Dy përdorues droge në pranga, thyenin tek valuta dollarët fallco

Dy përdorues droge dhe një person që sillte nga Zvicra dollarë të falsifikuar, janë vënë në pranga nga strukturat e krimit ekonomik në Tiranës. Operacioni i koduar “Distiktivi” i kryer gjatë ditës së djeshme ka arrestuar shtetasit I.Nasufi, H.Taka si dhe Erjon Piraçi, 21 vjeç i konsideruar nga blutë dhe personi përgjegjës për sjellien nga jashtë Shqipërisë të kartmonedhave false të dollarit. Bëhet fjalë për kartmonedha të prerjes 100 dollarëshe ndërkohë që mësohet se gjatë operacionit policor janë sekuestruar dhe 5 mijë dollar të falcifikuar.
Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit ky grup kriminal përdorte përdoruesit e drogës për të këmbyer nëpër këmbimet valutore të kryeqytetit dollarët fals e më pas për të përfituar paratë. Dy personat që dyshohet se thyenin dollarët amerikane janë shtetasit e arrestuar I.Nasufi dhe H.Taka, të cilët në këmbim të dozave me heroinë që ua blinte Erjon Piraçi, kryenin thyerjen e dollarëve të falcifikuar në këmbimin valutor. Hetimet për këtë grup kriminal janë ende në vijim e sipër, ndërkohë që policia e Tiranës ka kërkuar dhe ndihmën e prokurorisë së kryeqytetit me qëllim zbulimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë marrjes në pyetje dy personat të cilësuar si përdorues droge kanë pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se ishin vënë në shërbim të shtetasit Erjon Piraçi, pasi ky i fundit u premtonte blerjen e dozave të drogës, ndaj të cilës ata kishin krijuar varësi.
Add new comment