Deputetët e mazhorancës kundër qeverisë për taksimin e shtëpive të dyta: Është penalizim

Postuar në 18 Dhjetor, 2013 04:15

Maxhoranca miratoi dje me votat e saj dy ndër ligjet më të rëndësishme të paketës fiskale, ndryshimet në taksimin vendor dhe atë kombëtar.

Opozita e kundërshtoi draftin e ardhur nga qeveria, pasi sipas saj, me ndryshimet e taksave vendore cenohet autonomia e pushtetit vendor, ndërsa me sistemin e taksave kombëtare rritet kostoja e përditshme e qytetarëve.

Megjithatë, e vetmja pikë ku deputetët e mazhorancës dhe opozitës bashkoheshin, ishte shqetësimi për dyfishimin e taksës së shtëpive të dyta.

Deputetët e PS-së, Pandeli Majko dhe Vasilika Hysi, si dhe Petrit Vasili i LSI-së, e kundërshtuan rritjen e taksës për metër katror për shtëpitë e dyta.

Ish-kryeministri Pandeli Majko tha se sipas ligjit për taksën e banesave, shtëpia e dytë në qytet do të paguhet me dyfishin e vlerës së asaj që paguhet sot, ndërsa jashtë vijës së verdhë paguhet gjysma e vlerës.

“Brenda kësaj vije paguhet dyfish, jashtë vijës së verdhë paguhet gjysmë. Nëse ecim me logjikën e vilave, vilat do paguajnë gjysmën e këtyre që jetojnë në shtëpinë e nënës dhe babait. Unë e kuptoj se po pate më shumë se një shtëpi, me logjikën kush është pak më i pasur… dakord, edhe në Amerikë kështu bëhet. Shtëpia është tregues i pasurisë. Do më falni, por në Shqipëri shtëpia nuk është tregues i pasurisë”, u shpreh Majko.

Ndërsa deputetja Vasilika Hysi i pyeti përfaqësuesit e qeverisë se përse ata që kanë shtëpinë e dytë në Kodrën e Diellit apo Kodrën e Priftit duhet të paguajnë gjysmën e vlerës si taksë banese, ndërsa banorët e shtëpive në Tiranë paguajnë dyfishin e vlerës?

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti Petrit Vasili, i cili deklaroi: “Ne kemi rritur nga 10-15% tatimin mbi fitimin, kurse këtu shkojmë me 200%. Ky është një qëllim penalizues që nuk i stimulon shqiptarët për asnjë arsye të blejnë një banesë të dytë. Ku e ndihmon kjo shoqërinë, çfarë plusi sjell kjo nga pikëpamja sociale? Si ta kuptojmë se ne kemi vështirësi të gjithë ta kuptojmë këtë rritje dyfish? Hajde ta dallojmë, e trajtoni si biznes apo si pasuri…”.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e qeverisë deklaruan se numri i shtëpive është tregues i mirëqenies së qytetarëve dhe si të tilla duhen paguar më shumë.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.