Edi Rama fton zyrtarisht Sali Berishën në debat publik
Për herë të parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ftuar sot publikisht, kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Sali Berisha, në një debat publik, të hapur ku të shpalosin idetë dhe objeksionet e tyre.
Kryesocialisti Rama e bën ftesën përmes një publikimi për media pasditen e sotme, ku thekson se "është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç".
Duke përforcuar ftesën e tij ndaj Berishës, z.Rama thotë: "Le të vijë e të m'i thotë në sy ato që flet gojështhurur lartë e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pikë nga 1-shi tek 10-ta. Le të vijë e t'm'i tregojë në sy para opinionit publik po të dojë të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare dhe ta debatojmë para shqiptarëve sesa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet. Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundërofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë".
Ftesa e Ramës vjen në kohën kur kryeministri Berisha disa herë vitet e fundit e ka ftuar publikisht z.Rama për dialog por edhe për debat publik, por ka hasur në heshtje dhe refuzim. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama përmes shkrimit të sotëm ku ndalet në hedhjen për diskutim të ideve të parashtruara ditët e fundit prej tij, thekson se Partia Socialiste ka nisur një kurs të ri politik dhe oferta prej 10 pikash për një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa është hapi ynë i parë.
"Kemi shtrirë dorën drejt palës tjetër për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë dhe dalë nga rrethi vicioz ku na mban kyçur të gjithëve politika e vjetër e njëzet vjetëve kacafytje", - shprehet z.Rama. Kurse shton: "Nga pala tjetër kemi marrë vetëm shpotitje, fyerje, shpifje dhe konfirmimin e rrethit vicioz si e vetmja alternativë që kanë".
Në këtë pikë, z.Rama vlerëson: "S'ka problem. Ata le të shpotisin propozimet tona, ne do vazhdojmë të bëjmë propozime. Ata le të na fyejnë duke fyer inteligjencën e këtij populli, ne do ecim përpara me nismat tona për të trajtuar hallet e mëdha të njerëzve. Ata le të shpifin për ne si të ishim problemi i vetëm që i ka mbetur pa zgjidhur këtij vendi, ne do punojmë për t'i zgjidhur vendit problemet. Qytetarët le të shohin e dëgjojnë. Miqtë e partnerët ndërkombëtarë po ashtu".
Më poshtë vijon shkrimi i plotë i dërguar nga kryetari i PS, Edi Rama, pranë agjencisë NOA:
Koha për një debat publik
Nga Edi Rama
Oferta jonë prej 10 pikash për një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa është hapi ynë i parë. Kemi shtrirë dorën drejt palës tjetër për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë dhe dalë nga rrethi vicioz ku na mban kyçur të gjithëve politika e vjetër e njëzet vjetëve kacafytje.
Nga pala tjetër kemi marrë vetëm shpotitje, fyerje, shpifje dhe konfirmimin e rrethit vicioz si e vetmja alternativë që kanë. S'ka problem. Ata le të shpotisin propozimet tona, ne do vazhdojmë të bëjmë propozime. Ata le të na fyejnë duke fyer inteligjencën e këtij populli, ne do ecim përpara me nismat tona për të trajtuar hallet e mëdha të njerëzve. Ata le të shpifin për ne si të ishim problemi i vetëm që i ka mbetur pa zgjidhur këtij vendi, ne do punojmë për t'i zgjidhur vendit problemet. Qytetarët le të shohin e dëgjojnë. Miqtë e partnerët ndërkombëtarë po ashtu.
