Enigma e 3 fotove shokuese të Sokol Olldashit pas aksidentit

Postuar në 07 Janar, 2014 11:44

Tri foto horror dhe një hetim komedi

Nga Habjon Hasani

Prej disa ditësh në mënyrë konfidenciale me email-e në qarqe të ngushta po qarkullojnë tri foto shokuese që tregojnë të ndjerin Sokol Olldashi pas aksidentit. Janë imazhe tepër të rënda për tu parë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të jenë objekt i publikimit të drejtpërdrejtë në gazetë. Shformimi i kokës së deputetit është i jashtëzakonshëm, tronditës: asnjë prej tipareve nuk është në vendin e vetë.

Këto foto, të cilat DITA i posedon minimalisht i japin një përgjigje pikëpyetjeve që shkaktoi nxitimi për të bërë varrimin e Olldashit. Në atë nivel dëmtimi homazhet nuk mund të kryheshin normalisht. Por këto foto nga ana tjetër flasin për një dëmtim ekstrem tepër të rëndë që mund të jetë i shkaktuar ose nga një aksident shumë i rëndë ose nga një sulm dhe agresion shumë i rëndë ndaj tij. Vendi i aksidentimit, makina e sigurt me të cilën udhëtonte Olldashi dhe dëmtimi fare modest i mjetit të tij duket se i bëjnë shumë të dyshimta rrethanat që mund të justifikonin një aksident kaq të egër.

Stafi i DITA-s i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj ngjarje ditë pas dite dhe kemi qenë media e parë që kemi publikuar raportin zyrtar autoteknik të aksidentit, por dhe media e vetme që u investua në hartimin e një raporti alternativ mbi dinamikën e aksidentit falë dhe bashkëpunimit të inxhinierit Arben Meçaj. Por në çdo rast kemi mundësuar vetëm zbardhje të aspekteve të veçanta të këtyre rrethanave pasi informacioni nga organet kompetente është zero dhe këtë ngjarje të rëndë deri më tani më së shumti e karakterizojnë vetëm “legjendat urbane” dhe aludimet e pabazuara.

Ndaj dhe sot u drejtohemi lexuesve tanë në mënyrë të sinqertë dhe të hapur duke përmbledhur shkurt ato që dimë, ato që nuk dimë dhe ato çfarë nuk kapërdijmë dot mbi mënyrën se si po hetohet dhe po trajtohet kjo ngjarje.

Deri më sot, gazeta nga investimi i saj vetjak ka mundur të zbulojë disa pasaktësi flagrante të raportit autoteknik zyrtar të hartuar për këtë ngjarje. Inxhinieri Arben Meçaj ka hartuar një raport alternativ dhe studim shkencor mbi dinamikën e ngjarjes dhe ky raport i dytë ka nxjerrë në pah shumë pasaktësi në raportin zyrtar të administruar nga prokuroria. Ekspertët zyrtarë nuk kanë pasur asnjë reagim për këtë raport alternativ të Meçajt, si rregull duhej të “hidheshin përpjetë” pasi janë duke u kapur në gabim mbi një raport jo dosido, por në një raport autoteknik që ka për objekt vdekjen e një politikani të lartë.

Për më tepër inxhinieri Arben Meçaj arriti të gjente në disa vende dhe piketa të rëndësishme të vendit të ngjarjes telajon dekoruese të makinës së Olldashit gati 3 javë pas ngjarjes. Pasi ky fakt u botua në gazetën tonë, mësuam se vendi i ngjarjes u dogj dhe përpos djegies së shkurreve një fadromë kishte gërmuar dhe zhbërë dhe rrugën dytësore ku u gjet automjeti.

Prokuroria që është duke hetuar çështjen minimalisht duhej të mbante një qëndrim pas këtyre fakteve: Do e konsideronte më raportin e parë zyrtar apo do kërkonte ri-ekspertimin autoteknik të kësaj ngjarje? Prokuroria nuk pipëtin, a thua se gjetja e pasaktësive serioze në raportin zyrtar autoteknik i bën nder asaj. (!)

Ne sot nuk dimë ende se ku ishte, nga vinte dhe me kë ishte Sokol Olldashi në momentin e aksidentimit. Shumë bashkëpunëtorë të tij të afërt janë të bindur se autoritetet policore dhe prokuroria kanë “ndihmuar” figurën e tij duke shmangur për publikun prezencën e një femre në automjetin e tij natën e aksidentit.

