EKSKLUZIVE/ Përplasja e parë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në dhjetor 1990

EKSKLUZIVE/ Përplasja e parë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në dhjetor 1990
13 Dhjetor, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Dossier,Kryesore | Shkruar nga: TemA
Select Language▼
Ndërmjetësimi i Arben Imamit për të rikthyer Ramën në PD, takimi rreth dy orë e gjysmë mes tyre, rrëfyer nga dy protagonistët në librin “Pardesytë e bardha” të Luljeta Prognit
Sali Berisha, Edi Rama dhe Arben Imami, janë tre prej protagonistëve të dhjetorit 1990, të cilët dikur ishin në të njëjtin krah, atë kundër PPSH-së. Por, gjithsesi ata kishin qëndrime të ndryshme përsa i përket lëvizjeve politike, që duhet të mbante PD-ja në ditët e para të saj.
Në dhjetor 1990, kur kishte vetëm pak ditë që ishte themeluar PD-ja, Edi Rama ishte një prej intelektualëve të kohës, i zgjedhur në grupet e punës për organizimin e PD-së. Edhe pse ai kishte munguar në ditët e rëndësishme kur po zhvilloheshin protestat studentore, që u finalizuan me shpalljen e pluralizmit politik, qysh në ditët e para të themelimit të PD-së Rama u përfshi në strukturat e saj.
Arben Imami u identifikua shpejt si një prej drejtuesve kryesorë të zhvillimeve të orëve të para të pluralizmit, bashkë me Azem Hajdarin. Sali Berisha, gjithashtu ishte një prej intelektualëve të kohës, që po identifikohej si një prej drejtuesve kryesorë të PD-së, edhe pse kishte një problematikë në raport me studentët gjatë katër ditëve të protestës së tyre.
Arben Imami e Edi Rama ishin pedagogë në Institutin e Lartë të Arteve, njëkohësisht miq dhe bashkëpunëtorë në lëvizjen anti-regjim në Institutin e Lartë të Arteve. Ditët e para të themelimit të PD-së, Edi Rama u shfaq mjaft kundërshtues në disa lëvizje politike që po ndërmerrte PD-ja, kryesisht në marrëdhënie me PPSH-në dhe Ramiz Alinë. Në një mbledhje të komisionit nismëtar të PD-së ai shfaqi kundërshti të forta për disa prej themeluesve të PD-së, kryesisht ndaj Sali Berishës.
Ndërsa Arben Imami, shfaqet si negociator në këtë konflikt ndërmjet Berishës e Ramës. Pas vendimit të Edi Ramës për t’u larguar nga PD-ja, Arben Imami mori përsipër ta rikthejë sërish në radhët e partisë së parë opozitare. Një bisedë rreth dy orë e gjysëm, rrëfehet prej dy protagonistëve, në librin “Pardesytë e Bardha” të autores Luljeta Progni, pjesë të të cilit botohen më poshtë.
Edi Rama është një tjetër personazh që militoi vetëm pak minuta në Partinë Demokratike. Ai njihej si një prej aktivistëve kryesorë në lëvizjen anti-regjim në Institutin e Lartë të Arteve. Rama ishte një prej organizatorëve të lëvizjes së përbërë nga studentë, pedagogë e intelektualë të arteve. Dëshmitarë të kohës janë në një mendje, se kjo lëvizje ka pasur rol të rëndësishëm në frymën antikomuniste që po përgatitej në fund të vitit 1990 në Shqipëri.
Por Edi Rama mungoi pikërisht në momentet më të rëndësishme të historisë së rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Siç rrëfen vetë ai, gjendej në Korfuz pikërisht ditët e protestës studentore. Mungesa në zhvillimet e këtyre katër ditëve i kushtoi shumë në rrugën e tij politike. Ju desh një periudhë e gjatë përpjekjesh të mëdha për t’u rikthyer si protagonist i rëndësishëm në elitën politike shqiptare. Ishin pikërisht katër ditët e protestave studentore, që vrullshëm çuan në themelimin e PD-së më 12 dhjetor.
