E PROVOJNË ME LIRAKUN

Lirak Çelaj arriti ta fitojë garën për Kryetar të Degës së PDK’së në Prishtinë përballë Memli Krasniqit. Çelaj tha se tani ka ardhur koha që partia më e madhe ta udhëheqë kryeqytetin, por nuk tregoi se kush do të jetë kandidati. Ndërkaq, PDK të mërkurën shpalli rezultatet e votimit për Këshillin Drejtues, ku më së shumti vota mori Kadri Veseli.
Lirak Çelaj ka triumfuar të mërkurën karshi kundër-kandidatit të tij Memli Krasniqit, për Kryetar të PDK’së në degën e saj në Prishtinë.
Vendimin për këtë e ka marrë Kryesia Qendrore e kësaj dege pas dy raunde të votimit.
Në raundin e parë, dy kandidatët kishin marrë nga 13 vota, ndërkohë që raundi i dytë ka qenë vendimtar dhe gjithçka ka shkuar në favor të Çelajt
Menjëherë pas votimit, të dy garuesit folën para gazetarëve.
Kryetari i ri i Degës së Prishtinës me të marrë postin paralajmëroi fitoren e PDK’së në Prishtinë.
Ky, sipas tij, është edhe objektivi kryesor i partisë së Hashim Thaçit për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Tash kemi një cak tjetër, që t’i fitojmë zgjedhjet në Prishtinë që janë synimi dhe objektivi i Partisë Demokratike”, tha Çelaj.
Memli Krasniqin, ndërkaq, Çelaj e prezantoi si bashkëpunëtorin e tij më të mirë për të fituar garën për Kryeqytet.
“Memli është një prej njerëzve ma eminentë të Prishtinës dhe besoj që bashkë do t’ia dalim”, tha ai.
Ndërkohë, ai që ishte i bindur se do ta fitonte garën për degën në Prishtinë, Memli Krasniqi tha se do ta përkrahë mundësin e tij në synimin për të fituar në Prishtinë.
“Ju sigurojë se do të kemi një bashkëpunim tepër të ngushtë për të zhvilluar këtë kapitull që sapo e nisëm për PDK’në në Prishtinë, që në zgjedhjet e ardhshme PDK si partia më e madhe në Kosovë dhe parti që qeveris vendin të jetë edhe partia më e madhe në Prishtinë dhe parti që qeveris Prishtinën”, tha Krasniqi.
Asnjëri prej zyrtarëve të PDK’së ndërkaq nuk qartësoi se kush do të jetë kandidati i PDK’së për komunën, të cilën vazhdimisht ka dështuar ta marrë.
Çelaj tha se për këtë pritet të vendoset në proceset e radhës të partisë.
Ndërsa Krasniqi tha se për të zgjedhur më të duhurin për Prishtinën, ka nevojë për debat më të gjerë.
“Besoj që muajt të ardhshëm, jo afër zgjedhjeve, por në periudhë më të hershme do ta nisim këtë debat për të ardhur tek kandidati më i përshtatshëm apo opsioni më i mirë i PDK’së për Prishtinën”, tha Krasniqi.
Ndërsa nuk ka mohuar se mund të jetë kandidati i ardhshëm.
“Shikoni, proceset demokratike vota është ajo që i definon gjërat e ne si parti jemi model i demokracisë së brendshme e kemi dëshmuar këtë shumë herë duke përfshirë edhe këtë vendim të sotëm”, tha Krasniqi para gazetarëve.
Vitin e kaluar, ndërkaq, PDK pati paralajmëruar edhe krijimin e “Qeverisë në hije” për Prishtinën.
Me këtë partia në pushtet kishte deklaruar se dëshiron të ndihmojë në qeverisjen e mirë për kryeqytet, për çka ka pasur kritika të vazhdueshme.
Ndërsa një ndër propozimet e Kryesisë Qendrore për udhëheqjen e kabinetit në hije ishte përmendur edhe kryetari i sapozgjedhur i Degës së PDK’së në kryeqytet, Lirak Çelaj.
Gjatë ditës së mërkurë, PDK përmes një njoftimi për media bëri të ditur se ka përfunduar numërimi i 686 fletëvotimeve për anëtarë të Këshillit Drejtues
“Prej tyre 29 të pavlefshme, ndërsa fletëvotimet e vlefshme janë 657”, thuhet në komunikatën e PDK’së.
Ish – Shefi i SHIK’ut, Veseli doli si më i votuari për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK’së me 580 vota.
Ndërsa menjëherë pas tij u renditën: Hajredin Kuçi me 497 vota, Zenun paraziti me 494 sosh, e më pas Fehmi Mujota me 493.
Në dhjetëshen e parë ndërkaq me vota është renditur edhe Fatmir Limaj me 473 sosh, ndërkaq Jakup Krasniqi renditet në vendin e tridhjetegjashtë me 373 vota.
Para tij është renditur anëtari më i ri i PDK’së, Agim Çeku me 445 vota.
Ndërkohë, listës së anëtarëve të Këshillit Drejtues, që përbëhet prej 154 veta, i prijnë figurat e vjetra udhëheqëse të kësaj partie.
Me përfundimin e zgjedhjes së Këshillit Drejtues, ndërkaq PDK po i afrohet fundit të Kongresit të gjashtë zgjedhor.
Përmbyllja e këtij procesi pritet të bëhet tek javën në vijim, kur pritet që Këshilli i ri të vendosë për anëtarët e Kryesisë Qendrore të PDK’së, e cila pritet të pësojë ndryshime pas aderimeve të reja në këtë parti. Sido që të jetë, zgjedhjet në PDK kanë nxitur reagime të opozitës dhe të një pjese të shoqërisë civile, të cilat kanë kritikuar se gjithçka është zhvilluar në mënyrë jodemokratike.
EXPRESS
Add new comment