Ditmir Bushati: Berisha nacionalist anakronik! Ka krijuar varësi ndaj Serbisë

Postuar në 27 Janar, 2013 03:45

 

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian Ditmir Bushati, njëkohësisht deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste insiston se me veprimet aventuriere kryeministri Berisha ka krijuar varësi ndaj Serbisë. Në një intervistë për portalin informativ “Lajmifundit.al”, Bushati sqaron se nacionalizmi anakronik i shefit të mazhorancës synon të fshehë skandalet e qeverisjes dhe rrënimin ekonomik. Bushati ndalet edhe tek perspektiva e politikës së jashtme dhe asaj rajonale në qeverisjen socialiste në rast fitoreje të zgjedhjeve të 23 Qershorit. 

Bisedoi: Dardan Malaj

Z.Bushati cili është vlerësimi juaj për ngjarjet e fundit në Preshevë që kulmuan me heqjen e përmendores kushtuar dëshmorëve dhe tubimin e shqiptarëve të Preshevës?

Heqja e dhunshme e përmendores së martirëve në Preshevë nga qeveria serbe, është dëshmia më e qartë se Serbia vijon të mos kuptojë përgjegjësitë e së shkuarës së përgjakshme në këtë rajon. Përmes këtij veprimi, Serbia evidenton gjithashtu mungesë përgatitje për t’u ballafaquar me angazhimet aktuale ndërkombëtare dhe sfidat e së ardhmes evropiane. Pikërisht në një rajon që ka vuajtur luftërat, spastrimin etnik dhe intolerancën ndëretnike. Nga ana tjetër, është për t’u përshëndetur reagimi i pjekur e në mënyrë unike i shqiptarëve të Preshevës. 

Si do ta vlerësonit qëndrimin e qeverisë për këto ngjarje? Kryeministri në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së tha se: “ky akt dëshmon edhe njëherë se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë liritë, që i fituan me gjak”. Ndërkohë që zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme i cilësuan “qytetarë serbë me përkatësi shqiptare”.

Jemi përballë një reagimi të shtirur të një qeverie në ikje, e të një kryeministri aventurier që mendon veç për një grusht votash më tepër. Pse e them këtë? Sepse një kryeministër serioz, vendi i të cilit është anëtar i OKB-së, NATO-s, OSBE, KiE-së nuk përdor foltoret partiake, por kanalet diplomatike dhe ndërkombëtare për të adresuar situatën e papranueshme në Preshevë, ku shkelen hapur nga qeveria serbe Karta e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut,Konventa kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare, Rezoluta e Parlamentit Europian dhe Karta Evropiane e vetë-qeverisjes vendore. Ku cenohet, për më tepër, harmonia ndëretnike. Ndërkohë që kakofonia semantike e Ministrisë së Punëve të Jashtme më së shumti vjen prej padijes dhe paaftësisë që prej kohësh bren këtë institucion.

Nuk besoj se kryeministri e ka harruar detyrimin që buron prej Nenit 8 (1) të Kushtetutës, i cili thotë se: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Por, ai nuk reagon dot ndërkombëtarisht, sepse qeveria e tij është shkelëse e të gjitha angazhimeve të ndërmarra në dokumentet e sipërcituara.

Nuk duhet harruar se nën qeverisjen e tij u hoqën dhunshëm apo u lanë në degradim një pjesë e mirë e përmendoreve të heronjve të luftës antifashiste si: pesë e heronjtë e Vigut, të cilët simbolizojnë harmoninë dhe unitetin fetar të Shkodrës në luftën kundër fashizmit, apo monumentet e Qemal Stafës dhe Avni Rustemit, vepra e të cilëve është shembull frymëzimi për brezat e rinj.

Duke i bishtnuar ballafaqimit me aktualitetin, kryeministri propozon si “zgjidhje” të ashtuquajturin “bashkim të kombit shqiptar në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë liritë, që i fituan me gjak”. Në këtë mënyrë, krijon iluzionin e “përjetësisë së pushtetit të tij” dhe njëkohësisht projekton “ekzilin politik” të të gjitha autoriteteve të tjera përfaqësuese në trojet shqiptare. 

A besoni se do të ketë një rishikim të marrëdhënieve me Serbinë siç premtoi kryeministri?

Edhe ky deklarim i kryeministrit në foltoren partiake, i pa kolauduar me faktorët e tjerë politike në Shqipëri e rajon, apo kancelaritë perëndimore, do të koleksionohet në enciklopedinë e aventurave politike. Politikat e ndjekura nga ky kryeministër e kjo qeveri kanë sjellë një varësi të pakuptueshme ndaj Serbisë në: i) sektorin energjetik; ii) furnizimin me drithëra; iii) tregtinë e armëve. Ia vlen të reflektohet në mënyrë më të kthjellët e strategjike për këto çështje, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejt me interesin kombëtar.