“Kanë qenë katër ditët, që në këndvështrimin tim kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Partinë Demokratike. E them këtë me bindje, sepse shumëçka do të kishte shkuar ndryshe. Ne ishim shumë të njohur nëpër Tiranë dhe Tirana dinte shumë për ne, flas për Institutin e Arteve. Arben Imami ishte një nga protagonistët e atij procesi të brendshëm në Institutin e Arteve dhe praktikisht personi, që ishte aty ato ditë. Nëse Imami u kthye në figurën e dytë apo të tretë, pasi Gramoz Pashko dhe Sali Berisha konsideroheshin vëllezërit e përkohshëm siamezë të moment, kjo është, sepse vinte nga Akademia e Arteve dhe ishte shumë i qartë në atë kohë. Dhe nuk është i rastit ai detaj, që sot duket komplet i parëndësishëm, kur në takim me Ramiz Alinë iu drejtua me fjalët: “Zoti President”. Është hera e parë, që është artikuluar fjala “Zoti filani” në jetën shoqërore shqiptare pas 50 vjetësh dhe më besoni, se ishte një moment mjaft i rëndësishëm për mua.
Unë nuk u gjenda aty, sepse pas revolucionit rumun pati një farë lëshimi dhe në këtë kuadër filloi të aplikohej dhënia e pasaportave për njerëz që kishin të afërm jashtë vendit. Ne kishim të afërm në Korfuz nga familja e nënës time, shqiptarë të ikur gjatë luftës italo- greke. Morëm pasaportat dhe shkuam bashkë me tim vëlla në periudhën e verës së vitit ‘90. Gjatë qëndrimit atje, u vumë në kontakt me Galerinë e Teatrit Bashkiak të qytetit. Në këto kontakte ramë dakord të organizonim një ekspozitë në mesin e dhjetorit të atij viti dhe në tetë dhjetor unë jam nisur për në Korfuz. I thashë Ardianit (Klosit), që unë nuk mund të rri në Tiranë pasi më duhet të shkoj për ekspozitën. Nuk e pata instinktin që do të ndodhte diçka pikërisht ato dy tre ditë. Kanë qenë dy- tre ditë shumë të rënda për mua, shumë të vështira dhe shumë absurde, sepse bashkë me të tjerë kisha më shumë se një vit që e prisja takimin me Ramiz Alinë”.
(Edi Rama, intervistë për autoren, mars 2012)
Në Partinë Demokratike, Edi Rama mbahet mend për rreth gjysmë ore debat me anëtarët e komisionit nismëtar të kësaj partie. Megjithatë, si një prej aktivistëve të rëndësishëm të lëvizjes antikomuniste, Rama ishte zgjedhur nga komisioni nismëtar i PD-së, si një prej personaliteteve të rëndësishme të kohës që do të angazhoheshin në organizimin e partisë në fusha të ndryshme. Ishte caktuar në grupin e punës për çështjet elektorale, por edhe në grupe të tjera pune. Kjo do të thotë, se kishte mjaftueshëm kontribute për t’u renditur në grupin e drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike, por nuk ndodhi kështu.
Në një prej mbledhjeve të këtij forumi të sapoformuar, Edi Rama u shfaq me kundërshti të forta për hapat e parë të PD-së. Kritikat e tij lidheshin jo vetëm me disa individë të organizuar në krye të kësaj partie, por edhe për mënyrën se si po konceptoheshin lëvizjet politike. Pozicionimi që PD-ja duhej të mbante ndaj presidentit të atëhershëm Ramiz Alia, ishte një pikë e rëndësishme e debatit. Në mbledhjen që drejtohej nga Gramoz Pashko, Edi Rama ka kërkuar, që Ramiz Alia të mos konsiderohej aleat, siç vlerësohej asokohe nga PD-ja dhe studentët, por të shihej prerë dhe qartë, kundërshtar. Ndër të tjera, Rama ka kërkuar edhe një pozicionim më të qartë lidhur me ish-të përndjekurit politikë. Ai vlerësonte të pakuptimtë situatën kur në Shqipëri kishte mbërritur pluralizmi, por të burgosurit politikë ende nuk ishin liruar. Ai vlerësonte gjithashtu se ish-drejtues të PPSH-së, të organizuar më parë në strukturat e saj drejtuese, duhet të përjashtoheshin nga funksionet drejtuese në PD-së. Kushte të barabarta të PD-së me PPSH-në në fushatë elektorale, ishte një tjetër kërkesë, që sipas Ramës, i duhej bërë pa pushim regjimit.
