Eduard Selami: Nuk ka dualitet Berisha-Basha në PD

Postuar në 08 Janar, 2014 04:14

Konfliktualiteti në politikën shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë me tone të larta dhe që në të kaluarën e ka dëmtuar vendin. Sipas jush, a ka shanse për të ndryshuar kjo klimë e acaruar?

Ajo duhet të ndryshojë. Mendoj që keni të drejtë, që ky konflikt i ka kushtuar shumë Shqipërisë. Unë dua të theksoj që klasa politike së pari, duhet të kuptojë që marrja e pushtetit nuk është qëllim në vetvete, ka vlera më të rëndësishme sesa pushteti. Duhet që patjetër të vihet në plan të parë interesi kombëtar, interesi i shqiptarëve. Ka shenja pozitive për këtë. Ne si opozitë tashmë kaluam në Parlament një rezolutë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, dhe kjo është një përpjekje e përbashkët dhe mendoj se ka akoma vend për përmirësime.

Të kalojmë pak tek riorganizimi i PD-së, ku ndodhet procesi?

Jemi në proces, pati një ngadalësim. Kryetari Basha në një intervistë që pati para pak kohe, e tha që pati një ngadalësim dhe kjo më shumë për shkak të rritjes së temperaturës konfliktuale, por tashmë ky është një proces që ka filluar dhe unë jam optimist që ky proces do të sjellë ripërtëritjen e PD-së që të kthehet edhe një herë si parti e vizionit,

e shpresës për të ardhmen, me qëllim që të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat janë para.

Kritikët e PD-së thonë se ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha vazhdon t’i japë tonin

kësaj partie, ndërkohë që kryetari aktual e ka të vështirë të krijojë një profil të tij. A kemi të bëjmë me një dualitet në PD mes dy figurave kryesore?

Nuk mendoj që është dualitet. Kuptohet që kundërshtarët mezi e presin, sepse është një mënyrë e mirë për të krijuar përçarje brenda partisë, por unë që jam brenda nuk e shikoj në këtë mënyrë. Është e natyrshme që pas një kohe kaq të gjatë që zoti Berisha ishte në pushtet, ai është një zë në PD, por zoti Basha është një kryetar i zgjedhur nga 80 për qind e mbështetësve të drejtpërdrejtë të PD-së, si dhe ka mbështetjen e vetë zotit Berisha.

SHBA dhe Shqipëria vazhdojnë të deklarojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Megjithatë, kohët e fundit ka pasur disa deklarime në shtyp, si nga ana e disa elementëve të PD-së, ashtu dhe nga ana e vetë ambasadorit amerikan, të cilat si të thuash, nuk përputhen me marrëdhëniet aktuale mes të dyja vendeve, që janë shumë të mira. Ju, si e komentoni këtë?

Kuptohet, unë këtu jam për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por në Uashington pata rastin të takoj zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe zyrtarë të lartë të tjerë, dhe mendoj se marrëdhëniet midis Amerikës dhe Shqipërisë gjithmonë kanë qenë shumë të mira dhe Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-së për kontributin. Por dua të them që vendimi i marrë për armët kimike mendoj që ka qenë një zhgënjim për administratën amerikane dhe në këtë drejtim them se ne humbëm një rast, Shqipëria humbi një rast që kryeministri aktual nuk e trajtoi këtë problem siç duhej trajtuar, me seriozitetin dhe përgjegjësinë që i takonte. Nuk iu dha mundësinë shqiptarëve që t’u japë një vendim të bazuar mbi fakte të drejta dhe mendoj që ka një lloj tërheqjeje në këtë marrëdhënie (SHBA-Shqipëri). Fatkeqësisht, faji është i kryeministrit Rama.

Por letërkëmbimet kanë qenë midis disa elementëve të PD-së dhe ambasadorit Arvizu, kryesisht për armët kimike dhe për çështje të tjera…

Për mua, kjo më tepër është në rrafshin personal, pak më shqetëson. PD-ja është një parti e krijuar si parti perëndimore, e vlerave perëndimore, me një ndihmë të jashtëzakonshme proamerikane. Kanë qenë institute amerikane që na kanë mbështetur që në fillim, nga figurat më të mëdha që na kanë mbështetur, që nga Xhorxh Bushi i pari etj., ndaj nuk ka asnjë antiamerikanizëm brenda PD-së. Deklaratat personale të dyanshme unë gjykoj se duhen parë në një vështrim më të kujdesshëm, pasi nuk është kjo fryma që dominon në PD. Ajo është një parti properëndimore dhe amerikane, dhe në këtë pikë unë mendoj se jam shembulli më i qartë për këtë gjë, jam shqiptar dhe jam amerikan dhe, jam krenar për këtë gjë.

Kohët e fundit opozita është përfshirë në kritika të ashpra ndaj punës së përditshme të qeverisë, ndërkohë që nuk shoh ministra të ripërcaktuar të PD-së në këtë opozitë që PD-ja po zhvillon. Si e shikoni ju këtë?

Nuk jam i mendimit që nuk ka një strategji. Ne jemi fokusuar për forcimin e shtetit ligjor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne në parlament për herë të parë kaluam një rezolutë, e cila ishte në mbështetje të kësaj, dhe ishte hera e parë, pasi Rama kur ishte në opozitë bëri të kundërtën, e bllokoi. Ne po ngremë shqetësime për klimën e ekonomisë, rritjen e taksave. Për herë të parë Kryeministri e ka vënë Shqipërinë në një pozitë shumë të vështirë, pasi taksat janë më të lartat në rajon dhe kjo mund të rrezikojë atë stabilitet dhe atë ecuri ekonomike që kishte Shqipëria në një krizë kaq të rëndë. Ne ngremë shqetësime për korrupsionin, kemi ngritur shqetësime për forcimin e shtetit ligjor, për administrimin. Kështu që gjykoj se koha ka qenë e shkurtër dhe opozita është një opozitë bashkëkohore, që është e padrejtë të thuash që ajo nuk ka një bosht. Ajo ka një bosht, i cili është vizioni properëndimor: forcimi i demokracisë, forcimi i shtetit ligjor, forcimi i atyre arritjeve të bëra dhe ecja më shpejt e Shqipërisë dhe në këtë pikë mendoj se PD-ja është e qartë.

Shqipëria nuk e mori për herë të tretë ftesën për anëtare e vendit kandidat për në BE dhe një nga pikat që theksuat edhe ju ka të bëjë pikërisht me bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës që i kërkohet Shqipërisë që ta realizojë. Sipas jush, çfarë duhet të ndryshojë nga situata aktuale që ekziston mes palëve?

Unë mendoj se është thjesht skepticizmi që është në vendet e Europës për të parë se si do të ecim në luftën kundër korrupsionit, si do të ecim në forcimin e shtetit ligjor. Ka një trend për këtë punë, ka vend për më shumë. Por unë mendoj se vetë pozita duhet të heqë dorë nga një milion shuplakat që ne kemi marrë, pra nuk mund të trajtohet opozita në këtë mënyrë. Në këtë pikë ata kanë mbështetjen tonë, fryma jonë dhe kontributi ynë, siç e përmenda dhe në rastin e rezolutës, dhe në këtë mënyrë do të kenë mbështetjen tonë të pakushtëzuar, ashtu siç e ka thënë dhe kryetari Basha, për çdo ligj që ka të bëjë me forcimin dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në këtë pikë unë mendoj që Rama duhet ta shikojë më me seriozitet këtë punë. Dhe në këtë pikë unë mendoj që qershori vjen shpejt, ka ende kohë dhe duhet ta marrë me seriozitet mbështetjen tonë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.