepse ishte “i miri” i familjes Ziza, ku i “keqi” Shpëtimi kreu një krim që mendja njerëzore nuk arrin ta prekë dot...
Add new comment