“Nuk e kisha menduar që të merresha me politikë. Dhe arsyeja, lidhet edhe me një moment tjetër. Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, sepse pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD. Ne ishim shumë më përpara, sepse në bisedat tona kishim një tjetër pritshmëri dhe strategji për të ardhmen. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Për ne Ramiz Alia nuk ishte njeriu që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri. Ky është edhe konflikti që unë pata me atam që gjendeshin në atë kohë në PD. Nuk pata ndonjë dëshirë për t’u përfshirë në politikë, pasi mua më interesonte liria dhe jo politika.
Unë e kërkoja lirinë si nevojë të brendshme për të bërë gjërat që doja, dhe nuk e kërkoja për t’u marrë me politikë. Pasi jam larguar atë moment nga PD-ja, ishte aty Arben Imami, të cilin unë e kisha shumë mik dhe kemi bërë një bisedë shumë interesante. Ai këmbëngulte që unë të kthehesha në PD, ndërsa unë këmbëngulja që të largonin më parë komunistin që kishin aty, në PD, sepse do t’i marrë në qafë të gjithë. Beni më thoshte “po jo, se kemi nevojë për disa intelektualë pak më në zë, që t’i japim peshë dhe seriozitet të gjithë kësaj që po bëjmë, sepse është një gjë që sapo ka filluar, ne s’kemi eksperiencë”. Ndërsa unë i thashë se Sali Berisha është komunisti tipik dhe ka të gjithë eksperiencën si sekretar partie që t’ju eliminojë të gjithëve. I kam thënë se ai do ta bëjë PD-në një vegël të Ramiz Alisë dhe ju nuk do të jeni dot në gjendje të flisni kundër Enver Hoxhës. E vërteta është, se ditën kur fola kundër Enver Hoxhës në Akademinë e Arteve, ata nuk flisnin dot kundër Enver Hoxhës”.
(Edi Rama, intervistë për autoren, mars 2012)
Për këtë natyrë ligjërimi, Rama u akuzua për qëndrim radikal, i cili sipas drejtuesve të PD-së së atëhershme, binte ndesh me situatën politike, e cila ishte mjaft delikate. Gjykohej, se një qëndrim i tillë politik, sipas të cilit Ramiz Alia të konsiderohej kundërshtar, nuk i shërbente një situate, që duhej mbajtur e qetë, për të shmangur mundësinë e reagimit me dhunë të regjimit, ndaj opozitës. Por Rama e hedh poshtë këtë argument.
“Sa i përket asaj akuzës, që unë isha provokator, unë kam qenë gjithmonë provokator, më pëlqente gjithmonë të provokoja. Sepse provokimi ishte e vetmja mënyrë reagimi kundër atij lloj sistemi. Pra, që reagimet e mija në atë kohë ishin provokim, kjo nuk diskutohet. Por pse më quanin radikal? Sepse unë ju thashë që në momentin e parë, që Ramiz Alia nuk është opsion, Ramiz Alia është armiku ynë, ai është regjimi dhe jo njeriu që do të sjellë demokracinë. Dje unë thashë, se ne duhet të bëjmë luftë me Ramiz Alinë dhe kur thashë luftë, kisha parasysh luftën frontale të opozitës me regjimin. Kjo pastaj u transformua në këtë akuzë, që quhej radikal. Tjetra që më bëri mua të konsiderohesha kështu nga ata, ishte se unë kërkoja që të liroheshin të burgosurit politikë. Pasi unë mendoja, se nuk mund të konceptohet, që një njeri sjell demokracinë dhe mban në burg të burgosur për politikë. Pra përfundimisht, unë mendoja se nuk mund të bashkëpunonim me këtë regjim. Ideja ime ishte, që ata të dilnin jashtë ligjit, pra regjimi, sepse nuk ishin të zgjedhur.