Por edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë do të ishte një ndër turpet dhe veprimet më të rrezikshme të kryera ndonjëherë nga një organ publik hetimor. Se sa dashnore apo shoqe ka pasur individi Sokol Olldashi as i intereson kurrkujt dhe maksimumi përbën kuriozitet dhe jo informacion domethënës.

Por se me kë ishte dhe në çfarë rrethanash konkrete dhe ekzakte vdiq politikani i lartë Sokol Olldashi është një çështje me prioritet tepër të lartë shoqëror dhe me interes të padiskutueshëm publik.

Paranojat dhe ngërçet seksuale apo morale të hetuesve dhe kolegëve të Olldashit nuk janë kurrsesi argument.
Sot si pasojë e këtij hetimi të mangët dhe rrethanave të dyshimta shoqëria shqiptare është në paranojë. Një pjesë e mirë e shoqërisë po mbahet nën terror psikologjik pasi e bluan dyshimi se “Olldashin e kanë hequr qafe”. Këtë terror  s’mund t’ia faturosh milionave vetëm për të larë duart dhe për t’i bërë makijazh “figurës morale” të politikanit, qoftë dhe sikur të ishte Helena e Trojës në sedilen ngjitur me të.

Për më tepër, cilëtdo persona të kenë qenë me të duhen ditur saktësisht dhe duhet të dëshmojnë publikisht atë çfarë pretendojnë se dinë. Askush nuk mund të na shes siguri për versionin e aksidentit me “dëshmi të fshehta”, aq më pak ata që nuk kanë qenë dëshmitarë okularë. Nëse nuk ka pasur “person të dytë” në vendngjarje, nga buron kjo siguri për “aksident”, në kushte të pajustifikuara nga ekspertiza? Dhe në rast se ka pasur “person të dytë” mbi ç’bazë bëhen përjashtimet e personave nga hetimi zyrtar?

Nëse do ishte i vërtetë ky opsion idiot i “nderit” do ishte një akt i paprecedentë që rrezikon jetën e çdo qytetari të vendit, pasi mjafton që nesër, në emër të “ruajtjes së figurës morale” dhe “shpikjes” së një femre në vendin e ngjarjes, të mbulohet ndonjë akt më i rëndë. Ky është kriminalizim i hetimit dhe jo hetim i një krimi të mundshëm.

Mediat dhe gazetarët i kanë të kufizuara mundësitë hetimore pasi janë autoritetet shtetërore ato që kryejnë veprimet në tërësi. Media mund të mos ketë mundësi të dalë në konkluzion hetimor mbi ngjarjen, ama një konkluzion mbi hetimin mund ta japë me siguri që sot: Është një komedi. Një komedi që jo vetëm nuk po bën aspak për të qeshur shqiptarët por përkundrazi i ka vendosur nën terror psikologjik nga dyshimi mos Olldashin e kanë vrarë.

Kësaj komedie të zezë i duhet dhënë fund, na vërtetoni nëpërmjet një hetimi serioz se çfarë ka ndodhur dhe jepini përgjigje dyshimeve të bazuara që po bëhen mbi hetimin Tuaj. Kjo  nuk është çështje “dashnoresh”, por hetim mbi vdekjen e një politikani të lartë. Nëse nuk kuptoni as kaq, nuk meritoni të punoni as portierë në redaksinë tonë e jo më hetues të ngjarjeve me rëndësi të veçantë.

 

 

* * *

Replikat mes Kastriot Myftarajt dhe Elvi Fundos për vdekjen e Olldashit

Publicisti i njohur për “theksin konspiracionist” Kastriot Myftaraj nuk ka dyshime se Sokol Olldashi është vrarë. Ai I ka kushtuar një shënim të gjatë në Facebook këtij pretendii. Por reagon gazetari dhe miku i Olldashit Elvi Fundo, i cili e quan të pabazuar pretendimin e Myftaraj duke shtuar se edhe për të vetë si mik i Olldashit ka vend për dyshime por jo për konkluzione të parakohshme. 

