Bode prezanton pr/buxhetin ’12: Maturi e qeverisë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/7137_1_954.jpg?itok=CfZL1kFI)
Ministri i Financave, Ritvan Bode prezanton projektbuxhetin për vitin 2012, duke e cilësuar atë një program konservativ dhe maturi të qeverisë, që do të ndihmojë në përmbushjen e prioriteteve, por do të garantojë kontroll të borxhit, deficiteve dhe inflacionit.
Prezantimi është bërë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku Bode ka bërë një panoramë të plotë të zhvillimit ekonomik, sipas tij në rritje për vendin tonë, pavarësisht presionit të fortë të krizës globale.
“Projektbuxheti 2012 është një program konservativ për të dhënë kontribut në stabilitetin makro ekonomik përmes financave publike”- tha Bode.
Sipas tij, ekonomia jonë ka ndjerë presionet më të thella të krizës së rruzullit dhe përtej këtij presioni, ekonomia jonë ka ruajtur parametrat në nivele të kënaqshme. “Ajo vijoi të rritet në vitet 2009-2011 me rritje 3%. Inflacioni në ekonominë tonë u pa 3.2%, kurse ai i hapësirës së Europës 3.7%”- tha Bode, duke numëruar faktorët që ndikuan për këtë sukses.
Sipas tij, një rol të padiskutueshëm ka luajtur sistemi bankar i stabilizuar dhe likuid. Pas tij ka renditur një tërësi reformash të ndërmarra para krizës ekonomike globale, që synonin mbajtjen e një ritmi të lartë të zhvillimit ekonomik.
“Së treti, u investuan në ekonomi të ardhura të konsiderueshme të arkëtuara nga privatizimet, rreth 300 milionë euro. Ekonomia mbetet jashtë vorbullës së recensionit, pasi qeveria shqiptare ka demonstruar vetëdije në dominimin e situatës, është shënuar minimizim te deficiteve vjetore dhe ulje te borxhit përtej presioneve të krizës globale”- tha ai.
Panorama
Add new comment