Kisha idenë, që ne nuk mund të futeshim në zgjedhje në ato kushte, pasi ne duhet të hynim në zgjedhje në kushte të barabarta dhe jo në kushte krejt të disfavorshme për të bërë garë. Pra, ata duhet të dilnin jashtë ligjit për t’u barazuar me ne, për t’u zgjedhur dhe më pas për të bërë garë. Më ka ndjekur si hije e zezë ky fenomen, futja në zgjedhje me lloj- lloj manipulatorësh. Edhe pse fakti është, se Ramiz Alia nuk manipuloi zgjedhje, sepse nuk fitoi as vetë. Unë isha radikal për ta, sepse unë mendoja dhe e shprehja, që komunistët nuk duhet të jenë në drejtimin e Partisë Demokratike. Partia Demokratike duhet të ishte e të rinjve, sepse në fund të fundit ishte edhe një përplasje gjeneratash, një gjeneratë e përzier shumë me komunizmin dhe këtu nuk është çështja për të bërë të fajshëm ose të pafajshëm dhe një gjeneratë tjetër, që edhe pse nuk e kishte jetuar pjesën më të egër të komunizmit, që ishte fundi i viteve ‘60 me revolucionin dhe goditjen kundër fesë dhe fillimi i viteve ‘70 me goditjen kundër shfaqjeve të huaja siç i quanin ata, kishte mundësinë të ishte më pak e trembur dhe më pak e infektuar. Frikën e kishin më irracionale në krahasim me të tjetërët, që e kishin frikën të lidhur me ç’ka kishin parë e jetuar në ato kohë të egra të komunizmit. Fakti është, që komunistët e morën në qafë PD-në.”
(Edi Rama, intervistë për autoren, mars 2012)
I pyetur pikërisht për bisedën që ka zhvilluar me Edi Ramën, Arben Imami konfirmon, se kishte bërë shumë përpjekje që Rama të mos largohej nga PD-ja. Imami konfirmon gjithashtu, se Rama ishte një ndër miqtë e tij të afërt, por thekson se në kohën kur kishte ndodhur reagimi i Ramës kundër Berishës, ky i fundit ishte konsoliduar si figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike. Pra, ngjarjet kishin marrë rrjedhën e tyre.
“Disa shokë a miq, kam bërë përpjekje të madhe për t’i afruar në PD. Sigurisht që Rama ka qenë një ndër kolegët e mi. Me Ramën kemi pasur lidhje miqësore dhe bashkëpunimi para ‘90. Sigurisht kam bërë përpjekje që ai të afrohej në PD. Jemi duke folur për një moment kur Berisha si drejtues, ishte relativisht i përvijuar. Në datën 15 dhjetor, mbas konstituimit të komisionit nismëtar, bashkë me Preçin u nisëm për në TVSH, mbas ngjarjeve në Elbasan dhe Durrës. Hartuam një deklaratë që në thelb ishte për uljen e gjakrave. Ato provokime i bënte Sigurimi dhe kjo ishte tërësisht e qartë. Në deklaruam në TVSH, se ne nuk duam ekstremizma dhe nëse ato ndodhin nuk janë vepër e jona. Në atë ndërkohë po zhvillohej mbledhja e parë e komisionit nismëtar të PD-së dhe futet edhe Edi. Më sa di, u mirëprit në mbledhje dhe fare mirë ai mund të bëhej pjesë e komisionit, por ka pasur debate pse nuk e hiqni Ramiz Alinë etj… Në fund ka shkëmbyer fjalë me Pashkon dhe është larguar”.
(Arben Imami, intervistë për autoren, korrik 2013)
Takimi i PD-së me intelektualët, përplasja e dytë Berisha – Rama
Përplasja e dytë Berisha-Rama ka ndodhur në një takim, që PD-ja kishte organizuar me intelektualët e Tiranës në fund të janarit të vitit 1991, në një prej sallave të Bibliotekës Kombëtare. Si mik i Edi Ramës, Arben Imami gjendej ngushtë, pasi nuk i kishte reshtur përpjekjet për ta përfshirë atë në PD. Por nga ana tjetër, Sali Berisha ishte konsoliduar si figurë qendrore e themeluesve, ndërsa qëndrimet mes tij dhe Edi Ramës, dukeshin të papajtueshme.
“Në atë takim Rama e sulmoi Berishën për një oportunizëm, le të themi të PD-së kundrejt regjimit. Në fakt çdo kriticizëm ishte me vlerë, nuk them të kundërtën. Por duhet sqaruar, se ide e propozime, që çonin në konfrontim tregonin mungesë përgjegjësie. Ndërhyra dhe patëm një debat. Rama e njihte qëndrimin tim për ato rrethana të janar-shkurtit, por nevoja për ndryshimin e tyre duhej peshuar me kushtet e atyre rrethanave. Edhe nëse ishim për një vijë presioni, kurrsesi për konflikt social, kurrsesi për konfliktin. Kemi bërë gjithçka për ta shmangur atë. Kjo është padyshim një ndër meritat e mëdha të themeluesve e të drejtuesve të PD-së, të cilët u përpoqën në çdo rast për të shmangur konfliktin, i cili i kanosej Shqipërisë në çdo çast. Duhet analizuar situata në kontekstin e kohës. Ne kishim presion të madh nga mbështetësit tanë, sikurse edhe pala tjetër kishte presionin e madh të enveristëve. Duhen parë gjërat siç ishin, jo siç do të donim të ishin. E vërteta e asaj mbledhje është se, po, Edi Rama kishte mendimin se Berisha nuk ishte personi i përshtatshëm për të qenë në krye të PD-së”.
