Braçe: T’u sekuestrohet vila që blenë Kasmit e Dragos

Kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, thotë se drejtësia duhet të ndëshkojë zyrtarët që kanë përfituar kredi të buta në mënyrë të paligjshme. Duke iu referuar rastit të ish-zv.ministres së Drejtësisë Brikena Kasmi dhe Admir Dragos, ish-Këshilltar i ish-Kryeministrit Braçe thotë se duhen sekuestruar pasuritë e marra përmes kësaj skeme mashtruese.
“As që më intereson publikimi i lajmit për zyrtaret e Berishës që kanë marrë kredi strehimi dhe kanë blerë vila në “Bllokun e ri të Lalëzit”!! (edhe pse e falënderoj Fiks Fare). Dua hetim dhe ndëshkim! Për zyrtarët e ministrisë së Ndërtimit që kanë dhënë kredinë; Zyrtarët e Berishës që kanë përfituar kredinë. Sekuestrim i pasurisë së marrë përmes kësaj skeme mashtruese; Detyrimin për të kthyer kredinë menjëherë!! Mund të duken të palogjikshme por duhet goditur rëndë, shumë rëndë që të mos ndodhë më!!” “E dyta: Dua një hetim për të gjitha pasuritë (burimin e tyre) e berishëve të sistemuara bukur e qartë, një për ministër e zëvendësministër, drejtorë etj, në bllokun e Lalëzit!”, përfundon Braçe.
************
Dy zyrtarët e Berishës morën kredi si të pastrehë, blenë vilë në Gjirin e Lalzit
Dy zyrtarë të lartë të ish- qeverisë, janë deklaruar si të pastrehë dhe arrijnë të marrin kredi të butë (lehtësuese) me të cilën blejnë një… shtëpi pushimi në Gjirin e Lalzit.
Ish-këshilltari për çështjet ligjore i ish-kryeministrit Sali Berisha, Admir Drago dhe ish-zëvendësministrja e Drejtësisë në qeverinë Berisha, Brikena Kasmi (në foto), kanë përfituar të dy nga një kredi qeveritare prej pesë milionë lekësh të reja secili për të njëjtin pronë në zonën A të vilave në Vilën nr.9, ndodhur në Gjirin e Lalzit – raporton emisioni Fiks Fare. Edhe kontratat me bankën janë nënshkruar nga të dy ish-zyrtarët brenda së njëjtës ditë, 20 gusht 2010. Kështu, “të pastrehët”, zyrtarë të lartë të ish-qeverisë bëhen pronarë të një vile në Gjirin e Lalzit me të drejta të plota.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 600 të datës 12.09.2007 është parashikuar trajtimi i zyrtarëve të shtetit me kredi me kushte lehtësuese nga shteti për blerje banese apo sipërfaqe banimi shtesë, në vendin e ushtrimit të detyrës. Ndërsa pika 21/3 e udhëzimit të MPPT dhe MF nr. 6257/2008, i ndryshuar, sqaron qartë se banka akordon kredinë që subjektin që ka përfituar sipas VKM-së së mësipërme vetëm për blerje banesë në qytetin ku këta zyrtarë ushtrojnë veprimtarinë për të cilën kanë përfituar të drejtën e subvencionimit.
Asnjë prej dy ish-zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë Berisha nuk e ka pasur qendrën e punës në Gjirin e Lalzit. Kredi të buta kanë përfituar edhe shtatë deputetë. Ata janë trajtuar me kredi strehimi ‘bazuar në vendimin nr 600, datë 12.9.2010, të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe funksionarëve politikë”. Të shtatë kanë përfituar nga 5 milionë lekë kredi. Sipas dokumentit, fituesit e kredive të buta janë: Arenca Trashani (deputete e PD-së, qarku Shkodër); Astrit Bushati (deputet i PD-së, qarku Shkodër), Edi Paloka (deputet i PD-së, qarku Lezhë), Gjergji Papa (deputet i PD-së, qarku Korçë); Ndue Paluca (deputet i PD-së, qarku Shkodër); Paulina Hoxha (deputete e PS-së, qarku Shkodër), Paulina Hoti (deputete e PD-së, qarku Lezhë).
Dita
Add new comment