Kastriot Myftaraj

“Kush e vrau Sokolin Olldashin?”, – kështu e titullon shënimin e tij në Facebook Kastriot Myftaraj. Ai nuk ka asnjë dyshim se Olldashin e kanë vrarë, për të mbështetur “teknikisht” këtë tezë Myftaraj i referohet sidomos zhbërjes, djegies dhe ndërhyrjes me fadromë në vendin e aksidentit(një lajm i botuar në DITA ) si dhe faktit që automjeti modern i Olldashit nuk mund të shkaktonte në asnjë mënyrë sipas tij atë rezultat tragjik dhe atë pasojë. “Që e kanë vrarë nuk ka asnjë dyshim. Nuk dua të përsëris këtu gjithë të dhënat që kanë dalë në shtyp për versionin e vrasjes. Unë e kam vizituar vetë vendin e ‘aksidentit’ para se atë ta tjetërsonin me ekskavator. Është e sigurt se në atë vend, me atë lloj automjeti ultramodern, Olldashi jo vetëm që nuk mund të ketë gjetur vdekjen me ato plagë që pati, por vështirë se do të ishte lënduar më tepër se për të kaluar një natë në spital. Që nuk duan të zbulohen vrasësit as për këtë gjë nuk ka dyshim. Parakushti që të zbulohen vrasësit është që të pohohet zyrtarisht se bëhet fjalë për vrasje dhe jo për ‘aksident’. Këtu nuk është problemi tek praktika e punës me pista e Policisë dhe Prokurorisë. Në rastin e vdekjes së Olldashit është e vështirë që të konsiderohet çdo pistë tjetër veç asaj të vrasjes. Por Policia e Shtetit dhe Prokuroria nuk duan që t’ a zbulojnë vrasjen e Olldashit. Pse? Shumë socialistë thonë si nën zë se Olldashin e kanë vrarë, por e vërteta nuk mund të zbulohet se në Polici dhe në Prokurori ka akoma shumë njerëz të Berishës. Kjo më tepër është një alibi për mos zbulimin e së vërtetës. Nëse do të donin Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme, të cilët me këtë Polici që kanë mbyllën në një ditë gjithë lokalet e lojërave të fatit të Shqipërisë, shembën pallate me tritol dhe bënë gjithë ato punë të tjera me të cilat mburren çdo ditë, do të kishin krijuar fare lehtë një grup ekspertësh në Polici për të hetuar vrasjen e Olldashit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prokurorinë”, – shkruan ndër të tjera në krye të shënimit Myftaraj.

Interpretimi politik

Në pjesën tjetër të shënimit të vetë Myftaraj merret në hollësi me analizën e tij vetjake mbi qëndrimet e lidershipit të PD-së dhe PS-së pas kësaj ngjarje si dhe me lidhjet që sipas Myftarajt kanë ekzistuar së fundmi mes Olldashit dhe Edi Ramës . Një aspekt të veçantë Myftaraj i kushton figurës së Bamir Topit dhe një pakete interesi të interesuar për të forcuar partinë e tij FRD. Më pas Myftaraj përmend dhe detaje nga jeta e Olldashit që sipas tij e kishin bërë problematik kohët e fundit, duke përmendur “kazinotë e Malit të Zi”. Myftaraj flet edhe për një numër relativisht intensiv mesazhesh telefonike që sipas tij janë këmbyer mes Olldashit dhe Edi Ramës në javët e fundit. Myftaraj përmend një mori elementësh dhe detajesh të lidhur mes tyre që shpesh herë nuk kuptohen qartë se në funksion të cilës ide apo cilës tezë i ka, por duhet thënë se të vetmet dyshime të bazuara në shënimin e tij të guximshëm Myftaraj përmend vetëm elementët “teknikë” që lidhen me skenën e vendit të ngjarjes dhe karakteristikave të automjetit të Sokol Olldashit.

