Delishi: S’guxon kush të më bëj presion

-Kandidatët socialistë rrëzojnë akuzat e bëra nga opozita për lënie të detyruar të mandatit të deputetit. Merjeme Delishi, e cila u zgjodh si deputete në qarkun e Lezhës, pas lënies së mandatit nga Mimi Kodheli, konfirmon se arsyeja e vetme që ajo la këtë post janë arsyet shëndetësore. E kontaktuar nga gazeta “Shekulli” ajo deklaron se nuk ka pasur asnjë lloj presioni. Ajo dhe familja e saj po vazhdon normalisht jetën e përditshme. Delishi thotë se, ajo vazhdon të ushtrojë profesionin e noteres dhe se deklarimet e bëra për presione ndaj saj, janë thjesht shpifje për të njollosur Partinë Socialiste dhe personalitetin e saj. Ndërsa Arben Ndoka, i cili pritet të jetë deputeti më i ri i Partisë Socialiste, i pyetur nga “Shekulli”, për marrjen e mandatit të deputetit pas refuzimit të dy grave, pohon se këtë vendim duhet ta lexojë fillimisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Le ta lexojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendimin, ka një drejtori juridike që merret me këtë gjë. Unë kam qenë kandidat dhe kaq mund të them”, - pohon ai. Kandidati i radhës i PS-së për qarkun e Lezhës nuk pranon të komentojë akuzat e ngritura ndaj tij për presione. Ndoka pohon se: “Nuk dua të jap asnjë opinion apo koment në lidhje me këtë çështje”. Diskutimi për një emër të ri deputeti në qarkun e Lezhës lindi pas lënies së mandatit nga Mimi Kodheli, e cila në respekt të vendimit politik të socialistëve, tashmë mban vetëm postin e Ministres së Mbrojtjes. Pas lënies së mandatit prej saj, në respekt të kuotave gjinore, mandatin e mori kandidatja e radhës femër, Merjeme Delishi. Por, 3 javë pas betimit, ajo deklaroi lënien e mandatit për arsye shëndetësore. Kuvendi u informua dje se, ka refuzuar mandatin dhe kandidatja e radhës femër, Mirela Neli (Syku) e cila ishte e fundit grua në listë. Kjo bën që mandati i deputetit, sipas përcaktimeve ligjore, t’i kalojë Arben Ndokës.
Zonja Delishi, përse e latë mandatin e deputetes vetëm pak javë pas betimit tuaj në Parlament?
Kam lënë mandatin për arsye thjesht shëndetësore. Ju mund të pyesni në spitalin ku unë bëj dializë. Kjo është arsyeja e vetme. Unë jam paciente në spital dhe bëj dializë 3 herë në javë.
A ju është bërë presion për të lënë mandatin e deputetes?
Jam familje e nderuar, kam një reputacion të madh këtu në Lezhë dhe nuk guxon kush të na bëjë presion. Fakti që kam dalë për ditë në punë dhe djali im është përditë në punë, e vërteton këtë gjë. Unë po ushtroj aktivitetin tim privat, jam notere, nuk jam një person çfarëdo që mund të luaj dikush me mua. Kam aktivitetin privat, lashë mandatin dhe vijoj punën time që kam nisur para disa vitesh. Deklarimet janë vetëm fjalë gazetash për të nxirë Partinë Socialiste dhe personalitetin tim. Nuk dua të bëhem pjesë e debateve në media, janë deklarime shumë banale dhe shpifje që nuk kam denjuar fare t’u përgjigjem, nuk dua të bëhem pjesë e kësaj loje.
Cila do të jetë marrëdhënia juaj me Partinë Socialiste në vijim?
Do të vazhdoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe qytetarët e mi.
