CEZ, borxhi 500 mln dollarë

Postuar në 07 Dhjetor, 2011 13:32

Tregu i energjisë elektrike është zhytur në një kaos të thellë financiar ku malet e borxheve të krijuara mes kompanive po arrijnë shifra marramendëse. 

Top Channel ka mësuar se borxhi i keq vetëm për kompaninë CEZ ka arritur në fund të tetorit 50 miliardë lekë, ose 500 milionë dollarë vetëm si detyrim, pa përfshirë kamatvonesat. 

Kjo shifër është e barabartë me 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, dhe nëse do të përfshihen edhe kamatvonesat për mospagimin e detyrimeve në kohë, ajo rritet edhe më shumë. 

Shifra e borxhit të keq është rritur me ritme 
të larta gjatë dy viteve të fundit. Në dhjetor të vitit 2009 ajo ishte më e vogël se 20 miliardë lekë dhe në vetëm dy vjet është rritur me mbi 2.5 herë. 

Drejtuesit e CEZ thonë se arsyet pse borxhi po rritet janë disa. Së pari, ato kanë të bëjnë me luftën ndaj humbjeve, ku atyre që vjedhin energji u ngarkohet një faturë deri në 4 mijë kilovat/orë, e cila e rrit borxhin. 

Së dyti, është rritja e cmimit të energjisë, ku sasi të njëjta energjie të papaguar japin një borxh më të lartë për shkak të cmimit të rritur. 

Por një tjetër arsye që u rrit ishte sipas CEZ amnistia e qeverisë për faturat e prapambetura, e cila krijoi në publik perceptimin e gabuar duke nxitur individët të mos paguajnë energjinë. 

Por një arsye tjetër e rritjes së borxhit është se CEZ nuk ka arritur të përmirësojë dukshëm arkëtimet. Edhe pse mbi shifrat e arkëtimeve ka përplasje mes institucioneve të ndryshme, fakt është që norma e tyre mbetet e ulët. 

Sipas raportit të  kompanise audituese Deloit, në vitin 2008 arkëtimet ishin 81.7 për qind, në 2009-ën ato ranë në 76.5% dhe në 2010-ën u rritën 81.9%. 

Por Enti Rregullator jep të tjera shifra. Sipas Entit, arkëtimet vitin e kaluar ishin më të ulëta sesa pretendon CEZ, rreth 77.2 për qind dhe nëse nuk do të llogariteshin detyrimet e prapamebtura që shleu qeveria në gusht, ajo bie në 70.1 për qind. 

Ndërkohë që këtë vit treguesi i arkëtimeve nga CEZ është edhe më i ulët. Sipas ERE-s, kjo do të thotë se kompania vazhdon të krijojë borxh të ri. 

Aktualisht në Ministrinë e Financave po bëhet rakordimi i zinxhirit të borxheve në sektorin energjitik, ku CEZ, KESH dhe OST kanë krijuar një rrjet të ngatërruar detryimesh me njëra-tjetrën, ku përfshihen edhe institucionet buxhetore që i kanë borxh CEZ-it. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.