FMN: Kredia bankare, zhvillime ekstreme në Shqipëri

Postuar në 18 Janar, 2013 04:20

 

Bankat në Shqipëri po korrin atë që kanë mbjellë para krizës së vitit 2008. Një studim krahasimor i Fondit Monetar Ndërkombëtar për bankat në rajon tregon se bankat në Shqipëri shënuan volumin më të lartë të kredidhënies në rajon në tri vitet para 2008-ës, por për shkak të kësaj situate vendi po përballet me nivelin më të lartë rajonal të kredisë me probleme. Duke i ilustruar këto zhvillime me grafikët përkatës, Fondi vë në dukje se fitimi i bankave në Shqipëri ka qenë ndër më të lartët para krizës duke kaluar shifrat e 20 përqindëve, ndërsa pas vitit 2008 fitimet i janë kthyer uljes, por duke mos shkuar në nivele negative siç ndodhi në disa vende të tjera të rajonit. Rritja e kredisë ndaj ekonomisë në Shqipëri shënoi 70  për qind në vitin 2006, nivelin më të lartë në rajon, ndërsa gjatë vitit 2011 kredia me probleme po afrohet afër 20 përqindëshit, gjithashtu ndër nivelet më të larta në rajon. Fenomeni i kredive me probleme lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me volumin e kredisë së dhënë. Pasi sa më shumë kredi të jepen, vlera neto e kredisë që nuk kthehet gjithashtu është e madhe. Duke qenë se në tri vitet e fundit kredia ekonomike është tkurrur ndjeshëm, pritet që në të ardhmen treguesi i kredive me probleme të tkurret. Nga të dhënat e fundit mësohet se kredia me probleme ka arritur në 23 për qind të totalit, ndërsa kredia pa shpresë arkëtimi në mbi 7 për qind. Mirëpo të gjitha këto zhvillime ekstreme në sistemin bankar shqiptar nuk e kanë penguar atë të performojë me fitime, që sipas të gjitha gjasave edhe viti 2012 do të jetë më i mirë se 2011-ta. Mirëpo FMN në analizën për këtë çështje ka vlerësuar se aktiviteti i bankave të huaja në rajon ka ndikuar në të dyja kahet e zhvillimet në sistemin bankar. Mbikëqyrja nga autoritetet vendore bëhet shpesh e vështirë ndaj këtyre bankave dhe nga ana tjetër krijohen deficite në kreditimin e kursit të këmbimit. Por ana e mirë lidhet me faktin se problemet me asetet zgjidhen nga bankat mëma. Për shkak të krizës ekonomike, FMN lajmëron se politika monetare mund të bëhet më e vështirë në të ardhmen, ndërsa thekson si mjaft të nevojshëm bashkëpunim rajonal. Në lidhje me uljen e riskut të kredisë, FMN kërkon nga autoritetet lokale të rajonit që të krijojnë procedura më të lehta në ekzekutimin e kolateralit. Në vlerë absolute, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, kreditë e humbura kishin vlerën e 42 miliardë lekëve në fund të nëntorit 2012. Ky është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë së sistemit bankar, fenomen që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kujdesit dhe shtrëngimin e ofertës nga bankat për të dhënë kredi të reja. Megjithatë, po të llogarisim se totali i kredive në vonesë ka arritur në 23%, kreditë e humbura zënë ende më pak se një të tretën e tyre. Pjesa më e madhe e kredive me probleme janë ato të cilësuara si “nën standarde” dhe që përfshijnë vonesat nga tre deri në gjashtë muaj. Kjo është edhe kategoria e parë që, sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, cilësohet si kredi me probleme. Vendet e tjera të rajonit kanë një standard më liberal dhe vlerësojnë si kredi me probleme vetëm ato me vonesë më shumë se gjashtë muaj. Nëse edhe në Shqipëri do ta bënim vlerësimin sipas të njëjtit standard, shkalla e kredive me probleme do të ishte 12.4%.

 

Të gjitha këto zhvillime ekstreme në sistemin bankar shqiptar nuk i kanë penguar bankat të performojnë me fitime, që sipas të gjitha gjasave, viti 2012 të jetë më i mirë se 2011.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.