Basha: Deputetët e PS-së u kërcënuan të japin dorëheqje
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon mazhorancën se po shkel ligjin. Sipas tij, 4 gra socialiste u detyruan të japin dorëheqjen. “Katër gra socialiste u detyruan të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit nën kërcënimin e dhunës më të egër që ka miratimin dhe bekimin e Edi Ramës. Kjo është një ditë e zezë për Kuvendin e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, për gratë shqiptare, për bijtë dhe bijat e Shqipërisë. Kjo është një kambanë alarmi e paprecedentë për demokracinë shqiptare”, - tha Basha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, e zhvilluar menjëherë pas seancës së djeshme plenare. Sipas tij, bojkoti i kuvendit nga demokratët ishte reagim kundër këtij qëndrimi i cili do të kundërshtohet dhe nga forumet. “Grupi Parlamentar dhe aleatët nuk u pajtuan, u ngritën në këmbë. Gratë deputete të Partisë Demokratike reaguan në emër të dinjitetit të gruas shqiptare që nuk mund të pranojë të dhunohet, fyhet e poshtërohet në këtë mënyrë. Të gjitha forumet e grave në vend, të gjitha gratë e Shqipërisë do të ngrihen në këmbë kundër këtij poshtërimi. Ne do t’i mbështesim”, - deklaroi Basha.
Dorëheqja e tre deputeteve, opozita bojkoton
KQZ ka vendosur t’i japë mandatin e deputetit znj. Silvana Maksuti dhe znj. Mirela Neli (Syku), por Këshilli i Mandateve ka konstatuar se deputetet, Maksuti dhe Neli, kanë dhënë dorëheqjen. Berisha debaton me ministren Kodheli
Luis Tanushi
Janë tre kandidate femra që kanë dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Merita Kuçi dhe Arben Ndoka priten që të jenë deputetët më të rinj të kësaj legjislature. Pas lënies së mandatit të deputetit të dy ministrave të kabinetit qeveritar si dhe pas refuzimit të kandidatëve pasardhës, pritet që mandatin e ministrit Lefter Koka ta marrë kandidatja Merita Kuçi, ndërsa mandatin e lënë nga Mimi Kodheli ta përfitojë kandidati Arben Ndoka. Në Durrës, mandati përfitohet sërish nga një grua, ndërsa në qarkun e Lezhë, për shkak të dorëheqjes së të gjitha kandidateve femra, pritet që mandatin ta marrë Arben Ndoka, i cili në listë është renditur i treti. Nga LSI flitet se pavarësisht se si radhë në Durrës e merr Merita Kuçi, mund të zgjidhet edhe Bujar Derveni për të përfaqësuar Fushë-Krujën. Relatorja Vasilika Hysi, anëtare e këshillit të mandateve, ka paraqitur raportin. “Këshilli i Mandateve u mblodh sot dhe verifikoi dorëheqjen e deputetit z. Lefter Koka, i cili ka dhënë dorëheqjen nga mandati në kuadër të përmbushjes së zotimit politik për shmangien e funksioneve të dyfishta duke u përqendruar në rolin e ekzekutivit. Ndërkohë, ka dhënë dorëheqjen edhe deputetja znj. Merjeme Delishi për arsye shëndetësore”, tha Hysi.“KQZ-ja në mbështetje të Kodit Zgjedhor ka vendosur t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit, znj. Silvana Maksuti dhe znj. Mirela Neli (Syku). Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e tij administroi dorëheqjet e deputetëve dhe vendimet e KQZ-së. Në të njëjtën kohë nëpërmjet shkresave me numër protokolli 201 dhe 202 datë 22.01.2014 Këshilli ka konstatuar se deputetet, Silvana Maksuti dhe Mirela Neli (Syku) kanë dhënë dorëheqjen. Për pasojë Këshilli konstaton përsëri vakanca të krijuara si rezultat i dorëheqjes së deputeteve Silvana Maksuti dhe Mirela Neli (Syku)”, u shpreh anëtarja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Vasilika Hysi, duke shtuar se në bazë të ligjit Kuvendi do të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e këtyre vakancave të reja.
