Eksodi i refugjatëve sirianë, Turqia paralajmëron OKB-në

Turqia ka paralajmëruar Kombet e Bashkuara se mund t?i nevojitet ndihmë në rast se fluksi i refugjatëve sirianë që kalojnë kufirin do të vazhdojë në përmasat e 24 orëve të fundit. Pas një bisede me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu tha se çështja e refugjatëve po shndërrohet në një problem ndërkombëtar.
Mbi 2800 sirianë kanë kaluar kufirin me Turqinë në 36 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 24 mijë. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar pret ndërprerjen e luftimeve në Siri për shkak se Damasku pranoi 10 prillin si afatin e fundit për armëpushin, të dhënat nga terreni flasin për përplasje të ashpra. Kombet e Bashkuara thonë se 9 mijë persona janë vrarë gjatë një viti traziarash në Siri.
Në komentin e tij të transmetuar nga televizioni turk, Davutoglu u shpreh se nuk është kursyer asnjë përpjekje për të ndihmuar refugjatëtë sirianë, por nëse vazhdohet kështu, ne do të kemi nevojë që Kombet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjnë.
Nga ana e tyre ata që i largohen dhunës qeveritare në vendin e tyre nuk janë aspak optimistë se plani i paqes do të funksionojë. Në pritje të armëpushimit, Davutoglu sqaroi se ata që po i japin Asad më shumë kohë, duhet të dinë se numri i refugjatëve është dyfishuar që kur Damasku pranoi planin e paqes të Kofi Annan.
Albanian Screen
Add new comment