(Arben Imami, intervistë për autoren, korrik 2013)
Komisioni nismëtar i Partisë Demokratike
Një bisedë rreth dy orë me Arben Imamin, pasditen e 13 dhjetorit, u shndërrua në garanci për Sali Berishën, në një situatë kur nuk ishte qartësuar mirë rruga dhe personi që do të ulej në karrigen e kryetarit. Në atë bisedë, Berisha kishte shfaqur hapur ambicien e tij për t’u bërë personazh kryesor në parti. Vetë Imami dëshmon për këtë:
“Në pasditen e 13 dhjetorit kam qëndruar për rreth dy orë në një bisedë më Sali Berishën, te mensa e vjetër, diku më sipër. Kemi biseduar gjatë dhe më ka sqaruar pozicionin e tij. Më ka thënë, që donte të kontribuonte për këtë vend, për të mos lënë të dështonte Lëvizjen Studentore; Siç m’i tha, i besova. Fakti është, se ashtu dolën edhe pas shumë vitesh. E dyta, ky është formulimi i sotëm që i bëj asaj bisede. Mandej, duhet theksuar qartë se në atë kohë nuk kishte shumë njerëz që afroheshin për të kontribuar. Ne duhet të ishim sa më shumë. Ishte kohë e vështirë dhe nuk ishte aq e lehtë të bindje dikë të vinte të organizohej në një parti kundër PPSH-së me atë histori mizore 50 vjeçare të saj. Ende nuk kishte ardhur momenti, që njerëzit të kishin garanci se sistemi po merrte fund”.
(Arben Imami, intervistë për autoren, korrik 2013)
Më garancinë se kishte mbështetjen e Hajdarit por tashmë edhe të Imamit, Sali Berisha u shfaq në krah të të dyve, në podiumin që drejtoi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të komisionit nismëtar të PD-së.
Ata të tre, sot konsiderohen të vetëzgjedhur në atë pozicion, sidoqoftë, Hajdari e Imami, kishin statusin e nevojshëm për të qenë aty. Ndërsa Berisha ishte i zgjedhuri i tyre. Grupi tjetër, ai i Gramoz Pashkos, ishte në sallë atje ku ishin gjithë të tjerët, studentë e pedagogë, intelektualë e punëtorë të përfshirë në këtë lëvizje. Një prej drejtuesve të hershëm të PD-së, mjaft aktiv në organizimin e kësaj partie, rrëfen detajet e zgjedhjes së anëtarëve të komisionit nismëtar të PD-së si dhe batutat ndërmjet Pashkos dhe Berishës.
“Në presidium ishin njerëz të vetëzgjedhur. Sali Berisha, në dy krahët e tij kishte Azem Hajdarin dhe Arben Imamin. Pra në një farë mënyre ishte iniciator i kësaj pune dhe më i qartë në qëndrimin e tij. Mund të ishin më shumë se 200 veta në atë sallë. Aty u propozua të zgjidhej një ekip drejtues, që do ta drejtonte partinë në hapat e mëtejshëm. Në ato pika që kishin hedhur ata që bënë edhe programin minimal, propozuan që të zgjidhej një komision nismëtar. Ideja që hodhi Saliu ishte që të kishim këtë komision dhe një kryetar, i cili do të ishte provizor dhe simbolik dhe të tjerët të ishin të gjithë anëtarë. Saliu propozoi Azem Hajdarin, nisur nga kontributi i tij në krye të lëvizjes studentore si lider i saj. U zgjodh pa asnjë kundërshtim. Pastaj u vendos të zgjidhej komisioni. Saliu propozoi, që komisioni të përbëhej nga studentët, nga klasa punëtore dhe nga përfaqësues të intelektualëve. Në këtë moment Gramozi reagoi me ironi, pasi nuk i pëlqeu fjala klasa punëtore, pra ishte zhargon i Partisë së Punës (edhe nga salla pati një farë replike) dhe me ironi tha: të kemi edhe disa përfaqësues nga fshatarësia kooperativiste. Dhe Saliu me naivitet i tha “po, të kemi edhe përfaqësues nga fshatarësia”. Mirëpo Gramozi e kishte me ironi dhe u nxeh aq shumë, sa për pak doli nga salla.