Debatet Berisha-Kodheli
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se me vendime mafioze ka larguar nga Parlamenti dy deputete femra dhe i ka zëvendësuar me përfaqësues të mafies. Sipas Berishës, dy deputetet që kanë dhënë dorëheqjen janë kërcënuar. “Sot është një ditë e rëndë për Parlamentin pasi dhunohen në mënyrë më brutale, nënat, motrat, gratë shqiptare në një vendim. Dhe kjo ndodhur kur dhuna familjare ndaj grave është bërë një problem madhor kombëtar dhe së bashku kemi votuar ligjet më të rënda për të vendosur një frenim ndaj këtyre akteve fyese. Ne sot i nënshtrohemi mafies, tentakulave të saj, një kompromisi të turpshëm për të përzënë nga Parlamenti 2 zonja dhe për t’i zëvendësuar ato me përfaqësues të mafies. A mendoni ju që është një akt që do të kalohet lehtë. Ky akt do të peshojë shumë rëndë mbi këtë vend, mbi këtë parlament dhe mbi këtë shoqëri”, tha Berisha, ndërsa replikoi edhe me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodhelin, duke e quajtur atë “konfidentja”.“Sa i përket kësaj konfidentes që ka për borxh të thotë kryekreu, i them këtu që ajo deputete mund të kujdeset për shëndetin e vet si deputete tre herë më mirë sesa jo deputete. Ajo deputete që ka një problem në veshka mund t`i shërbejë vetes në pozitat e deputetes disa herë më mirë. Ky parlament ka rregullat e veta dhe ka trajtimin e vetë ndaj deputetëve të sëmurë. Ka solidaritetin e vet ndaj deputetëve të sëmurë, por jo flakjen. Ka një kufi për ty mimikofidentja. Unë të them ty se atij që i bën avokatin jo një herë po me dhjetëra herë të ka sharë ty sepse kishte xhelozi se merrje me shumë se ai”, iu drejtua Berisha ministres Kodheli. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministres Kodheli. “Sali Berisha, ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë si askush tjetër në këtë Parlament të them dy gjëra. Jetën e babait tim ta kam borxh 2 herë dhe akoma e përmend këtë, për të tjerat me mua nuk mund të krahasohesh sepse në CV-në time nuk ka pasur dhe nuk do te ketë as sot, as vrasje, as hajnira”, tha ajo. Pas një mbledhjeje grupi, opozita nuk mori pjesë në votim duke braktisur sallën e Kuvendit për shkak të dorëheqjes së dy deputeteve femra të qarkut të Lezhës.
Replikat
Kodheli: “Delishi e sëmurë”; Topalli: “I morën peng fëmijën”
Zbardhen debatet në Kuvend për mandatet e deputeteve femra
Mesila Doda: Sot në Parlamentin e Shqipërisë u krye një hap i rrezikshëm për demokracinë dhe në mosrespektim të plotë të të drejtave të njeriut. Tre zonja deputete u detyruan të jepnin dorëheqjen dhe të zëvendësoheshin nga burrat që vinin më poshtë në listat përkatëse. Kjo është një çështje e rrezikshme për demokracinë. Nëse edhe një deputete ndjehet e shtrënguar të heqë dorë nga arritja më e madhe e karrierës së saj, marrja e mandatit të deputetit, atëherë në këtë vend askush nuk është më i sigurtë. Kryeministri që duhet të jetë garanti i të drejtave të më të dobëtve, hesht. Unë sot deklaroj se kjo klasë politike po tregohet e pafuqishme përballë mënyrave kriminale, me të cilat po dominohet ky parlament. Parlamenti ka vend ose për kriminelët, ose për politikanët. Të dy palët bashkë nuk mund të rrinë në të njëjtën tavolinë.
Ilir Meta-Dodës: Mos shfrytëzoni tolerancën për veprime të tilla që rrezikojnë veprimtarinë normale të Kuvendit.
Sali Berisha (nga vendi): A jeni ju që po kërkoni të vendosni rendin dhe sigurinë në vend? Si doni ta bëni këtë, nëse ju nuk hiqni dorë nga këto veprime mafioze? Por ju s’mund ta bëni dot këtë, pasi juve ju komandon mafia. (nisin ovacione nga salla)
Sadri Abazi (nga vendi)- Berishës: Ulu aty dhe mos fol për mafia këtu, pasi mafia je ti vetë.
Jozefina Topalli: Kurrë nuk ka ndodhur në historinë e këtij Parlamenti që deputeti të japë dorëheqjen, që të vijnë të tjerë në parlament. Ju zotëri që keni 20 vite në parlament, si ndiheni sot? Kur ka qenë, pra, parlamenti i mbushur me gra nga krimi i fortë si kësaj radhe?! Çohuni zonja në emër të fëmijëve tuaj, ju zotërinj deputetë, dilni zot të së ardhmes të fëmijëve tuaj. Ajo që po ndodh sot është e rëndë. Kodi i heshtjes është Kodi i mafies. Nuk janë të sëmura, por u kanë kërcënuar fëmijët. Nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit.
