Buxheti i ri, Ekspertët skeptikë: Premtimet më të larta se mundësitë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/1313_1_1248.jpg?itok=XHpg3TMT)
Studiues të pavarur të ekonomisë shqiptare po shohin me skepticizem objektivat e qeverise në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm. Ata pohojnë se rritja ekonomike do të jetë minimale, dhe premtimet për investime janë pertej mundësive reale të ekonomisë shqiptare. Sipas analistëve, buxheti i ri do t'a ketë të vështirë të mbështetet fort në mbledhjen e taksave, apo tek privatizimet, ndërkohë që edhe investimet e huaja jane në rënie.
Studiues të ekonomisë shqiptare po i ndjekin me skepticizëm debatet politike që po bëhen nga deputetët në komisionet parlamentare për projekt-buxhetin e ri. Ata thonë se nuk i shohin bazat reale se ku e mbështet qeveria gjithë këtë entuziazëm për investime të mëdha dhe ulje borxhesh, ndërkohë që ekonomia është e kërcënuar nga presione të jashtme dhe keqmenaxhim të brendshëm. Në Institutin Agenda, drejtuesi i kërkimeve, Gjergj Filipi, thotë se “ky nuk është një projekt-buxhet konservator, siç këshilluan FMN dhe Banka Botërore, por është një dokument që përshkohet nga një vetëmburrje e ekzagjeruar dhe premtime të pabazuara të qeverisë. Ky është buxheti i katërt që ekspertët po ngrejnë alarmin për rritjen e jashtëzakonshme të borxhit”.
Për mungesën e realizmit në hartimin e projekt-buxhetit të ri u shpreh me shqetësim edhe Qendra për Kërkime Ekonomike. Drejtuesi i saj, Zef Preçi, thotë se “projekt-buxheti flet për një optimizëm të pajustifikuar të qeverisë për investime dhe shlyerje borxhesh, sepse të ardhurat nga privatizimet janë ulur dhe agjencitë ndërkombëtare flasin për ngadalësim të rritjes ekonomike të Shqipërisë. Qeveria do ta ketë të vështirë të mbledhë të ardhurat e parashikuara, dhe nga mesi i vitit tjetër mund të rishikojë buxhetin për të ulur ambicjet e saj, por kjo do të frenojë investimet e nisura”.
Eksperët pohojnë se aftësia mbledhëse e taksave në Shqipëri sipas Bankës Botërore, vetëm 26 për qind e gdp, është më e ulta në rajon, ndërsa nga privatizimet e mëdha ka mbetur vetëm Albpetroli dhe grimca objektesh që nuk sjellin shuma të konsiderueshme. Ata mendojnë se privatizimi nuk është burim të ardhurash për buxhetin, ndërsa bujqësia është po ashtu një sektor i prapambetur ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë. Analistët thonë se investitorët ndërkombëtarë janë të çorientuar nga kriza e borxheve dhe nuk investojnë më lirisht në një vend me borxhe, ku edhe privatizimet e mëparshme të ndërmarrjeve strategjike dolën se janë po aq problematike sa edhe improvizimet me rishikimin e buxhetit në mes të vitit.
Zeri i Amerikes
Add new comment