Deficiti më i lartë në histori

Gjergj Erebara
Qeveria shqiptare ka ndër mend të mbajë një buxhet me deficit prej 956 milionë dollarësh gjatë vitit 2014, lehtësisht i dallueshëm si deficiti më i lartë i realizuar për aq sa mbahet mend. Buxheti i paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë synon të shlyejë faturat e prapambetura të akumuluara nga qeveria paraardhëse, e cila përgjatë viteve të fundit prokuroi investime publike për të cilat nuk dispononte të ardhura të mjaftueshme për t’i paguar apo nuk respektoi detyrimin ligjor për të rimbursuar taksat dhe tatimet shtesë të paguara nga bizneset.
Të ardhurat
Qeveria shpreson të sigurojë 420 milionë dollarë më shumë të ardhura, nga të cilat, 200 milionë do të jenë nga taksat e reja, rreth 100 milionë do të vijnë nga rritja e pritshme e ekonomisë, dhe pjesa tjetër shpresohet të sigurohet nga lufta kundër evazionit fiskal. Është shumë e pasigurt që të ardhurat nga lufta kundër evazionit fiskal do të realizohen me të vërtetë, por gjithsesi, parashikimet e qeverisë nga të ardhurat nga rritja e taksave janë shumë konservatore dhe ka gjasa që do të jenë më të larta sesa 200 milionë dollarë.
Shpenzimet
Shpenzimet e qeverisë parashikohen të arrijnë në 4.6 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat shpresohen të arrijnë në 3.64 miliardë dollarë. Deficiti parashikohet të arrijë në 6.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria ka në plan të marrë 460 milionë dollarë borxh të ri në tregun e brendshëm, ndërsa pjesa tjetër shpresohet të sigurohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një marrëveshje me FMN-në nuk është firmosur ende.
Qeveria parashikon rritje të shpenzimeve operative me 170 milionë dollarë, nga të cilat një pjesë do të shkojnë për paga dhe një pjesë për interesat e borxhit publik. Lajmi i mirë duket se është fakti që pas zemërimit publik mbi mospagesat në kohë të ndihmës ekonomike dhe pagesave për njerëzit me aftësi të kufizuara, qeveria ka vendosur të rrisë buxhetin për këtë shtresë me 15 milionë dollarë në krahasim me buxhetin e këtij viti.
Investimet
Qeveria parashikon të shpenzojë 700 milionë dollarë për investime, nga të cilat, 390 milionë dollarë klasifikohen si “detyrime të prapambetura”. Por nga këto, 12 miliardë janë fatura të papaguara për projekte infrastrukturore publike, ndërsa pjesa tjetër janë detyrime të prapambetura të administratës doganore e tatimore. Ndryshe nga sa ka deklaruar më parë për mosnisjen e investimeve të reja publike dhe priorizimin e investimeve te përfundimi i veprave ekzistuese, ajo ka hartuar një listë me projekte për të cilat nuk janë nënshkruar kontrata, por që do të prokurohen gjatë vitit të ardhshëm.
Borxhi
Borxhi publik shqiptar aktualisht është 911.5 miliardë lekë, (rreth 9.1 miliardë dollarë) dhe ligji i buxhetit autorizon qeverinë ta rrisë këtë edhe me 956 milionë dollarë të tjera, duke kapërcyer për herë të parë kuotën e 1 trilionë lekëve.
Ana pozitive është që interesat e borxhit publik të brendshëm në Shqipëri janë shumë të ulëta aktualisht dhe ka gjasa që do të vijojnë të mbeten të ulëta për shkak të hapjes së konkurrencës në tregun e bonove dy vjet më parë. Ulja e interesave ka bërë që Shqipëria të paguajë një çmim më të ulët për një borxh më të madh. Natyrisht, efekti final është mbi depozituesit, pasi rënia e interesave të borxhit publik ka sjellë edhe rënie të shpejtë të interesit të depozitave në lekë.
Problemi më i madh është te fakti që me kaq shumë para që qeveria do të mbledhë nga tregu bankar, ka pak shpresa për të parë rigjallërim të kreditimit në ekonomi. Aktualisht, qeveria është subjekti që ka marrë hua pjesën dërrmuese të kursimeve të shqiptarëve dhe pjesa e mbetur për t’u kredituar është minimale.
Rritja e borxhit publik me përmasa të tilla është ndoshta një lajm i mirë për bankat, të cilat mund të shpresojnë se do të vendosin më shumë para në punë me rrezik zero. Rreziku në borxhin publik të brendshëm u përket i tëri konsumatorëve që kanë vendosur kursimet e tyre në lekë.
Rritja ekonomike
Qeveria parashikon që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 2 për qind në terma realë dhe 3.6 për qind në terma nominalë. Rritja parashikohet të sigurohet para së gjithash nga eksportet e Shqipërisë në minerale, ndërsa kërkesa e brendshme, apo konsumi i popullsisë, pritet të vijojë të jetë i dobët. Një pjesë e madhe e shpresave të qeverisë janë përqendruar te fakti se shlyerja e faturave të prapambetura ndaj bizneseve, ndonëse do të rrisë borxhin publik, ka gjasa do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të rikthejë kreditë që bizneset u kanë bankave. Efekti real i faturave të pashlyera të qeverisë te kreditë e këqija nëpër banka mbetet i panjohur.
Shqip
Add new comment