Ilir Meta-Topallit: Ju zonja Topalli keni të drejtë që shqetësoheni për të drejtat e grave, por asnjëherë nuk ke marrë pjesë në aktivitetet e grave parlamentare edhe pse je anëtare e Aleancës së Grave Parlamentare.
Mimi Kodheli për Topallin: Propozuam zonjën Mesila për kryetare, zonja Topalli nuk ishte fare pjesë e Aleancës ndaj nuk mund të ketë marrë pjesë në aktivitete. Më vjen keq, se në emër të grave nuk mund të abuzohet për gratë. Ndaj si ish-deputete e qarkut të Lezhës, si kryesuese e PS-së në atë qark, nga i cili kam dhënë dorëheqjen nga posti i deputetit, bazuar në respekt të forcës sime politike, siguroj se lista e deputetëve në Qarkun e Lezhës është gjithëpërfshirëse e dinjitoze. Ajo listë vërtet është përballur me mafien, dhunën, vështirësitë që ai qark sjell, për shkak të vështirësisë që ju zotërinj në tetë vite qeverisje i keni lënë. Merieme Delishi është zonja më e nderuar që rrethi i Lezhës ka. Është e turpshme të abuzohet me këtë emër te respektuar, të përmendet. Por nuk është e turpshme të jesh e sëmurë. Zonja Delishi është në proces dialize 3 herë në javë. Edhe pse në pamundësi fizike, ajo hyri në listë për shkak të figurës që përfaqëson në atë rreth, bazuar edhe në kodin tonë të respektuar zgjedhor, që kuotat rozë të respektohen, se ndryshe partitë politike gjobiten. Ju abuzuat me përqindjen e grave. Nuk keni asnjë grua të zgjedhur në administratën lokale, se i respektoni shumë gratë. Ky është show i padenjë, as për Kuvendin, as për zonjat që denjësisht përfaqësojnë këtë kuvend.
Mesila Doda, pasi e ndoqi fjalën e Kodhelit në këmbë dhe jashtë tavolinave të deputetëve së bashku me Majlinda Bregun e Albana Vokshin, kërkoi të drejtën e replikës, por duke zaptuar foltoren e Kuvendit pa miratimin e kryetarit të seancës.
Ilir Meta: Zonja Doda s’është kjo mënyra e duhur për të bërë politikë dhe protagonizëm politik.
Mesila Doda: Dëshira ime e fundit është “protagonizmi politik”. Duhet të dihet ajo çfarë ndodhi, përveç faktit kush është te Aleanca e Grave, se edhe zonja Kodheli sot nuk është. Thirrëm mbledhje e bëmë deklaratën, që nuk biem dakord me hapat që bënë këto zonja. Nëse ne do të pranonim presionin ndaj grave, atëherë ne si Parlament jemi dorëzuar para krimit. Kur kanë frikë deputetët e Shqipërisë, atëherë ky vend ka marrë fund. Hajde të bëhemi bashkë të ngremë një komision të përbashkët hetimor për këtë çështje, apo ti kërkojmë institucionit më të lartë të shtetit, Presidentit të Republikës që të ndërhyjë së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund këtij presioni që po i ushtrohet Parlamentit. Ju zonja Kodheli duhet t’i kishit mbrojtur e para ato gra.
Jozefina Topalli: Kjo ngjarje është shumë e rëndë dhe është shumë e frikshme. Ju ftoj publikisht, juve zoti Kryetar i Kuvendit, juve zoti Kryeministër dhe juve zonjë si ministre e Mbrojtjes, që të bëjmë së bashku një rezolutë të përbashkët që t’ia dërgojmë ndërkombëtarëve, ku t’i vëmë në dijeni për situatën e rëndë që është krijuar në vend.
Ilir Meta: Kjo retorikë e juaja e pa shoqëruar me veprime konkrete parlamentare dhe ligjore, është thjesht një propagandë dezinformim i opinionit publik. Tani do të flasë mbrojtësi më i madh i të drejtave të grave (për Berishën).
Shekulli
Add new comment