Dervishi: Në Vlorë e njohin Mitron dhe e dinë se cilit klan i përket dhe i shërben

Postuar në 30 Janar, 2014 03:35

Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, në një intervistë për DITA, thotë se ish-bashkiaku Marion Mitro i arrestuar dje në Rinas dhe që dyshohet për atentatin ndaj tij “dihet se cilin klan përfaqëson”. Por Dervishi refuzoi të jepte shpjegime se për cilin e ka fjalën, duke thënë se me këto detaje merret drejtësia dhe organet hetimore. Policia e arrestoi shtetasin Marjon Mitro nga Vlora në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që ai tentonte të linte Shqipërinë. Nga hetimet paraprake Mitro dyshohet si i implikuar në atentatin e dështuar ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe kryetarit të Komunës Qendër po në këtë qytet, Fredo Berberi.

Zoti Dervishi, besoj jeni në dijeni të operacionit policor, që goditi një grup kriminal, i cili akuzohet edhe për atentatin e dështuar ndaj jush?

Po, e kam dëgjuar dhe parë në lajme. Unë e kisha deklaruar edhe më parë, se kam besim tek shteti dhe policia dhe isha i bindur se ngjarja do të zbardhej, pavarësisht interpretimeve që iu bënë. Unë vazhdoj të mbështes çdo veprim ligjor të organeve ligjzbatuese në goditjen e këtyre dukurive kriminale.

A ndiheni më i lehtësuar?

Sigurisht që po, sepse ngjarja ishte e rëndë. Unë vazhdon t’i besoj policisë dhe strukturave hetimore se do e zbardhin plotësisht këtë ngjarje dhe të tjerat. Madje jam në mbështetje të tyre edhe në luftën ndaj informalitetit.

A e njihnit personin i cili akuzohet se ka kryer porosinë për atentatin dhe a ju ka kërcënuar më parë?

Sinqerisht që nuk e njoh. Madje mund të them se edhe si emër nuk e njoh. As kontakte nuk kam pasur me të dhe as telefonata. Madje jam surprizuar kur më thanë se paska punuar në institucionin e bashkisë deri pak muaj më parë dhe qenka larguar.

Vazhdoni t’i qëndroni mendimit se u sulmuat për shkak të luftës kundër informalitetit dhe detyrës?

Po, mendoj se qëllimi ishte goditja e shtetit, si përfaqësues i të cilit isha. Nuk kisha asnjë përplasje apo konflikt tjetër. Ishte koha e aksioneve për shembjet e ndërtimeve pa leje.

Duket e çuditshme që një ish-zyrtar vendor të përfshihet në një krim kaq të rëndë të dyshuar?

Thashë edhe më sipër, unë nuk e njoh vetë personalisht dhe as e kam mik. Por ata që e njohin këtu në Vlorë dhe madje që më thonë, e dinë se cilin klan përfaqëson Marion Mitro në këtë qytet. Kë ka miq dhe me cilët rri apo u shërben.

Mund ta specifikoni se për kë klan bëhet fjalë?

Këto gjëra i takojnë organeve hetimore. Unë kam besim se ngjarja do zbardhet plotësisht dhe çështjes do i shkohet deri në fund. Kjo ngjarje dëshmon se krimi i organizuar mund të prekë edhe nivele të larta./Bisedoi: Artur Qoraj

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.