Me aderimin e pritshëm të Kroacisë në BE, stabiliteti dhe demokratizimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë ankorimi i tij në BE, do të varet në masë të konsiderueshme nga niveli dhe cilësia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Kjo marrëdhënie nuk duhet karakterizuar si një marrëdhënie urrejtje e dashurie. Ajo ka nevojë të trajtohet me realizëm nga Shqipëria. Me peshën gjeostrategjike dhe përgjegjësinë që na jep anëtarësimi në NATO. Shembujt frymëzues nga historia nuk mungojnë. Mjafton të kujtojmë se themelet e Evropës së sotme u hodhën nga gjermanët dhe francezët – të cilët luftuan kundër njëri-tjetrit gjatës Luftës së Dytë Botërore – për t’i dhënë jetë një projekti realist bashkëpunimi shqiptaro-serb. 

A mendoni se tonet nacionaliste po dominojnë debatin politik duke eklipsuar njëkohësisht edhe integrimin Europian dhe çështjet thelbësore për zhvillimin e vendit?

Për fat të keq po. Shqetësimi për retorikën nacionaliste pasqyrohet në qëndrimet e SHBA-ve apo në konkluzionet e BE për Shqipërinë. Që nga përmbysja e regjimit komunist, është hera e parë që vendit tonë i kërkohet vetëpërmbajte në këtë drejtim. Aq më tepër kur dihet se efektet e kësaj retorike mund të shtrihen në disa shtete të rajonit ku jeton popullsi shqiptare.

Terreni i “nacionalizmit anakronik”, duket se i leverdis kryeministrit, i cili është personi më i interesuar për t’i bishtnuar temave apo sfidave reale me të cilat përballet shoqëria shqiptare të tilla si: papunësia, korrupsioni, varfëria, padrejtësia, pasiguria, shërbimi arsimor, shëndetësor, social etj. Është kryeministri që ka hequr dorë nga projekti i integrimit evropian, duke treguar me gisht opozitën, si shkaktare të mungesës së reformave dhe keqqeverisjes. Është kryeministri që shpreson të mbulojë skandalet e panumërta të qeverisjes së tij, e të “kërcënojë” stabilitetin demokratik në rajon, duke përvetësuar taktika nacionaliste. Në fakt, është i vetmi kryeministër në Evropë që “punon” që vendi i tij të transferohet nga radari i demokracisë dhe shtetit të së drejtës në atë të destabilitetit. 

A besoni se tema e “bashkimit kombëtar” apo “çështja kombëtare në përgjithësi” do të jetë përcaktuese në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit? Cili është qëndrimi i PS?

Nga mënyra se si shtrohet pyetja, përgjigja ime është jo. Pasi nuk besoj se ka shqiptarë që është kundër bashkimit kombëtar në hapësirën e përbashkët Evropiane. Çështja shtrohet nëse jemi përballë një strategjie të mirëfilltë bashkimi apo taktikash elektorale. Për fat të keq kjo e dyta tenton ta dominojë diskutimin publik në kurriz jo thjesht të projektit Evropian të kombit shqiptar, por para së gjithash të mirëqenies dhe përmirësimit të cilësisë së jetës të shqiptarëve kudo që ato jetojnë në rajon.

Programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” e konsideron dhe shtjellon çështjen kombëtare si elementin themelor të Shqipërisë Evropiane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për ta mundësuar këtë, Shqipëria duhet të ndryshojë për të qenë realisht burim frymëzim demokratik i hapësirës mbarë shqiptare. Sepse, Shqipëria 100 vjeç shtet ende nuk ka institucione mirëfilli demokratike që konstituohen mbi bazën e vullnetit popullor, nuk gjeneron ujdi politike për reforma të rëndësishme, nuk ka një ekonomi tregu funksionale, nuk ofron shërbime sipas nevojën por sipas xhepit, nuk ka një administrim publik evropian.

Nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit çfarë pritet të rishikohet sa i takon politikës së jashtme në rajon? 

Bazuar në programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” do të thellojmë kursin e politikës konstruktive në rajon, për shkak të eksperiencës përgjithësisht pozitive në këtë drejtim, duke pasur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e interesave kombëtare, parandalimin e konflikteve, kontributin për paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet demokratik në rajon.

Ndërtimi i një partneriteti shumëplanësh me shtetin e ri të Kosovës është i nevojshëm në rrafshin diplomatik, i detyrueshëm në rrafshin kombëtar dhe i domosdoshëm në rrafshin strategjik.

Respektimi i të drejtave themelore të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi e Luginën e Preshevës duhet të fitojë një dimension të ri, për shkak të rëndësisë strategjike për paqen, demokracinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.

Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan dhe duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, ka ardhur koha që kjo çështje të adresohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, larg retorikës nacionaliste dhe etheve elektorale.

Natyrisht, sfidë jo më pak e rëndësishme mbetet gjetja e një ekuilibri në formulimin e politikës së jashtme ndërmjet Ballkanit në kuptimin klasik të fjalës dhe Ballkanit Perëndimor. Lajmifundit/

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.