Engel: Kosova do të mbetet 100 për qind e plotë

Postuar në 03 Dhjetor, 2011 10:12

Kongresisti amerikan Eliot Engel ka deklaruar se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë organizuar nga grupe kriminale serbe, të cilat synojnë ndarjen e shtetit të ri. 

I cituar nga agjencia e lajmeve “INA”, Engel ka theksuar se Kosova do të mbetet 100 për qind e bashkuar dhe ka shtuar se territori i saj është i paprekshëm. 

“KFOR-i duhet të marrë masa për largimin sa më parë të barrikadave të krijuara nga grupet kriminale. Kosova nuk mund të jetë 100 për qind e plotë pa pjesën veriore. Nuk ka Kosovë 90 për qind apo 10 për qind, Kosova është 100 për qind”, ka deklaruar Engel. 

Kongresisti demokrat ka folur më tej edhe për rrugën e kombit, të cilën e ka cilësuar si një projekt madhor që po hap kufijtë e shqiptarëve. 

“Kjo rrugë, e cila lidh dy vendet, po ndërtohet në një kohë kur Kosova dhe Shqipëria janë për hapjen e kufijve të tyre me vendet e tjera”, ka vlerësuar Engel. 

“Ndërsa në Serbi autoritetet po i mbyllin kufijtë e tyre, siç janë duke bërë bllokimin e rrugëve në veri të Mitrovicës. Por KFOR-i dhe misionet e tjera nuk do ta tolerojnë paligjshmërinë në kufi, as strukturat paralele dhe as shkeljen e ligjit, nga kushdo qoftë”, ka shtuar kongresisti. 

Edhe muajin e kaluar Engel, i njohur ndryshe si avokati i pavarësisë së Kosovës, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zgjidhë sa më shpejt situatën në veriun e shtetit të ri. 

Po në nëntor, Engel ishte në Kosovë për përurimin e segmentit të parë të autostradës "Ibrahim Rugova", pjesë e Rrugës së Kombit, ku dha një mesazh të fuqishëm për shqiptarët. 

 

Koha.net

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.