Deputetët kundër ngritjes së HEC-it maqedonas në Dibër

Postuar në 11 Dhjetor, 2013 04:29

-Projekti i Maqedonisë për ndërtimin e HEC-it në Fushën e Lukovës, ka ndezur diskutimet në Komisionin e Jashtëm , anëtarët e të cilit zhvilluan një seancë informimi me përfaqësuese nga Ministria e Jashtme lidhur me situatën e shqiptarëve në rajon, Maqedoni, Kosovë (në zonën e Preshevës), dhe në Mal të Zi, si dhe problemet që lidhen me të. Deputetët shqiptarët ngritën shqetësimin se projekti i qeverisë shqiptare rrezikon që të shterojë burimet që furnizojnë lumin Drin dhe rrjedhimisht edhe heqjen e mundësisë për shfrytëzimin e hidrocentraleve ekzistues. Deputetët e mazhorancës kërkuan rishikimin e marrëveshjes midis shteteve të rajonit për ujërat duke e cilësuar atë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. “Projekti na sjell edhe një herë në vëmendjen tonë çështjen e Rrjedhjeve ujore dhe zonave ujëmbajtëse ndërkufitare. Kjo çështje jo pak e diskutuar gjatë dekadës së fundit, mbetet ende një nga problemet kryesore për t’i debatuar në marrëdhëniet me fqinjët tanë. Sigurisht që ne mund të diskutojmë përsa u përket pikëpamjeve social- ekonomike dhe ndikimeve mjedisore në përgjithësi, por është tepër e rëndësishme që të përballemi me këtë problem në fushën ligjore dhe institucionale. Në vitin 2011 është firmosur marrëveshja “Drini”. Një vizion strategjik i përbashkët, ndërmjet Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Është e qartë se drita jeshile për këtë projekt bie ndesh me këtë marrëveshje shumëpalëshe. Gjithashtu kjo marrëveshje është në kundërshtim me Konventën e Helsinkit “Për Mbrojtjen dhe përdorimin e Rrjedhave ujore dhe liqeneve ndërkufitare dhe Rezolutën 63/124 të Kombeve të Bashkuara Ligji për zonat ujëmbajtëse ndërkufitare”, mësohet të ketë deklaruar deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Përfaqësuesit e MPJ-së u shprehën se është ngrit një grup pune nga Ministria e Energjetikës që po merret me atë çështje, ndërsa sqaruan se pala maqedonase ka thënë që bëhet fjalë vetëm për një degë të vogël të një lumi që quhet Radeck dhe që s’ka ndikim në ujërat e Drinit.

Çështja çame

Edhe pse në përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme nuk e kishin në axhendë, deputetë kanë kërkuar sqarime dhe për situatën e emigrantëve në Greqi dhe për çështjen çame. Burime nga takimi bëjnë të ditur se në këtë mbledhje është kërkuar që çështja e kompensimit të pronave të popullsisë çame të jetë në qendër të vëmendjes së diplomacisë shqiptare. Sipas anëtarëve të Komisionit të Jashtëm, dy vendet gjatë bisedimeve duhet të gjejnë të gjithë teknikalitetet për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu, Ministria e Jashtme raportoi edhe për situatën e të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni dhe në luginën e Preshevës dhe të Bujanovçit, ku u kërkua një punë më e madhe nga diplomacia shqiptare për mbrojtjen e këtyre të drejtave. Bëhet e ditur se një prej deputetëve të opozitës kërkoi që Shqipëria të përfitojë edhe nga anëtarësia e saj në NATO për të ushtruar një lloj presioni ndaj Maqedonisë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që pushoi konfliktin midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Sa i përket shqiptarëve në Serbi, MPJ sqaroi se do të ndërtohet edhe një program për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë zonë. Deputetë kërkuan me konsensus që MPJ të hartojë raporte për të gjitha çështjet që diskutohet për shqiptarët në KiE, OSBE.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.