 

Reagimi i Fundos

Elvi Fundo

Pasi ka postuar këtë shënim në Facebook, ndaj Myftarajt ka reaguar Elvi Fundo, një ish-gazetar i “Fiks Fare” që më pas punoi si këshilltar i Ridvan Bodes dhe që njihet si mik personal dhe një ndër mbështetësit më kryesorë të Sokol Olldashit gjatë garës për kreun e PD-së në korrikun e 2013-ës. Në përgjigjen e tij, Fundo ka pretenduar se ka vend për pikëpyetje dhe për dyshime në atë çfarë ka ndodhur me Sokol Olldashin, por më pas Fundo ka shtuar se dalja në konkluzion nga ana e Myftarajt ka qenë e parakohshme dhe e nxituar. Fundo gjithashtu ka hedhur poshtë dhe pretendimet e Myftarajt për ndonjë “lojë” të Sokol Olldashit në koordinim me Edi Ramën dhe Bamir Topin. “Kastriot Myftaraj, aksidenti mund të ketë shumë pikëpyetje, por aludimet e tua janë të pabaza dhe ka shumë e shumë pasaktësi. Miqësisht unë të theksoj se Sokoli as ka pas ndërmend të shkojë tek Bamir Topi e as  është marrë me Ramën. Qëndrimin e tij e ke në Facebook disa ditë përpara aksidentit. Sokoli kishte debate për mënyrën e drejtimit të PD-së në opozitë dhe marrjen e përgjegjësive reale per daljen në opozitë dhe ri-ngritjen duke u kthyer tek baza e PD-së me program e ide konkrete. Për aksidentin kam dhe unë dyshime si çdo njeri por aludime te tilla janë totalisht të paqena, aq më shumë akuza kazinosh, Ramën, Topin etj. Kumari shfaqje e huaj ishte ne kohen e Enverit, për më tepër Koli luante letra me miq e shoke dhe nuk shkonte kurrë në kazino. Këto qe thua me lart janë shume të pasakta edhe si aludime apo teza. Miqësisht të kërkoj që të tilla gjëra mos i përdorësh për publikun pa i faktuar dhe vlerësuar qetësisht. Flm”, – i shkruan Fundo Myftarajt.

 

Myftaraj i përgjigjet Fundos: Platonin e kam mik, por më shumë dua të vërtetën

Pak minuta pasi Elvi Fundo i ka shprehur kritikën e vetë Myftarajt për shënimin mbi Olldashin në Facebook, Myftaraj i ka kthyer përgjigje Fundos, duke e ftuar dhe atë që si mik i Olldashit të shihte të vërtetën në sy. Më poshtë teksti i plotë i përgjigjes që Myftaraj i ka nisur mikut të Olldashit si përgjigje:

“Përgjigje për mikun tim Elvi Fundo, bashkëpunëtorin e ngushtë të Sokol Olldashit që nga koha e forumit Rinor të PD! I dashur Elvi! Duhet të tregohesh në lartësinë e mbiemrit që mban se je pasardhësi i Zai Fundos i cili është figurë e nivelit botëror se ishte një nga të paktët zyrtarë të lartë të Kominternit që pati kurajën të denonconte vrasjet politike të kryera brenda Kominternit me urdhër të Stalinit, gjë që e pagoi me jetën e  tij. Unë e mirëkuptoj dhimbjen tënde për humbjen e mikut. Por siç thotë fjala e Aristotelit, të cilën Zai Fundo e përdori për shefin stalinist të Kominternit, Dimitrovin: E kam mik Platonin, por e verteta eshte mikeshë më e madhe. Aq sa ç’e ke pasë t’i mik Olldashin, e kishte mik Zai Fundo Dimitrovin e gjyqit të famshëm të Laipsigut për djegien e Raishtagut. Por mes miqësise dhe së vërtetës Zai Fundo zgjodhi të vërtetën. Ti e di mendimin tim për Zain, dhe sa e çmoj unë atë. Mos vdeksha pa shkruar biografinë e Zait. Prandaj sillu siç ta kërkon mbiemri, i dashur Elvi. Është e vërtetë se Olldashi nuk kishte ndërmend të shkonte te Topi (Bamir Topi, shën redaks) dhe këtë e pagoi me kokë. Sa per bixhozin, atë e ka pasur ves edhe Presidenti Eisenhouer, madje shkruhet edhe në biografinë e tij të autorizuar të Stiven Ambroz. Për t’ ia kufizuar këtë ves, kur u be President, ia sillnin me aeroplan të posaçëm shoket e pokerit atje ku ishte. Vete Sokoli do të ndihet më i qetë po të thuhet e vërteta”.

 

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.