Sidoqoftë këmbëngulim të dimë, shkoqur, qëndrimin zyrtar të qeverisë për ofertën tonë. E do apo nuk e do kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian, duke adresuar drejt të gjitha kritikat e kërkesat e Bashkimit Europian dhe punuar së bashku në parlament për të rimëkëmbur shtetin, drejtësinë, institucionet me një proçes politik europian? Eshtë pak po e sigurtë se duke anatemuar opozitën nuk përshpejtohet integrimi. Nuk ndërtohet proçesi legjislativ për modernizimin e shtetit dhe forcimin e institucioneve. Nuk jetohet në një Shqipëri më të mirë se kjo e konfliktit banal me opozitën dhe e hajdutërisë qeveritare që do veç mjegull, tym, sherr. Sa për vete i qëndroj bindjes sime se Saliu nuk e do afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Europian. Vazhdimi i rrugës drejt BE-së bie ndesh me projektin e tij të një shteti pa institucione të pavarura, pa rend ligjor, pa pengesa për pasurimin e oborrit të vet në dëm të pasurisë kombëtare e të çdo qytetari që jeton jashtë oborrit të pushtetit. Ashtu siç bien ndesh, thikë më thikë, ëndrra europiane me ëndrrën e çmendur orientale të neutralizimit të mundësive të rrotacionit politik përmes asgjësimit de facto të lirisë së zgjedhjeve. Kurse ne duam shtet, institucione të pavarura nga pushteti, qeverisje transparente, administratë meritiokratike, konkurrencë të ndershme në një treg tërësisht të lirë dhe padyshim zgjedhje të lira e të ndershme në krye të radhës. Për këto ekzistojmë si forcë politike, për këto jemi në betejën politike, për këto do bëjmë çmos sot në opozitë dhe nesër në qeveri.
Mund t'i kthehemi sa herë të doni bojkotit gjashtëmujor që pasoi refuzimin për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të qershorit 2009. Kemi bërë gjënë e duhur dhe jemi plotësisht të qetë me ndërgjegjen tonë qytetare e opozitare. Ashtu siç bëmë gjënë e duhur kur vijuam ngulshëm me mosvotim në një parlament të dalë nga zgjedhje të vjedhura që i trembej si djalli temjanit transparencës së kutive të atyre zgjedhjeve, me protestat e demonstratat popullore, me diskreditimin kombëtar e ndërkombëtar të farsave zgjedhore e të autorit të tyre famëkeq. Kemi marrë pa dyshim koston e pashmangshme të mbrojtjes së lirisë së kërcënuar në kushtet e një shurdhërie të gjithanshme. Kemi paguar edhe çmimin tonë pa asnjë ngurrim. Por sot ama s'ka më shqiptar e ndërkombëtar që të mos e dijë se zgjedhjet në Shqipëri janë vjedhur dy herë, një herë në terr në gjithë vendin, herën e dytë ditën për diell në Tiranë dhe përsëri në terr shumëkund ku sytë e vëzhguesve s'kanë depërtuar dot në 8 maj. Raporti i OSBE/ODHIR-it është i qartë. Raporti i pritshëm i Komisionit Europian s'ka dyshim se do të jetë krejt i qartë. Sakrifikimi i Tiranës i vuri kapakun çdo dyshimi se lufta jonë qe për pushtet dhe jo për demokraci në një shtet të kapur nga litarët e interesave të paligjshme.
Me këto lloj proçesesh zgjedhore s'ka Shqipëri Europiane dhe s'ka mesa duket as derë të hapur për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Dy vjet më parë ishim dëshmitarët e vetëm të grabitjes së zgjedhjeve. Dy vjet më vonë, falë aksionit tonë të rezistencës opozitare dhe zullumit të trashur të Saliut në sytë e gjithë botës në 8 majin e dhunshëm të Tiranës, s'jemi më vetëm. Dhe domosdoshmëria për zgjedhje të lira e të ndershme s'është më një aspiratë opozitare po një kërkesë e shtruar edhe ndërkombëtarisht për zgjidhje. S'ka më shurdhëri, po alarm mbarëkombëtar e ndërkombëtar për gangrenën me pasoja shkatërruese të vjedhjes së zgjedhjeve. Ky realitet i ndryshuar e ka mbyllur vetiu kapitullin e dy viteve të shkuara dhe ka imponuar hapjen e një faqeje tjetër të betejës sonë. Me një kurs të ri.
