Durrës, trageti përplaset me anijen tregtare, 3 të vdekur e 5 të zhdukur

Postuar në 20 Tetor, 2011 02:30

Rreth një orë pas mesnatës është shënuar një tragjedi detare rreth 20 milje nga vija bregdetare
Trageti i linjës Durrës - Bari “Ankara” është përplasur me anijen tregtare turke “Reina1”. Nga informacionet paraprake mësohet se anija tregtare, me një ekuipazh prej 10 shtetas turq turke ishte nisur nga Rusia për në drejtim të  Malin të  Zi dhe është mbytur menjëherë pas përplasjes.
Kapitaneria e portit ka bërë të ditur se 3 persona janë gjetur të pajetë dhe janë arritur të shpëtohen 2 të tjerë. Vazhdojnë ende operacionet e kërkim – shpëtimit, për 5 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të cilët rezultojnë të zhdukur.
Trageti duket se nuk ka pësuar dëme dhe ka qendruar në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që ka lajmëruar edhe Portin e Durrësit për tragjedinë.
Mësohet se në tragetin e linjës Durrës - Bari udhëtonin 196 pasagjerët dhe asnjë prej tyre nuk është lënduar. Ndërkohë ushtria, policia dhe spitali i Durrësit janë vënë në gatishmëri dhe është ngritur shtabi i emergjencës.

OPERACIONI I SHPETIMIT

Menjëherë pas tragjedisë detare është informuar porti i Durrësit. Ndërkohë mësohet se nga përplasja, trageti në të cilin ndodheshin 196 pasagjerë nuk ka pësuar asnjë dëm, dhe ka dhënë ndihmën e parë për ekuipazhin e anijes tregtare, që kanë përfunduar në det të hapur.
Mësohet se anija ushtarake ‘Iliria’, një skaf i policisë dhe katër motovedeta janë nisur në drejtim të vendngjarjes për të dhënë ndihmën ekuipazhit të mbytur turk.
Edmond Doraci, kapiten i Portit të Durrësit ka bërë me dije se 3 persona rezultojnë të vdekur ndërkohë që 5 të tjerë të zhdukur, të gjithë pjesë e ekuipazhit të anijes tregtare.
Doraci konfirmon se anija Patrulluese “01” ka nxjerrë në port dy të mbijetuar.
Ahmet Secik dhe Ahmet Bau janë dy marinarët turq, të cilët i kanë mbijetur tragjedisë detare, ndërkohë që mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Pritet që të nisin operacionet e shpëtimit nga ajri ku të zhdukurit do të kërkohen nëpërmjet helikopterëve, për shkak se deti mund t'i ketë largur në një distancë më të largët se vendngjarja.

RREFIMI RREQETHES I NJERIT PREJ TE MBIJETUARVE

“Ne udhëtonim nga Rusia drejt Malit të Zi, në orën 7:00 të mëngjesit ne duhet të kishim mbërritur në destincion, por anija u mbyt, gjithcka ndodhi rreth orës 1:00 të mëngjesit. U deshën vetëm dy minuta që anija të fundosej, nuk pashë të tjerë të mbijetuar. Kam thirrur nëse kishte njeri nga anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Por askush nuk u përgjigj përvec personit tjetër të mbijetuar.”,- rrëfen i mbijetuari duke munduar të kujtojë momentet e fundosjes.
“Trageti ‘Ankara’ u përplas me anijen tonë, ajo ishte një anije e vogël, kur ne u përplasëm kishim sinjal alarmi të ndezur. Kemi qëndruar pezull në det vetëm një minutë, pastaj pamë që anija u fundos. Pashë që brenda anijes ishin 5 nga shokët e mi. Kur anija po fundosej ishte presioni i ajrit që më nxorri jashtë. Cka bëri të shpëtoja, gjithcka ndodhi shumë shpejt. Shpresoj më gjtihë shpirt të gjejnë shëndoshë ë mirë pjesën tjetër të ekuipazhit. Tre apo katër persona të tjerë ishin jashtë anijes dhe besoj se do të gjenden më lehtë”,- vijon rëfimin e tij shtetasi turk i mbijetuar.

Marre nga balkanweb

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.