Përfundimisht u vendos të zgjidhen gjashtë studentë, pesë përfaqësues nga intelektualët dhe katër nga klasa punëtore. U propozuan aty për aty. Presidiumi propozoi dhe disa të tjerë nga salla. Emrat që janë dokumentuar, janë kryesorët që kanë qënë në komisionin nismëtar, por aty mungojnë emra të tjerë, që defakto ishin pjesë e rëndësishme e komisionit nismëtar. P.sh. disa nga ata që u zgjodhën aty atë ditë nuk erdhën në asnjë mbledhje, si Alma Bendo, e ndonjë tjetër. Merita Zaloshnja u zgjodh dhe u propozua nga i vëllai, Eduard Zaloshnja. Ky i fundit ishte pedagog në Institutin Bujqësor. Kur propozoi Meritën, ai tha “është ekonomiste e mirë, intelektuale dhe repersekutuar”. U miratua edhe Merita dhe ka qënë pjesë aktive e komisionit nismëtar të PD-së. Lista është ajo që ju keni, por ka pasë shumë emra të tjerë shumë aktivë, që ishin pjesë mjaft e rëndësishme e komisionit nismëtar, apo veprimtarisë së PD-së së orëve të para, por që nuk janë në atë listë. Pra, aty mungon Eduard Selami, mungon Leka Meksi, mungoj unë (Arben Demeti), mungon Genc Ruli. Por, e vërteta është se të gjithë këta e të tjerë ishin shumë aktivë, madje më shumë se të tjerë që ishin zgjedhur atë ditë, që nuk erdhën për asnjë moment në mbledhjen e komisionit nismëtar të PD-së, për arsye të ndryshme. Në atë komision provizor u zgjodhën njerëz edhe në mënyrë të rastësishme, edhe pse ishin aty në momentin e duhur. Unë për veten time, nuk desha të propozohesha, sepse isha ende anëtar i PPSH-së. Dhe kisha në plan një angazhim për reformimin e PPSH-së”.
(Arben Demeti, intervistë për autoren, qershor 2013)
Merita Zaloshnja e konfirmon përzgjedhjen e saj sipas rrëfimit të Demetit:
“Një nga shoqet e mia, Mimoza Gorica, kërkoi fjalën. Ajo insistonte që unë duhet të isha në Komisionin Nismëtar të PD-së, si përfaqësuese e grave, po në këtë kohë nga rreshtat e parë ngrihet vëllai im, Eduardi dhe thotë, që unë do të bëj një propozim të çuditshëm, do të propozoj motrën time Merita Zaloshnjën. Më ra pika në atë moment, nuk më erdhi hiç mirë, po shoqja ime që kisha në krah, Eridan Herri, më thotë: Ti e meriton Merita, kjo është partia jonë”.
(Merita Zaloshnja, intervistë për autoren, tetor 2013)
Akli Fundo, një prej studentëve më aktivë në lëvizje, thotë se fillimisht propozimi ishte, që në komisionin nismëtar të ishin dhjetë studentë, dy përfaqësues të intelektualëve dhe dy të tjerë nga shtresat e tjera të shoqërisë. Fundo thotë, se në ato momente, si protagonistë të lëvizjes po shfaqeshin shumë studentë, që nuk kishin merita të theksuar gjatë katër ditëve të mëparshme, por që dukej qartë se po kërkonin të merrnin merita që s’ju takonin. Nisur nga kjo problematikë, sipas tij, dhe nga ideja se studentët nuk kishin përvojën e duhur për të organizuar partinë në krahasim me aftësitë e intelektualëve, ishte propozuar që të ulej numri i studentëve anëtarë të komisionit nismëtar. Ky propozim hasi në kundërshti nga një pjesë e studentëve të pranishëm në sallë, por më pas u miratua nga shumica.
Kështu u zgjodh komisioni nismëtar i Partisë Demokratike i përbërë nga 15 vetë. Gjashtë prej tyre ishin studentë, pesë intelektualë dhe katër nga klasa punëtore.
Tema
Add new comment