Jemi në parlament me pjesëmarrje jo vetëm të plotë, por edhe plotësisht proaktive për ta mishëruar kursin e ri në qasjen e në veprimin tonë politik. S'kemi as ultimatume siç i quan Saliu, as kushte siç thotë pala e tij, as iluzione siç kujton gabimisht një pjesë e opinionit të revoltuar opozitar. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët e dinë tanimë fare mirë se kush është Saliu dhe se sa mbrapsht po qeveriset ky vend. Të gjithë i dinë të gjitha për palën që sot i është bërë ferrë në këmbë Shqipërisë. Çka duan të dinë me plot të drejtë të tërë ata që e mezipresin ndryshimin dhe janë neveritur nga psikodrama e tejzgjatur politike, është kush jemi ne dhe si do ta qeverisim ne nesër këtë vend. Kursi ynë i ri është rruga drejt përmbushjes së të gjitha ekzigjencave të tyre legjitime ndaj nesh. Me një projekt të ri qeverisës në dorë e me dorën në zemrën e hapur ndaj popullit e miqve të këtij populli, ne do të marrim besimin për ta qeverisur këtë vend dhe do të bëjmë realitet kthesën e madhe drejt Shqipërisë Europiane. Duke ndryshuar rrënjësisht gjithçka në mënyrën se si qeveriset sot vendi, se si pushteti flet me qytetarët, se si komunikohet me palën kundërshtare në opozitë.
Oferta jonë për një pakt që duhet të jetë pikënisja e një marrëdhënieje të re politike në Kuvendin e Shqipërisë e në jetën publike, s'është pazar i pistë siç e pagëzoi një altoparlant i Saliut në parlament, po vizion i kthjellët europian. Kemi kërkuar nga qeveria pikë për pikë atë që do bënim po të ishim ne vetë në qeveri. Cdo kërkesë, propozim, nisëm tonën, njerëzit duhet ta lexojnë jo si një iluzion se Saliu do bëjë ç'kërkojmë ne sot, po si një shtjellim hap pas hapi të vizionit tonë të së ardhmes. Të misionit dhe rolit që duam të marrim përsipër me votën e popullit nesër. Nëse qeveria e dëgjon zërin e arsyes sonë aq më mirë. Fiton Shqipëria pa humbur tjetër kohë dhe kjo na intereson përpara të gjithave. Nëse në të kundërt, Saliu vazhdon kështu siç duken të gjithë gjasat, humbet Shqipëria dhe shtohen hesapet e hapura mes popullit dhe këtij pushteti që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë.
Ne ishim në krahun e popullit dje kur e refuzuam këtë parlament të dalë nga zgjedhjet e vjedhura dhe dolëm në rrugën e protestës për t'i rënë fort kambanave të alarmit. Jemi përsëri në krahun e popullit sot, kur pasi alarmi është përhapur anembanë, po shpalosim hap pas hapi alternativën tonë qeverisëse. Kujt i duken shumë 10 pika dhe thotë opozita vetëm kërkon, duhet të përgatitet që harkun e kohës që na ndan nga zgjedhjet të dëgjojë nga ana jonë shumë propozime të tjera. Të cilat s'janë kërkesat apo ankesat e nevojtarit në derën e qeverisë, po ambicia jonë për Shqipërinë që kërkon të dijë gërmë për gërmë projektin tonë politik dhe meriton të qeveriset katërcipërisht ndryshe në çdo hap e fushë.
Eshtë koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m'i thotë në sy ato që flet gojështhurur larteposhtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pike nga 1-shi tek 10-ta. Le të vijë e të m'i tregojë në sy para opinionit publik po të dojë të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare dhe ta debatojmë para shqiptarëve sesa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet. Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundërofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë.
Me shkopin e Nastradinit nuk ecet më tutje. E nëse Nastradini shkopin ka dhe asgjë tjetër, Shqipëria as ka vetëm Nastradinin e as mund të mbetet e vetme jashtë portave të Europës me shkopin e Nastradinit në dorë në vend të flamurit të Bashkimit Europian në qiellin e saj.
Marrë nga noa.al
Add new comment